Dhjetor 2, 2022 | Friday
Jo më larg se një muaj më parë, u shpall gjenerata e tretë e Ambasadorëve të Rinj Evropian. Pas procesit të votimit elektronik, Agmie Osmani, psikologe dhe punëtore sociale u zgjodh si një nga nëntë ambasadorët e rinj evropianë të gjeneratës së tretë nga Kosova.
Agmija e përshkruan veten si një aktiviste sociale, e përkushtuar për kauzën e sjelljes së drejtësisë sociale për njerëzit në Kosovë. Ajo thotë se që kur ishte e vogël i pëlqente të ndihmonte njerëzit. Rritja e mirëqenies së njerëzve në Kosovë, veçanërisht atyre të grupeve të margjinalizuara, mbetet objektivi kryesor i Agmies, dhe tani duke iu bashkuar rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropiane në Kosovë, rajon dhe Evropë, ajo mendon se do të jetë një mundësi dhe platformë ideale për ta arritur qëllimin.
Ajo është themeluese e një OJQ-je dhe është aktive në aktivitete dhe projekte të shumta që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë, rritjen e kapaciteteve në fusha të ndryshme e të tjera. Agmija është pjesë e Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane, ku është e fokusuar në projekte që kanë të bëjnë me arsimin dhe qeverisjen e mirë.
Gjithashtu, ajo është pjesë e grupit të trajnerëve të OSBE-së, i cili është një program që trajnon dhe fuqizon trajnerë të rinj në fusha të ndryshme, në mënyrë që ata të kontribuojnë në llojet e ndryshme të punës. Për sa i përket programeve të OSBE-së, ajo është studente e Akademisë së Dialogut për Gratë e Reja.
Së fundmi ajo ishte pjesëmarrëse në Forumin Botëror të Demokracisë: Shpresa e Re, si pjesë e delegacionit të Shkollës Politike të Kosovës. Atje ajo pati rastin të shihte dhe të takonte shumë njerëz që punojnë aktivisht në mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. E ardhur nga një vend i ri si Kosova që synon të arrijë vlerat demokratike dhe vlerat evropiane, ajo e sheh pjesëmarrjen e saj si jashtëzakonisht të rëndësishme dhe fuqizuese.
Vitin e kaluar, Agmija themeloi një OJQ të quajtur Organizata për Integrim dhe Zhvillim Social “Follow Up”, e cila ofron shërbime (ri)integrimi për komunitetet e margjinalizuara, me fokus në gratë dhe fëmijët e prekur nga dhuna. Si organizatë, ata synojnë të sigurohen që askush të mos jetë i detyruar të jetojë në kushte të dhunshme dhe jo të shëndetshme, për shkak të mungesës së mundësive dhe mbështetjes.
Së fundmi ajo u përzgjodh si ambasadore e re evropiane dhe ndihet shumë e lumtur që është pjesë e këtij komuniteti, pasi kjo do t’i lejoj të çojë aktivizmin e saj në një nivel tjetër. Si një YEA, ajo planifikon të vazhdojë punën e saj për mbrojtjen e komuniteteve të cenueshme dhe ofrimin e mundësive për ata që kanë nevojë për to. Ajo do të punojë në mënyrë aktive për barazinë gjinore, parandalimin e dhunës, abuzimit dhe shërbimet e integrimit.
Qëllimi kryesor në karrierën e saj është të kontribuojë në sektorin e mirëqenies sociale dhe punës sociale në Kosovë.