Nëntor 8, 2019 | Friday

Krenare Rugova rrëfen tregimin e saj inspirues në Shtëpinë e Evropës

Dizajnerja Krenare Rugova ka qenë e ftuara e radhës në Bisedën Inspiruese të BE-së.

Rugova, në Europe House, mbrëmë ka treguar më shumë për rrugëtimin e saj tash e gati dy dekada në botën e kreacioneve dhe dizajneve. Krenare Rugova sot është pronare e brendit KRENARERUGOVA.

Krenare Rugova ka kryer shkollimin në Parson’s School of Design në Nju Jork ndërsa më pas për disa kohë ka jetuar e vepruar edhe në Paris.

“Kam ardhur në Kosovë dhe e kam hapur brendin KR dhe më kujtohet se si në fillim dyqanin e kam pasur në rrugën ku sot ka plot dyqane dhe kafene në Prishtinë. Njerëzit vinin dhe mendonin se KR qëndron për Kosova Republikë, meqë këto dy shkronja i kisha jashtë dyqanit. Janë dashur vite që të krijoj një stabilitet dhe të krijoj klientelën time. Në secilën veshje timen ka diçka prej meje” ka thënë gjatë bisedës inspiruese Krenare Rugova.

Ajo thotë se dashurinë për tekstilin e ka kuptuar gjatë shkollimit në Amerikë, atje ku edhe ka marrë bursë studimi, ndërsa në Kosovë edhe sot tenton që çdo koleksion ta sjellë më të veçantë dhe më unik se tjetrin.

Rugova ka katër vite që ligjëron në njërën prej Universiteteve private në Kosovë.

“Është kënaqësi që e kam kuptuar se mund të përçoj njohuri dhe dije, e kam trashëguar edhe nga nëna e cila ka qenë profesoreshë për shumë vite. Gjeneratave të reja kam shumë energji t`ju ndihmoj në kanalizimin e stilit të tyre dhe së bashku me studentët e mi punojmë për të arritur suksese në fushën e modës. Ata e duan trendin por secili nëpër vite e kupton se çfarë fryme i pëlqen më shumë” ka treguar gjatë bisedës Rugova.

Rugova gjatë këtij muaji do ta promovojë koleksionin e saj të ri, i cili merret me veshjet e rehatshme në një stinë e cila di të jetë më monotone por edhe më nostalgjike.

Bisedat Inpiruese të BE-së mbahet muaj për muaj në Europe House në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut, me qëllim të sjellin para publikut i cili gjithmonë është aktiv, tregime suksesi dhe dështimi të cilat sot inspirojnë qytetarët në mbarë Kosovën.