Shkurt 24, 2022 | Thursday
Jehona Pnishi, e lindur në Kosovë dhe e rritur ndërmjet Kosovës dhe Francës, thotë se ndërthur në vete kulturën dhe zakonet e bukura të Kosovës me vlerat demokratike të Francës, si lirinë, barazinë dhe vëllazërinë. Pikërisht këto vlera e kanë shtyrë Jehonën të angazhohet dhe të avokojë zëshëm për barazi sociale, drejtësi, liri, paqe e demokraci, qysh në moshë të hershme. Falë angazhimit të saj, së fundmi Jehona është përzgjedhur si një nga dhjetë Ambasadorët e Rinj Evropianë.
Jehona ka diplomuar në drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Francë, dhe avokimin në këto dy fusha e bën në mënyrë të natyrshme dhe profesionale. Angazhimin e saj vullnetar Jehona e fillon në vitin 2021 duke qenë pjesë e konkursit rajonal “Youth Peace Lab Competition 2021”, ku ka kontribuar në përmirësimin e sistemit arsimor në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Barazia gjinore është një temë tjetër në të cilën Jehona kontribuon. Ajo ishte pjesë e OJQ-së kosovare “Ecokoswomen-EKW” si praktikante, ku së bashku me ekipin kanë realizuar aktivitete të ndryshme, si fushatën për uljen e TVSH-së në produkte higjienike menstruale nga 18% në 8%, si dhe fushatën për ngritjen e vetëdijës së nxënësve për ciklin menstrual, përmes ekspozimit të 100 posterëve në shkolla dhe institucione shëndetësorë në Prishtinë.
Përpos barazisë dhe drejtësisë sociale, Jehona përmes shkrimeve të saj mbi historinë, kulturën apo politikën kosovare, avokon dhe lobon fuqishëm për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Duke qenë pjesë e kontinentit të Evropës si gjeokrafikisht ashtu edhe me vlera evropiane, Jehona është e bindur se vendi i Kosovës është në Bashkimin Evropian.
E bindur se gratë kanë vend të barabartë me burrat në jetën politike dhe shoqërore të një vendi, Jehona vendosi të aplikojë për t’u bërë Ambasadore e Re Evropiane nga Kosova. Si Ambasadore e Re, Jehona thotë se misioni i saj është promovimi i vlerave të Bashkimit Evropian në Ballkan. Por, për Jehonën ky mision shkon përtej përfaqësimit të thjeshtë. Si ambasadore e re evropiane, ajo dëshiron të nxisë ndryshimin në Ballkan dhe të kontribuoj në përparimin e shteteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe të integrimit evropian, fusha të cilat janë temat e saj kryesore gjatë mandatit si Ambasadore e Re Evropiane.
Aktivitet specifik në të cilin Jehona është duke u angazhuar momentalisht si Ambasadore e Re Evropiane në fushën e të drejtave të njeriut, është pjesëmarrja në organizimin e projektit “Zero Discrimination Day Living Library”, i zbatuar nga WeBalkans/YEA në Qendrën Socio-Kulturore Termokiss. Qëllimi i këtij projekti është luftimi i diskriminimit duke frymëzuar ndryshim në komunitetet tona në Ballkanin Perëndimor, në të gjithë BE-në dhe më gjerë. Ideja kryesore e këtij projekti është të rrisë ndërgjegjësimin për diskriminimin qoftë ai seksual, gjinor, fetar, shëndetësor e të tjerë, si dhe gjithashtu ta parandalojë atë, duke i ftuar njerëzit të ndajnë historitë e tyre në formen e librarisë së gjallë.
Përmes punës dhe aktiviteteve të ndryshme, Jehona thotë se vazhdimisht është përpjekur që të jetë e afërt me të rinjtë dhe të ju ndihmojë në realizimin e ëndërrave të tyre evropiane. Sipas saj, Kosova dhe në përgjithësi të gjitha vendet e Ballkanit janë të mbushura me talente. Për fund, Jehona ju bën thirrje të gjithë të rinjve dhe qytetarëve të Kosovës dhe të Balkanit Perëndimor, që të vazhdojnë të punojnë për vendet e tyre, me mesazhin se së bashku jemi më të fortë.