Gusht 27, 2022 | Saturday
“Jetë e lehtë” – drama komike-melankolike e cila tregon historinë e një fëmije 14-vjeçar dhe miqve të tij që përpiqen të ndihmojnë një emigrant të paligjshëm, ishte filmi i parë që u shfaq në natën e parë të Festivalit të Filmit Evropian në Kosovë. Filmi mblodhi shumë adhurues në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, të cilët shijuan dramën komike italiane, të drejtuar nga Orso dhe Peter Miyakawa.
Edicioni i katërt i festivalit i cili u organizua nga Shtëpia e Evropës në Kosovë dhe i mbështetur nga Bashkimi Evropian solli filma të njohur evropianë të cilët u zgjodhën nga baza e pasur e të dhënave të CineEuropa-s. Vedat Shehu – Menaxher i eventeve në Shtëpinë e Evropës në Kosovë, i cili ishte i përfshirë në përzgjedhjen e filmave, thotë se janë munduar të sjellin te publiku kosovar filma që diskutojnë çështje të përbashkëta sociale.
“Filmat që zgjodhëm të shfaqim nga CineEuropa, diskutojnë tema universale dhe ekzistenciale si dashuria, jeta dhe vdekja, por edhe shqetësimet e përbashkëta me të cilat përballemi sot të gjithë ne si qytetarë të botës. Të tilla si migrimi, papunësia, dhuna në familje, shoqëria dhe të tjera” – thotë Shehu.
Në tri netët e mbetura, adhuruesit e filmit në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, në Qendrën Kulturore ‘7 Arte’ dhe në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut, patën rastin të shikojnë filmat: “Mendimet e mia janë të heshtura”, “Puna e saj” dhe “Edhe minjtë i përkasin Parajsës.”
Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të mbështetur kulturën në Kosovë, Festivali i Filmit Evropian në Kosovë mbështetet nga Bashkimi Evropian në Kosovë.