Prill 6, 2022 | Wednesday
Gjatë xhirimit të filmit përjetova se si familjarët tërhiqnin fëmijët (talentët) nga klubi i pingpongut, për shkak të kushteve mjeruese. Jetojmë në shekullin 21 me aspirata për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe fëmijëve tanë nuk u japim hapësirë as për të ëndërruar. Nëse tash nuk investojmë për sportistët dhe talentët tanë, nesër do të bëhet vonë, ata do të zgjedhin rrugë të tjera që do të na kushtojnë shumë më shtrenjtë për rehabilitimin e tyre.
“A kanë fëmijë bre kta njerëz?”, thotë Ermegani në skenën e kafiqit. E kishim një dialog në film, i cili më së shumti edhe sot më dhimbset i cili nuk është në film, por gjatë procesit të editimit më është dashur ta heq për shkak të formës së tregimit.
Filluam një iniciativë që nëpërmjet filmit të prekim një temë që secilin fëmijë, prind e familje e prek drejtpërdrejt – atë të ëndrrave.
Vendi ynë është i pasur me talente, por i varfër me politikëbërës që u mundësojnë talentëve realizimin e ëndrrave të tyre. Duke e përjetuar personalisht përvojën e djalit tim Mironit 11 vjeç – i cili veç e ka kuptuar që nuk ka të ardhme në këtë vend – dhe përvojën e shokut të jetës Jetonit, vendosa të bëj një film të titulluar “Pa vend”. Qëllimi ynë ishte ta sensibilizojmë këtë temë edhe që filmi të ketë fokusin e shoqërisë dhe veçanërisht autoriteteve vendimmarrëse, prandaj ai duhej të shfaqej në ndonjë festival të madh dhe pastaj të kishte vëmendjen e politikës dhe autoriteteve. Ne e arritëm qëllimin, patëm premierën e filmit në festivalin më të madh dhe më të rëndësishëm në botë, atë të Kanës. Bëmë historinë, ishim për herë të parë aty si shtet, nuk ishte rastësi pse filmi është i gjatë 15 minuta (rregullat e Kanës). Qëllimi tjetër u arrit pasi që kryeministri ishte në Kanë dhe besoj që për herë të parë e pa se si talentët dhe fëmijët e vendit të tij ushtrojnë sportet e tyre në kushte mjeruese, pavarësisht sukseseve të tyre dhe përfaqësimit të shtetit të tyre me dinjitet.
Për mua dhe ekipin tim të filmit, protagonistët dhe gjithë të tjerët që ishin pjesë e filmit ne arritëm që të ngritim zërin dhe të kërkojmë të drejtën e atyre që e meritojnë në formën më të mirë kreative. Nga pesë festivalet më të mëdha të botës, garuam në tri nga to dhe në të tria nga to u shpërblyem. Në Kanë filmi më i mirë evropian, në Toronto, Filmi më i mirë i shkurtër, në Sundance filmi më i mirë i shkurtër dokumentar. Kjo është diçka e rrallë apo e paparë më herët.
Ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, alokoi buxhetin dhe ndau hapësirën për ndërtimin e sallës multifunksionale dhe ky proces u ndal në OSHP (Organin Shqyrtues të Prokurimit) për shkak të ankesave në tender dhe fatkeqësisht, ky institucion nuk ka bord aktiv dhe lënda mbetet e pezulluar si qindra të tjera. Prandaj me këtë shkrim dua të ftoj institucionet përgjegjëse, përkatësisht Qeverinë e Kosovës ta konsiderojë themelimin e bordit të OSHP sa më shpejt dhe të shqyrtojë me prioritet statusin e tenderit të sallës multifunksionale, përkatësisht të Ping Pongut në Prizren. Çdo vonesë për talentët do të thotë dëshpërim më i madh dhe tërheqje nga ëndrra!
Gjatë xhirimit të filmit përjetova se si familjarët tërhiqnin fëmijët (talentët) nga klubi për shkak të kushteve mjeruese. Jetojmë në shekullin 21 me aspirata për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe fëmijëve tanë nuk u japim hapësirë as për të ëndërruar. Nuk është rastësi që në edicionin 2021, ekipi “Lidhja e Prizrenit” nga 32 lojë korri 32 fitore dhe të gjitha si mysafirë pasi që nuk kishin kushte loje për të qenë nikoqir.
Si ekip i filmit mendojmë që rrugëtimi artistik i filmit tonë përfundon këtu pasi që nuk ka diçka më të madhe që mund të ndodh pas rrugëtimit të paimagjinuar. Ajo çka pamë te ky ekip është diçka e veçantë, të cilën vetëm me film kam mundur ta tregoj. Jam i sigurt që këta fëmijë një ditë do të na bëjnë të mburremi. Ata dëshmuan me luftën e heshtur që janë talentë të vërtetë dhe e duan vendin e tyre e që vendi i tyre as nuk i sheh!
Nëse tash nuk investojmë për sportistët dhe talentët tanë, nesër do të bëhet vonë, ata do të zgjedhin rrugë të tjera që do të na kushtojnë shumë më shtrenjtë për rehabilitimin e tyre!
Po të kishim investuar më shumë te talentët dhe sportistët, ne do të kishim një imazh krejt ndryshe nga ai që kemi sot, do të kishim shumë më tepër lajme të mira dhe do të ishim shumë më krenarë me vendin tonë sesa që jemi sot, prandaj ftoj autoritetet që të kenë vëmendjen më të madhe te të rinjtë dhe talentët e vendit tonë!
Pavarësisht të gjitha çmimeve që kemi marrë me filmin “Pa vend”, për mua personalisht dhe ekipin e filmit, çmimi më i madh për ne do të ishte momenti i fillimit të ndërtimit të sallës së pingpongut dhe ndjenja e këtyre talentëve që e kanë një vend dhe për të cilin vend do të luajnë me krenari. Ky ka qenë qëllimi ynë kryesor qysh prej fillimit.
Jam i sigurt që nuk jemi aq shtet i varfër saqë të mos kemi mjete për të krijuar hapësira për sportistët, nuk jemi aq të mjerë që të pranojmë këtë padrejtësi ndaj të rinjve, por e kemi dëshmuar me vite që si shoqëri jemi vjedhës të mirë të së ardhmes së fëmijëve tanë!
Në emër të ekipit të filmit dhe gjithë protagonistëve ju urojmë Ditën Ndërkombëtare të Pingpongut me shpresë që vitin e ardhshëm në këtë ditë të festojmë me sallën e premtuar dhe këta talentë ta kenë sallën e merituar!
Samir Karahoda është autor i filmit “Pa vend”