Mars 24, 2023 | Friday
Mihane Beqiri sfidon nocionin se mosha nuk ta lejon të sjellësh ndryshime pozitiv në botë. Si diplomate e re, aktiviste mjedisore dhe poliglote që flet rrjedhshëm pesë gjuhë, ajo tashmë ka lënë shenjën e saj si përfaqësuese e Kosovës në evente të shumta botërore. Dhe gjithçka e ka arritur ndërkohë që është vetëm 22 vjeçare.
Rrugëtimi i Mihanes, e cila është studente e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge në Universitetin e Prishtinës, si përfaqësuese zyrtare nga Kosova në Organizatën Botërore të Prosperitetit (WPO) i ka rrënjët në një konferencë online të fokusuar në rolin e të rinjve në diplomacinë ndërkombëtare.
Në një moment u ngrit çështja e mosnjohjes së Kosovës nga disa shtete të Amerikës Latine dhe u vendos që të krijohej “një Ambasadë virtuale”. Ky rol kërkon bashkëpunim me institucionet e Kosovës për të vendosur marrëdhënie diplomatike me vendet e Amerikës Latine që ende nuk e njohin Kosovën. Si studente, ajo kuptoi rëndësinë e shkëmbimit ndërkulturor dhe përfitimet e udhëtimit për të përjetuar kultura të ndryshme.
Si ambasadore e Kosovës në ambasadën virtuale, Mihania dëshiron të sigurohet që të dëgjohet zëri i të rinjve dhe të përmbushet kërkesa e tyre për të udhëtuar pa barriera kudo në botë.
Por pasioni i Mihanes për punë të dallueshme shkon përtej diplomacisë. Ajo është gjithashtu një aktiviste për të drejtat e njeriut dhe anëtare e Aleancës Rinore Botërore të themeluar në Belgjikë. Ajo thotë se ka shumë gjëra për të bërë, veçanërisht në fushën e të drejtave të grave dhe disa të drejtave fetare.
Aktivizmi mjedisor është një fushë tjetër që Mihania e ka për zemër. Në moshën 19 vjeçare ajo filloi të riciklonte tesha dhe të prodhonte çanta prej tyre. Por marrëdhënia e saj me natyrën nuk mbaron me kaq. Fshati Bajgorë i komunës së Mitrovicës prej nga vjen ajo, ka florë të pasur me shumë lloje të luleve nga familje të ndryshme të bimëve. Kështu, ajo filloi të krijojë një herbarium për të mbledhur dhe identifikuar këto specie dhe bimë dhe gjithashtu për të prodhuar parfume artizanale.
Veç kësaj, si anëtare e Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës, ajo aktualisht është duke lobuar për të pasur më shumë opsione vegane dhe vegjetariane në dispozicion të studentëve në mensën e Qendrës së Studentëve.
Pavarësisht angazhimit të saj të mirëfilltë në përfaqësimin dhe aktivizmin e të rinjve, Mihania mundet të krenohet edhe me aftësinë e saj për të folur pesë gjuhë që në moshë të re: anglisht, frëngjisht, italisht, turqisht dhe hindi. Për shembull, aftësitë e saj në frëngjisht kanë dhënë tashmë një kontribut të rëndësishëm duke e vendosur Kosovën në hartë. Dy vjet më parë, ajo dëshironte të merrte pjesë në një konkurs poezie në frëngjisht, por Kosova nuk ishte e listuar në mesin e vendeve. Pas dy javësh me shkëmbime të email-eve dhe mesazheve në Facebook me organizatën organizatore të konkursit, “Chansons sans Frontières” nga Franca, më në fund ata vendosën të shtojnë Kosovën.
Mihania e sheh të ardhmen e saj në diplomaci si një mundësi për ta përmirësuar imazhin e Kosovës, si një vend relativisht i ri që nënvlerësohet dhe injorohet në komunitetin global. Ajo dëshiron të sigurohet që imazhi i Kosovës të shihet dhe vlerësohet në mbarë botën.