Maj 11, 2022 | Wednesday
Për të nderuar personalitet e jashtëzakonshme të cilët me punën e tyre të palodhshme dhe qytetarinë active kanë kontribuar për shoqërinë kosovare, në Ditën e Evropës dhe në praninë e mysafirëve të nderuar, Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomash Sunjog, ndau çmimin “Evropiani i vitit i Kosovës 2022”.
Në një listë të ngushtë, të përbërë nga aktivistë të mrekullueshëm si Behare Bajraktari – themeluese e BB Green Kosova; Fahrije Hoti – themeluese e Kooperativës Bujqësore Krushë; Jovana Radosavljević – Drejtoreshë e Iniciativës së Re Sociale (NSI); Samir Karahoda – Regjisor; dhe Sebahate Hajdini – Drejtoreshë e Down Syndrome Kosova (DSK), znj. Fahrije Hoti mori Çmimin Evropian të Vitit 2022, pasi mori numrin më të madh të votave (6400) nga votuesit online.
Ambasadori Sunjog u deklarua si i privilegjuar për ndarjen e këtij çmimi për znj. Hoti dhe përgëzoi të gjithë të nominuarit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në shoqërinë kosovare gjatë gjithë vitit.
“Duke u kujdesur për shoqërinë e tyre, ata po e mbështesin drejtpërdrejt Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe si të tillë, ata janë të gjithë model për t’u ndjekur. Uroj që më shumë njerëz në Kosovë të ndjekin gjurmët e fituesve dhe të nominuarve tanë aktualë dhe të mëparshëm të çmimit ‘Evropiani i Vitit’ dhe shpresoj se çmimi për znj. Fahrije Hoti do të ndihmojë në këtë drejtim”, – tha ambasadori Sunjog.
Ndërkohë zonja Hoti deklaroi se ndihet e privilegjuar dhe e nderuar që u zgjodh Evropianja e Vitit 2022, duke falenderuar të gjithë votuesit që e votuan.
“Ky çmim u dedikohet të gjitha grave të Kosovës që humbën të dashurit e tyre gjatë luftës. Sakrifica e tyre dhe sakrifica ime u shndërrua në një histori suksesi pasi ne nuk menduam për dhimbjen dhe të kaluarën, por i fokusuam përpjekjet tona në të ardhmen e familjeve tona” – Fahrije Hoti, “Europianija e Vitit e Kosovës 2022”.
Ky çmim ndahet çdo vit nga Zyra e BE-së në Kosovë/ i Dërguari i posaçëm i BE-së, për të promovuar vlerat e BE-së.