Mars 24, 2023 | Friday
Për zbutjen e efekteve të krizës energjetike Komisioni Evropian ka siguruar një pako të mbështetjes energjetike prej 1 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Për t’i kuptuar më mirë përfitimet e Pakos së Mbështetjes Energjetike, folëm me Flamur Junuzin, Asistent për Politika i BE-së në Kosovë.
EH: Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, nënshkruan një marrëveshje financimi që do t’i mundësojë BE-së t’i transferojë Kosovë 75s milionë euro si ndihmë direkte financiare, si pjesë e Pakos së Mbështetjes Energjetike të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Si do ta ndihmojë kjo mbështetje Kosovën për ta kapërcyer krizën energjetike dhe çmimet e ngritura të energjisë?
FJ: BE-ja u përgjigj me shpejtësi dhe mobilizoi 75 milionë euro mbështetje buxhetore për ta ndihmuar Kosovën në planin afatshkurtër për ta kapërcyer ndikimin e krizës energjetike. Kjo është pjesë e mbështetjes imediate prej 500 milionë eurosh për të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor. Mbështetja për Kosovën është dizajnuar në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kosovës dhe synon të shërbejë si tampon për çmimet e energjisë dhe ndikimin e tyre në veçanti në amvisëritë e cenueshme dhe bizneset, me fokus të veçantë në promovimin e efiçiencës së energjisë.
Pakoja e Mbështetjes është dizajnuar për të adresuar nevojat dhe prioritetet e Kosovës dhe përfshin një sërë të masave:
– Mbështetje e drejtpërdrejtë e njëhershme financiare për amvisëritë në nevojë për t’u ndihmuar të paguajnë faturat e tyre të energjisë ose për subvencionim të derivatit prej biomase që u nevojitet për ngrohjen e shtëpive të tyre;
– Stimujt financiarë për amvisëritë për kursim të energjisë;
– Subvencione për i) rinovim të fasadës/dritareve/dyerve të ndërtesës, ii) instalim teknologjive efiçiente të ngrohjes dhe pajisjeve efiçiente shtëpiake, dhe iii) instalim të paneleve solare. Kjo masë synon të ulë konsumin e energjisë dhe faturat e energjisë.
– Mbështetje për biznese mikro, të vogla dhe të mesme për të investuar në teknologji me efiçiencë të energjisë dhe instalime solare.
Pakoja e mbështetjes është e fokusuar në efiçiencën e energjisë si një metodë relativisht e lirë për ulje të kërkesës për energji dhe ndotjes. Për më tepër, efiçienca e energjisë konsiderohet si shtyllë kyçe në përmirësimin e sigurisë energjetike, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Ajo sjell edhe përfitime të rëndësishme sociale duke ulur faturat e energjisë dhe duke përmirësuar nivelet e komfortit të brendshëm nëpërmjet përmirësimit të ngrohjes.
EH: Cilat janë fazat kryesore të përfshira në shpërndarjen e kësaj pakoje?
FJ: Qeveria ka miratuar një Plan Veprimi për zbatimin e pakos, i cili përmban edhe disa tregues të nevojshëm për reformimin e sektorit energjetik. Treguesit përfshijnë miratimin/zbatimin e strategjive, ligjeve dhe rregulloreve për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit energjetik në Kosovë.
Pakoja e mbështetjes do të disbursohet në dy këste fikse. Kësti i parë prej 67.5 milionë eurosh, ose 90% e totalit, është transferuar tashmë në buxhetin e Kosovës. Kësti i dytë fiks prej 7.5 milionë eurosh, ose 10% e totalit, do të transferohet pas arritjes së progresit nga qeveria në zbatimin e masave dhe reformën e politikave të sektorit energjetik.
EH: Cilët janë sektorët kryesorë që do të përfitojnë më shumë nga kjo pako?
FJ: Kriza energjetike po shkakton sfida të sigurisë së furnizimit, duke shkaktuar çmime jashtëzakonisht të larta të energjisë dhe mallrave bazë, duke e ekspozuar sistemin e brishtë dhe jo të besueshëm energjetik të Kosovës. Përshpejtimi i adoptimit të burimeve të ripërtërishme dhe efiçiencës së energjisë mbetet zgjidhja më e mirë e Kosovës për sigurinë tonë energjetike dhe ambiciet tona klimatike. Në Kosovë nevojiten investime madhore për ta përmirësuar efiçiencën e energjisë dhe rritje e shkallës së investimeve në burime të ripërtërishme.Pakoja do t’i shërbejë këtij qëllimi dhe do të kontribuojë në përshpejtimin e investimeve për efiçiencën e energjisë, burimet e ripërtërishme dhe teknologjitë e qëndrueshme.
Përveç pakos energjetike, BE-ja po mbështet tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës përmes dy projekteve të mëdha të gjelbra: I) Solar4Kosovo – Impianti Fotovoltaik 100 MW në KEK me vlerë të përgjithshme prej 103 milionë eurosh, dhe; II) Solar4Kosovo II – Ngrohtorja Solare e Qytetit me vlerë të përgjithshme prej 76 milionë eurosh. Të dy projektet do të marrin një grant prej 55 milionë eurosh nga Komisioni Evropian dhe do të kontribuojnë për kalimin nga thëngjilli në energji të qëndrueshme të gjelbër, si çelësi për uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe ndotjes së ajrit.
EH: Kriza i ka prekur më fort ekonomitë dhe komunitetet që veç janë në pozitë të pafavorshme dhe të cenueshme. Si parashikohet që kjo pako t’u ndihmojë qytetarëve që kanë më shumë nevojë?
FJ: Një nga objektivat kryesore të pakos është t’u jepet ndihmë grupeve më të cenueshme të shoqërisë dhe atyre që janë prekur më shumë nga kriza energjetike. Me të drejtë theksoni se pasojat e krizës ndjehen veçanërisht nga amvisëritë me të hyra të ulëta dhe bizneset e vogla. Pakoja do t’u ndihmojë rreth 200,000 amvisërive, duke përfshirë amvisëritë në skemën e ndihmës sociale, pensionistët dhe nënat vetë-ushqyese, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për të mbuluar një pjesë të faturave të tyre të energjisë dhe një pjesë të shpenzimeve për ngrohje alternative. 160,000 familje të tjera do të përfitojnë nga subvencionet e energjisë për përpjekjet e tyre për kursim të energjisë.
Grupet e cenueshme priren të shpenzojnë më shumë për energji elektrike pasi jetojnë në ndërtesa të izoluara dobët, pa ngrohje efiçiente ose panele solare në kulmet e tyre. Për ta adresuar këtë, rreth 22,000 familje do të marrin mbështetje për izolimin termik dhe instalimin e pajisjeve me efiçiencë të energjisë. Për më tepër, rreth 1000 biznese të vogla në Kosovë do të marrin subvencione për instalimin e sistemeve të ngrohjes me efiçiencë të energjisë dhe burimeve të ripërtërishme të energjisë.
EH: Cilat janë pritjet tuaja për të ardhmen pas zbatimit të kësaj pakoje?
FJ: Pakoja ofron mbështetje substanciale për zbutjen e efekteve të krizës në planin afatshkurtër, ndërsa qeveria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të siguruar financim të qëndrueshëm për masat për efiçiencë të energjisë. Është e nevojshme të zhvillohen modele të qëndrueshme financimi në të gjithë sektorët, si dhe mekanizma të përshtatshëm të ofrimit për rritjen e investimeve në efiçiencë të energjisë. Kjo mbështetje është fillim i mbarë dhe presim që qeveria të vazhdojë zbatimin e masave të ngjashme në të ardhmen. BE-ja është e përkushtuar që të vazhdojë mbështetjen për Kosovën për rritjen e sigurisë energjetike përmes investimeve në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtërishme.