Korrik 29, 2016 | Friday
Nga Arlinda Beka, drejtoreshë në Arsimi Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm
Edukimi për Zhvillim të Qëndrueshëm ka hyrë në agjendën e shoqërisë kosovare, ndonëse duke ndjekur trendet globale, pa shumë bujë dhe thuajse pa vërejtur. Në vende të ndryshme të botës të nxitura nga shpallja e dekadës së EZhQ 2005-2015 nga UNESCO, EZhQ-ja është kthyer në agjenda kombëtare që projekton zhvillim të qëndrueshëm. Edhe Kosova ka filluar të përfshijë EZhQ në dokumentet e rëndësishme të politikave të zhvillimin dhe të edukimit. Këtë vit, dy dokumente të rëndësishme si: Strategjia Kombëtar për Zhvillim dhe Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2017-2021, përfshijnë parimet e edukimit për zhvillim të qëndrueshëm.
Ne, si Kosovo Education for Sustainable Development (KESD), jemi shumë të lumtur që kemi dhënë një kontribut në promovimin e EZhQ në Kosovë. Në pesë vjet ekzistencë, ne nuk kemi arritur tërë çfarë kemi synuar – meqë kemi edhe shumë për të bërë. Megjithatë, kemi ndihmuar që qëndrueshmëria të jetë jo vetëm në fjalorin e politikanëve në kohë zgjedhjesh. Jo vetëm pjesë e shkrimeve të rretheve akademike si dëshmi se janë në rrjedhat bashkëkohore globale. Dhe, jo vetëm si një prej çështjeve që preokupon ambientalistët të etur të ruajnë mjedisin. KESD, së bashku me organizata dhe individ të tjerë kemi arritur që EZhQ-në, ta fusim në të gjitha këto rrafshe, në nivele politike, botën akademike, shkolla, shoqëri civile, bile duke nxitur edhe qytetari aktive në fushata të ndryshme, si p.sh për ruajtjen e ambientit. EZhQ, sot njihet botërisht si Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 2015-2030 të deklaruara nga Kombet e Bashkuar.
Secila nga 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm është e rëndësishme por unë duke qenë profesor dhe pedagoge në Universitetin e Prishtinës e shohë objektivin katër, “Edukimi cilësor” të një rëndësie të veçantë. Edukimi cilësor është kyç për të realizuar objektivat e tjera. Edhe në Kosovë ndryshimi duhet të vijë nëpërmjet ndryshimeve në edukim. Studiuesi gjerman Gerhard de Haan në shkrimin e tij “The BLK ‘21’ programme in Germany: a ‘Gestaltungskompetenz’- based model for education for sustainable development” konstaton se çdo përpjekje drejt zhvillimit të qëndrueshëm duhet të ketë edukimin si pikënisje. Apo edhe David Orr i cili në librin e tij “Earth in Mind” sugjeron gjashtë parimet e tij të edukimit në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm: ”Edukimi si edukimin mjedisor, Edukim si një mënyrë për të zotërimin e personalitetit; Edukimi si mënyrë e përgjegjshme përkujdesjes ndaj botës, Edukimin si një mënyrë për të kuptuar ndikimin e njohurive të njerëzve dhe komuniteteve në jetën reale, Edukimi si mënyrë shembullore e mësimdhënies, dhe Edukimi si lidhje më botën e vërtetë”. Edhe në Kosovë edukimi është rruga për zhvillim të qëndrueshëm duke filluar që nga edukimi në fëmijërinë e hershme e deri në atë universitar. Sepse zhvillimi i një shteti varet nga cilësia e mësimdhënësve dhe edukimi i fëmijëve. Për një shoqëri aktive dhe ambient të shëndetshëm e cila mund të jetë burim i të mirave jetësore për fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve. Kjo është fusha në të cilën fokusohet KESD.