Janar 6, 2023 | Friday
Viti 2022 ka qenë Viti Evropian i Rinisë. Si në mbarë Evropën, ashtu edhe në Kosovë, ne i kemi fuqizuar dhe u kemi dhënë hapësirë të rinjve, në mënyrë që së bashku me ta të ndërtojmë një të ardhme më të gjelbër, më gjithëpërfshirëse dhe më digjitale.
Ekipi i BE-së në Kosovë i ka vizituar të rinjtë në mbarë Kosovën, për t’i diskutuar mundësitë që BE-ja i ofron për ta përmes programeve të ndryshme të edukimit dhe trajnimit si dhe përmes bursave.
Me propozimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, viti 2023 është shpallur Vit Evropian i Aftësive. Pas krizës ekonomike dhe sociale që e ka shkaktuar pandemia Covid-19, Komisioni Evropian ka vendosur që të investojë në rritjen e shkathtësive dhe kapaciteteve të njerëzve, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm ta udhëheqin rimëkëmbjen ekonomike të qëndrueshme, përmes një tranzicioni të gjelbër dhe digjital.
“Duhet të përqendrohemi shumë më shumë në investimet tona në aftësim profesional dhe ngritje të shkathtësive profesionale. Duhet të bashkëpunojmë më mirë me kompanitë, sepse ato e dinë më së miri se çka u duhet. Dhe duhet që këto nevoja t’i përshtatim me aspiratat e njerëzve. Por ne gjithashtu duhet t’i tërheqim shkathtësitë e duhura në kontinentin tonë, shkathtësitë që u ndihmojnë kompanive dhe e forcojnë zhvillimin e Evropës”.Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian
BE-ja në Kosovë do ta fillojë vitin 2023 aty ku e kemi lënë, duke i fuqizuar të rinjtë dhe punëtorët në përgjithësi. Shtëpia e Evropës në Kosovë, gjatë tërë vitit 2023, në fokus kryesor do ta ketë rritjen e kapaciteteve dhe shkathtësive të të rinjve dhe fuqisë punëtore, përmes aktiviteteve të ndryshme, siç janë mastërklasat, punëtoritë e të tjera. BE-ja vazhdon t’i mbështesë të rinjtë dhe sipërmarrësit e Kosovës që t’i përvetësojnë shkathtësitë dhe njohuritë e nevojshme për t’u përballur me sfidat në tregun e punës dhe t’u ndihmojë bizneseve kosovare drejt një rimëkëmbjeje ekonomike të qëndrueshme.