Mars 31, 2022 | Thursday
Funksionimi i mirë i demokracisë mbështetet në aftësinë e qytetarëve për t’i kuptuar institucionet dhe për të ndier mjaftueshëm vetëbesim për t’u përfshirë në aktivizmin qytetar. “Inovacioni për media të qëndrueshme dhe angazhim qytetar” është projekt i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë që kombinon hulumtimin dhe perspektivën gazetareske të bazuar në njerëz, për të fuqizuar aftësitë e grave dhe burrave kosovarë që zëri i tyre të dëgjohet.
Përmes këtij projekti, Kosovo 2.0, një organizatë e pavarur mediatike, dhe Instituti GAP, një institut studimor që promovon qeverisjen e mirë dhe debatin cilësor rreth politikave, kanë bashkuar forcat për të stimuluar përfshirjen e qytetarëve në jetën publike dhe politikëbërjen, dhe aftësinë e tyre për të kërkuar llogaridhënie institucionale.
Më konkretisht, Kosovo 2.0 mbështetet në analizën hulumtuese të Institutit GAP për të prodhuar gazetari multimediale profesionale dhe të qasshme. Kjo ndihmon në tejkalimin e hendekut ndërmjet qeverisjes dhe qytetarëve, duke shtuar kontekstin e zhvillimeve politike, duke zbërthyer çështjet komplekse, si dhe duke eksploruar ndikimin e politikave në jetën e qytetarëve.
Si një mënyrë për ta informuar dhe për të ta ushqyer më tej mendimin kritik të qytetarëve, GAP dhe Kosova 2.0 organizojnë gjithashtu diskutime dhe evente me prani fizike, për tema që kanë të bëjnë me politikën, të drejtat e njeriut, qeverisjen dhe demokracinë. Kjo bëhet për ta vazhduar bashkëbisedimin me institucionet, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe vetë qytetarët.
Së fundi, GAP dhe Kosova 2.0 e përdorin ekspertizën e tyre në gazetarinë e bazuar në të drejtat e njeriut dhe hulumtime të thelluara për të përgatitur gazetarët dhe analistët e së nesërmes. Kjo bëhet përmes programeve të trajnimit dhe praktikës. Rritja e kapaciteteve të brezit të ardhshëm të gazetarëve, avokuesve dhe studiuesve është një hap kyç për rritjen e reziliencës së iniciativave të angazhimit qytetar, duke investuar në potencialin e të rinjve dhe profesionistëve në fillim të karrierës për ta udhëhequr ndryshimin në fushat e tyre përkatëse.
Në dy vitet e fundit, Kosovo 2.0 dhe GAP kanë prodhuar 4 podkaste, 10 video shpjegues, 21 video ngacmuese, 2 storje multimediale, 15 artikuj të thelluar, 16 analiza monitoruese dhe 1 revistë të shtypur. Ata gjithashtu kanë organizuar 13 diskutime dhe 6 punëtori, si dhe kanë trajnuar 4 të mentoruar dhe 8 praktikantë.
Për Jeton Mehmetin, koordinator i projektit nga GAP, forca e projektit qëndron në ambicien e tij për të integruar disiplina dhe formate të ndryshme:
“Ky projekt është shumë ngazëllues, pasi kombinon hulumtimin e politikave dhe avokimin për politika. Përgjatë këtij projekti kemi arritur të prodhojmë një numër të jashtëzakonshëm të përmbledhjeve të politikave mbi tema të ndryshme të rëndësishme për shoqërinë tonë – nga ndikimi i koronavirusit në ekonominë tonë deri te reformat e arsimit të lartë. Duke qenë se avokimi për politika më të mira publike është pjesë e misionit tonë, kemi organizuar edhe një seri me diskutime me vendimmarrësit, si në format online ashtu edhe në tryeza të rrumbullakëta. Në përgjithësi, projekti ishte një storje suksesi edhe në kuptimin që jo vetëm solli përfitime për organizatën tonë, por edhe për hulumtuesit e rinj aspirues që na u bashkuan përmes programit të mentorimit dhe praktikës.”
Praktikantja e K2.0 dhe GAP, Krenare Buzhala, shpjegon pse është e rëndësishme të kuptojmë se si të prodhojmë dhe konsumojmë gazetari dhe hulumtim të mirë:
“Puna nga afër me gazetarë dhe redaktorë me përvojë në K2.0 më bëri të kuptoj shumë gjëra që nevojiten për të shkruar dhe publikuar një artikull të mirë. Ka kaq shumë punë në prapaskenë: duhet shumë hulumtim, lexim, bisedë me njerëzit dhe shumë takime përpara se të mund të bësh një artikull aq të mirë sa të botohet. Kjo përvojë më bëri të kuptoj rëndësinë e kësaj pune: është vendimtare për ne që ta dimë se çka po lexojmë, çka po ndodh në shoqërinë tonë, si dhe të sigurohemi që faktet që paraqesim janë reale. Në GAP po mësoj t’i përdor të dhënat në mënyra të ndryshme dhe po njihem me softuere që nuk i njihja më parë. Kjo praktikë më ndihmoi të kuptoj se sa shumë mund të mësoj dhe ta zgjeroj zonën time të rehatisë në fusha që nuk i mendoja të mundshme.”
Siç vëren praktikantja e K2.0 dhe GAP, Melisa Kadolli, për të promovuar angazhimin e qytetarëve, nuk mjafton zhvillimi i shkathtësive të mira të shkrimit dhe hulumtimit: nevojiten edhe shkathtësi të tjera. Gjatë praktikës së saj, ajo u fokusua në menaxhimin e projekteve:
“Jam më shumë se mirënjohëse për mundësinë që të jem praktikante në K2.0 dhe Institutin GAP. Në K2.0 kam punuar nga afër me ekipin e programit, ku kam përjetuar drejtpërdrejt procesin krijues që ndodh përpara se gjërat të fillojnë të marrin formë. Kam mësuar shumë në drejtim të menaxhimit të projekteve dhe kam zhvilluar shkathtësitë e mia të buta. Ishte gjithashtu një përvojë argëtuese, pasi munda të punoja me praktikantët e tjerë dhe të dëshmoja grupet e ndryshme të shkathtësive që solli secili prej tyre – qoftë në K2.0 ose GAP. Me përvojën e fituar dhe njerëzit me të cilët munda të punoja, kjo praktikë më dha më shumë nga sa mund të kisha shpresuar ndonjëherë”.