Mars 23, 2016 | Wednesday

Blogu i fotografive për muajin mars 2016: Procesi i Stabilizim-Asociimit për Ballkanin Perëndimor përmes fotografive

Procesi i Stabilizim-Asociimit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian implementohet përmes kornizës së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Procesi i Stabilizim-Asociimit (PSA) ka filluar në vitin 1999 dhe u forcua më tej me Samitin e Selanikut në vitin 2003. Marrëveshjet për PSA-në adaptohen për secilin shtet partner, si të tilla, duke krijuar një zonë të tregtisë së lirë ndërmjet vendit partner dhe BE-së. MSA-ja identifikon objektivat e përbashkëta politike dhe ekonomike të cilat pastaj u mundësojnë vendeve të Ballkanit Perëndimor të përfshihen në një partneritet progresiv me qëllim stabilizimin e rajonit dhe krijimin e një zone të tregtisë së lirë. Marrëveshjet e MSA-së shërbejnë si bazë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (Burimi: Komisioni Evropian 2012).

Blogu i fotografive për këtë muaj nxjerr në pah fotografitë zyrtare që përshkruajnë procesin e MSA-së për vendet e Ballkanit.

 

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes BE-së dhe Kroacisë

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka qenë marrëveshja e parë mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit, në këtë rast Kroacisë, e cila ishte e ngjashme me “Marrëveshjen Evropiane” e nënshkruar nga vendet e mëparshme kandidate. Marrëveshja me Kroacinë është nënshkruar më 29 tetor 2001 dhe hyri në fuqi më 1 shkurt të vitit 2005. Kroacia, në mënyrë të suksesshme u bë anëtare e BE-së në muajin korrik të vitit 2013. (Burimi: Komisioni Evropian 2015).

Kryeministri kroat Ivica Racan dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Tonino Pikula, së bashku me, Presidentin e atëhershëm të Komisionit Evropian Romano Prodi  nënshkruajnë MSA-në në Bruksel në vitin 2001 (Burimi i fotos: Croatia.eu)

 

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe IRJ të Maqedonisë

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë është nënshkruar më 1 prill të vitit 2004. MSA-ja me Maqedoninë mbulon aspektet ekonomike dhe politike, duke përfshirë dispozitat për katër liritë: lirinë e lëvizjes së mallrave, lëvizjen e punëtorëve, lëvizjet e kapitalit dhe ofrimin e shërbimeve. Marrëveshja parasheh krijimin e një zone të tregtisë së lirë mes BE-së dhe IRJ të Maqedonisë për një periudhë kohore prej 10 vjetësh. Përveç kësaj, marrëveshja synon të rrisë bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira me vendet e tjera në rajon (Burimi: Komisioni Evropian 2012).

Javier Solana, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri u takua me Nikola Gruevskin, kryeministër i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) në vitin 2009 në tryezën e rrumbullakët të Këshillit të Stabilizim-Asociimit (Burimi i fotografisë: Dhoma e Lajmeve e Këshillit Evropian)  

 

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me qeverinë e Malit të Zi synon të forcoj demokracinë dhe sundimin e ligjit, të kontribuojë në stabilitetin politik, ekonomik dhe institucional në vend, të përmirësoj marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e Malit të Zi me vendet e rajonit, si dhe të mbështes Malin e Zi që të përfundoj tranzicionin në një ekonomi tregu funksionale. MSA-ja gjithashtu krijoi një zonë të tregtisë së lirë me BE-në për 5 vite pas hyrjes në fuqi të MSA-së (Burimi: Komisioni Evropian 2012).

Herman Van Rompuy, Presidenti i Këshillit Evropian takoi Igor Luksic, Kryeministrin e Malit të Zi në tryezën e rrumbullakët të Këshillit të Stabilizim-Asociimit në vitin 2011. (Burimi i fotografisë: Dhoma e Lajmeve e Këshillit të Bashkimit Evropian ).

 

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Komunitetit Evropian dhe Republikës së Shqipërisë, u nënshkrua në muajin qershor të vitit 2006 dhe hyri në fuqi në prill të vitit 2009. Nga data kur marrëveshja hyri në fuqi, ajo zëvendësoi Marrëveshjen ndërmjet Komunitetit Ekonomik Evropian dhe Republikës së Shqipërisë në lidhje me tregtinë, bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik e  nënshkruar në maj të vitit 1992. Objektiva kryesore e kësaj marrëveshjeje ka qenë të mbështesë Shqipërinë në forcimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit, të kontribuojë në stabilitetin politik, ekonomik dhe institucional në vend, të mbështesë Shqipërinë që të zhvilloj bashkëpunimin ekonomik dhe ndërkombëtar dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal në të gjitha fushat e mbuluara nga Marrëveshja (Burimi: Komisioni Evropian 2012).

Konferenca për shtyp e Këshillit të Stabilizim-Asociimit të BE-së dhe Shqipërisë në vitin 2011 në Bruksel (Burimi i fotografi : Dhoma e Lajmeve të Këshillit të Bashkimit Evropian)

 

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Kosovës

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të Kosovës me Bashkimin Evropian kanë përfunduar në tetor të vitit 2013 dhe ajo u parafirmua në korrik të vitit 2014. Më 22 tetor 2015 Këshilli Evropian miratoi zyrtarisht MSA-në e cila u  ratifikua gjithashtu nga parlamenti i Kosovës. Marrëveshja e Stabilizim Asociimit pritet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2016.

Kjo marrëveshje hapë një fazë të re në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së pasi ajo paraqet një hap të rëndësishëm në rritjen e prosperitetit dhe stabilitetit për Kosovën dhe rajonin. Pas hyrjes në fuqi, MSA-ja do të fokusohet në respektimin e parimeve demokratike dhe elementet themelore të tregut të vetëm të BE-së.  Përmes MSA-së do të krijohet një zonë e tregtisë së lirë së bashku me mbështetjen shtesë për aplikimin e standardeve evropiane, siç janë konkurrenca, ndihma shtetërore dhe prona intelektuale në Kosovë. Përveç kësaj, marrëveshja do të ndihmojë në përmirësimin e dialogut politik dhe bashkëpunimin në një shumëllojshmëri të gjerë të sektorëve duke filluar nga arsimimi, punësimi, energjia, mjedisi dhe drejtësia (Burimi: Këshilli i Evropës 2015).

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Kosovës nga Isa Mustafa, kryeministri i Kosovës dhe Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Johannes Hahn, Komisionari Evropian për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit. (Burimi i fotografisë:  Dhoma e Lajmeve e Këshillit të Bashkimit Evropian).