Maj 9, 2022 | Monday

Të gjelbra dhe digjitale – aktivitetet e Ditës së Evropës 2022 ishin të jashtëzakonshme

Një e ardhme e shëndetshme, e gjelbër dhe e qëndrueshme mund të ndërtohet më së miri nga të rinjtë. Për të dëgjuar zërin e tyre dhe për të krijuar një hapësirë ​​që u mundëson të shprehin vizionin e tyre për një të ardhme të gjelbër, gjithëpërfshirëse dhe dixhitale, viti 2022 është shpallur Viti Evropian i Rinisë.

Si rezultat, aktivitetet që shënuan Ditën e Evropës 2022 u përqendruan rreth rinisë, plot me diskutime mes të rinjve nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe ambasadorëve të Bashkimit Evropian, ekspozita digjitale dhe të gjelbra nga inxhinierët e rinj, lëvizshmëri pa vetura dhe ndotje, si dhe ngjarje të tjera.

Dita e Evropës 2022 nisi me mesazhin e ambasadorit Tomas Szunyog duke uruar popullin e Kosovës dhe duke u bërë thirrje të rinjve që të shikojnë dhe të punojnë drejt një të ardhme të qëndrueshme.

Videomesazhi i ambasadorit Tomash Sunjog në Ditën e Evropës

Për të përcjellë mesazhin e një të ardhme të gjelbër dhe për t’i dhënë jetë përmes ngjyrave qytetit të Prishtinës, artistë të njohur të grafitit nga Belgjika, në bashkëpunim me artistë vendas nga Kosova, filluan të pikturojnë me ngjyra eko-miqësore një nga hyrjet kryesore të qytetit. Artistët u vizituan nga ambasadori i BE-së Tomas Szunyog dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.

Pikturimi i murit nga artistë ndërkombëtarë dhe vendas

Aktiviteti kryesor ishte i rezervuar në dy rrugët kryesore të Prishtinës, afër katedrales “Nënë Tereza” dhe “Grand Hotelit”. Këto dy rrugë ishin të bllokuara për kalimin e makinave dhe mjeteve të tjera, ndërsa lëvizja u lejua vetëm për këmbësorët, çiklistët dhe mjete të tjera transporti jo ndotëse.

Të ndihmuar nga Ambasadorët e Rinj Evropianë (YEA) dhe të shoqëruar nga ambasadori Szunyog dhe kryebashkiaku Rama, qindra qytetarë duke filluar nga fëmijët e deri tek të rriturit shijuan lëvizjen me biçikleta dhe trotinete, pa makina dhe ndotje.

Ngjarja ishte një mundësi e shkëlqyer për të dërguar një mesazh të qartë për politikëbërësit se këmbësorët dhe mjetet alternative të transportit duhet të jenë në qendër të planeve të lëvizshmërisë urbane të qëndrueshme, në vend të mjeteve të motorizuara.

Derisa këmbësorët dhe çiklistët po shijonin ditën e tyre pa makina dhe ndotje, në të njëjtën kohë Shtëpia e Evropës në Prishtinë po priste inxhinierë dhe novatorë të rinj, si dhe ngjarje të tjera të gjelbërta dhe dixhitale.


Në një cep, fëmijët e moshës 7-11 vjeç, po mësonin nga instruktorët e BONEVET, si të kodonin robotët mBot dhe gjuhën scratch të kodimit.

Në këndin tjetër, nxënësit e shkollës BONEVET, apo inxhinierët dhe krijuesit e ardhshëm, ekspozuan krijimet e tyre novatore para ambasadorit Szunyog, kryebashkiakut Rama dhe shumë të ftuarve të tjerë. Turbina e erës reaguese ndaj erës, dhe panelet diellore reaguese ndaj dritës, ishin disa nga krijimet e ekspozuara nga novatorët e rinj të BONEVET, të cilët përmes krijimeve të tyre të vogla dërgojnë një mesazh të qartë për një të ardhme të gjelbër dhe dixhitale.

Përveç këtyre mini-krijimeve të energjisë së rinovueshme, të ftuarit e pranishëm në Shtëpinë e Evropës në të njëjtën kohë patën mundësinë të dëshmojnë burimet e rinovueshme të energjisë përmes teknologjisë AR (realitet i argumentuar). Ishte një eksperiencë virtuale unike, e përjetuar si kurrë më parë.

Përderisa Prishtina po gumëzhinte me aktivitete të gjelbra dhe dixhitale, Shtëpia e Evropës në Mitrovicën e Veriut po mbante një kuiz mbi BE-në, mjedisin dhe teknologjinë. Pjesëmarrësit testuan njohuritë e tyre, mësuan gjëra të reja, u argëtuan dhe në fund tre skuadrat më të mira fituan tre çmime kryesore.

Kur mbaruan aktivitetet e përditshme, aktivitetet e mbrëmjes vazhduan me një recital të paharrueshëm të muzikës klasike të pianisti të njohur spanjoll Martin García García. Koncerti i cili u mbështet nga BE-ja, shënoi natën e hapjes së edicionit të 12-të të Chopin Piano FEST Prishtinë.

Në Ditën e Evropës, Garcia i mahniti dashamirët e muzikës prishtinase, duke luajtur pjesë të muzikës klasike nga Johan Sebastian Bach, Frederic Chopin dhe kompozitorë të tjerë të njohur evropianë.

Biblioteka Kombëtare e ndezur me dritat e BE-së

Aktivitetet e Ditës së Evropës të planifikuara për 9 maj përfunduan me një pritje ceremoniale të organizuar nga ambasadori i BE-së Tomas Szunyog.

Në prani të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në Kosovë, përfaqësuesve politikë, liderëve fetarë dhe mysafirëve të tjerë të nderuar, ambasadori Szunyog ndau çmimin “Evropiani i Vitit i Kosovës 2022” (lexoni më shumë).

Fahrije Hoti – `”Evropiania e vitit 2022″

Në një listë të ngushtë të përbërë nga aktivistë të mrekullueshëm, znj. Fahrije Hoti mori Çmimin Evropian të Vitit 2022, pasi mori numrin më të madh të votave (6400) nga votuesit online.

Aktivitetet e Ditës së Evropës vazhduan gjatë gjithë javës. Më 10 maj, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, studentët e shkollave të mesme dhe universitetet patën mundësinë të takojnë lider të disa prej kompanive kryesore të njohura të teknologjisë në Kosovë.

Takimi mes të rinjve dhe liderëve të sektorit TIK

Përveç mësimit  për mundësitë e pafundme që ofron sektori i TIK-ut në Kosovë, studentëve iu ofruan mundësi për praktikë dhe punësim.

Ndërkohë në ditët e mbetura të aktiviteteve të Javës së Evropës, të rinjtë e Dragashit, Prizrenit dhe Ferizajt, u takuan me ambasadorin e BE-së, Tomas Szunyog, si dhe me stafin e Zyrës së BE-së dhe ambasadorët e rinj evropianë.

Të rinjtë diskutojnë me Ambasadorin Sunjog në Ferizaj

Me shpalljen e vitit 2022 si Viti Evropian i Rinisë, gjatë takimeve të zhvilluara në qytetet e tyre të rinjtë e Dragashit, Prizrenit dhe Ferizajt, diskutuan me përfaqësues të BE-së dhe YEA-ve, Agjendën e Gjelbër të BE-së, të ardhmen digjitale, dhe mjetet e fuqizimit të të rinjve.

#DitaeEvropës2022 #PërJuMeJu