Qershor 30, 2016 | Thursday
Ne do t’i bëjmë qytetet të shëndosha, fshatrat të gjelbra, oqeanet të pastra dhe të ardhmen për fëmijët tonë? Me një fjalë: investim. Nga 30 maji deri më 3 qershor, Komisioni Evropian do të jetë nikoqir i Javës së Gjelbër, një ngjarje e cila do të nxjerrë në pah, në tërë Evropën, se si ideja për një kompromis ndërmjet ekonomisë dhe mjedisit është e vjetruar.
Në vend të kësaj, e ardhmja jonë do të ngritet mbi investimin i cili integron mundësinë ekonomike me praktikën e mjedisit të qëndrueshëm ekonomik. Unë do ta festoj lidhjen ndërmjet investimit dhe të ardhmes sonë mjedisore me një theks ndryshe për çdo ditë.
Thuhet se domosdoshmëria është nëna e shpikjeve; në atë rast investimi është “tezja e pasur”. Java jonë do të ilustrojë që për të bërë përparim ne duhet t’i inkurajojmë ndërmarrësit e rreziqeve dhe novatorët. Dhe kjo nuk nënkupton vetëm inkurajimin për shpikësit.
Disa nga rreziqet më të mëdha dhe inovacionet bëhen nga investitorët. Qasja në financa mund të jetë e vështirë për ndërmarrjet në sektorët mjedisor për shkak të mungesës së të kuptuarit të modeleve të reja të bizneseve që i shtyjnë ato. Projektet mund të jenë me rrezikshmëri të lartë ose shumë afatgjate për investitorët tradicional.
Por, mos marrja parasysh e presioneve mjedisore është rrezik në vete për investitorët. Presionet në resurse mund të shpijnë në përjetim të shokut nga furnizimi dhe luhatjeve të çmimeve që kanë ndikim të madh në performancën e investimeve, dhe këta faktorë duhet gjithnjë e më shumë të merren parasysh nga menaxherët e fondeve dhe investitorët.
Shumë ndërmarrje po e shikojnë edhe perspektivën afatgjate, duke e kuptuar që investimi në bazë të performancës tremujore është shkurt-pamës dhe nuk do të sjellë fitime të qëndrueshme. Edhe qeveritë janë duke i shikuar rregullat rreth detyrave të mirëbesimit qeveritar (fiduciary duties), qeverisjes dhe raportimit për t’u marrë me këto dështime në treg në sistemet tona financiare.
Plani Investues për Evropën adreson saktësisht këtë element. Fondi Evropian për Investime Strategjike (EFSI), zemra e planit investues, ka një pikësynim të përgjithshëm që të mobilizojë investimin e së paku 315 miliardë € në Evropë gjatë tri viteve, me një investim të paraparë prej 50 miliardë € tashmë të filluar kah fundi i vitit 2015. Investimet nga EFSI do të ndihmojnë ngritjen e financave private, sidomos në zonat ku bankat komerciale ngurrojnë të përfshihen. Nga 54 projekte, që Banka Investuese Evropiane i ka para- zgjedhur për financim nga EFSI gjithsej 18 janë projekte mjedisore. Ky është inovacion i vërtetë.
Mjetet tjera si instrumenti për financim të kapitalit natyror po e tejkalojnë nënvlerësimin e kapitalit natyror dhe eksploatojnë potencialin e shërbimeve të eko-sistemit, ndërsa disa vende anëtare po e shtrojnë rrugën për lansimin e fletë-obligacioneve të gjelbra.
Gjithashtu thuhet që “lidershipi është një investim që paguhet”. Ky gjithsesi është rasti kur shikojmë lidershipin mjedisor siç e kemi parë viteve të fundit. Ndërmarrjet që më së miri i kanë qëndruar stuhisë së recesionit janë ato që kanë dëshmuar lidership, kanë përqafuar shqetësimet mjedisore dhe investuar në projektet që shikojnë përpara.
Në BE, industritë e gjelbra janë rritur për më se 50 për qind ndërmjet viteve 2000 dhe 2011, ndërsa vendet e punës në mallra dhe shërbime mjedisore janë rritur nga 2.9 në 4.3 milion ndërmjet viteve 2000 dhe 2012.
Ekonomia qarkore është një rast i tillë. Nëse planifikohen si duhet, modelet e ekonomisë qarkore mund të mundësojnë një fitim të trefishtë. Ka përfitime ekonomike që mund të bëhen në mënyrë më efikase nga përdorimi i lëndëve të para dhe resurseve dhe duke u varur më pak nga importi.
Ka përfitime mjedisore duke u larguar nga ekonomia lineare, ku hedhim produkte që mund të riparohen ose riciklohen. Ka përfitime sociale që mund të bëhen nga produktet më të qëndrueshme në kohë dhe më efikase, nga parandalimi i krijimit të mbetjeve, përmirësimit të mëtejmë të menaxhimit lokal të mbetjeve, riciklimi, riparimit dhe shërbimeve të ri-përdorimit. Pa i përmendur mundësitë e konsiderueshme për punësim shtesë që krijohen duke lëvizur tutje drejt ekonomisë qarkore.
Që këto ndryshime të ndodhin vërtetë, duhet të ofrojmë kushtet kornizë për besimin e investitorit, dhe duhet ta drejtojmë sistemin financiar drejt projekteve të qëndrueshme, jo vetëm për mallra dhe shërbime të gjelbra, por të financojmë zgjidhje të qëndrueshme në bujqësi, industri, energji, ujë, ndërtimtari, transport, kanalizim dhe shumë fusha tjera.
Në secilën ditë të Javës së Gjelbër do ta bëjmë njërën nga pyetjet në vijim.
• Si mund t’i bëjmë qytetet vende më të mira për të jetuar?
• Si përkujdesemi që fshatrat tona të mbesin të shëndosha dhe produktive në afat të gjatë?
• Si i financojmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë të ardhmen tonë të gjelbër?
• Si përkujdesemi që oqeanet tona janë të shëndosha dhe produktive në afat të gjatë?
• Si mund ta sigurojmë prosperitetin afatgjatë dhe mirëqenien e brezave të ardhshëm?
Bashkimi Evropian ka qenë në ballë të përpjekjeve për të ndërtuar një sistem financiar i cili përkrahë zhvillimin e qëndrueshëm; por ende ka shumë për t’u bërë. Nëse i kombinojmë të gjitha përpjekjet tona dhe mendjet kreative, me siguri që mund të dalim me përgjigje në këto pyetje dhe së bashku të zotohemi që të ndërmarrim një numër hapash për të investuar në një të ardhme më të gjelbër.
Shpresoj se Java e Gjelbër për ju do të jetë frymëzim dhe që do t’i bashkoheni shumë dialogëve dhe bisedave kudo që jeni dhe me çfarëdo kohe që mund ta investoni.
Karmenu Vella është Komisionere Evropiane për Mjedis, Çështje detare dhe Peshkatari.
* Ky artikull është botuar së pari në
http://www.timesofmalta.com/articles/view/20160530/opinion/green-leadership-an-investment-
that-pays.613741