Prill 28, 2023 | Friday
Secili nxënës, duke përfshirë edhe ata të cilët nuk e kanë biologjinë lëndë të preferuar, e di se qeliza është njësia themelore dhe më e vogël, që është përgjegjëse për të gjitha proceset e jetës. Sidoqoftë, në këtë shkrim nuk do të flitet për nocione biologjike apo ndonjë shkencë të natyrës. Qeliza është shprehja që ka gjetur vend në emërtimin e bursës së Bashkimit Europian (me bashkëfinancim të Qeverisë së Kosovës), që ndahet për studentë të dalluar kosovarë.
Young Cell Scheme (YCS), nga viti 2004, ua mundëson disa studentëve kosovarë edukimin në universitete prestigjioze të shteteve të BE-së. Këtë vit, në mesin e tyre jam dhe unë. Kështu, pas një përvoje 4-vjeçare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, do të kem mundësi t’i ndjek studimet e nivelit Master në një universitet brenda BE-së. Në këtë hapësirë gjeografike kanë jetuar juristët më eminentë dhe kanë lindur idetë më revolucionare në fushën e gjerë të drejtësisë. Me pak fjalë, do të kem mundësi të studioj atje ku janë vënë gurëthemelet e shkencave juridike.
Të studiuarit atje, përveç se do të ma mundësojë kontaktin me profesorë të shquar, qasjen në biblioteka e revista të pasura shkencore, shoqërimin me të rinj nga vende të ndryshme, gjithashtu do të më ofrojë mundësi të shoh nga afër stilin Perëndimor të të jetuarit dhe të mësoj shumë nga ai. Pra, nga kjo bursë pres që, përveç ekspertizës, të më pasurojë edhe kulturalisht. Kthehemi sërish te titulli: çka është qeliza? Është diçka për të cilën kemi nevojë ekzistenciale dhe pa të cilën nuk mund të funksionojmë. Për Kosovën, qelizë është një student kosovar që shkon për të studiuar në Europë, pasurohet shumë me dije dhe kulturë, pastaj kthehet në vendlindje dhe kontribuon për ta përmirësuar gjendjen në vend. Unë kam kënaqësinë të jem përfitues i kësaj burse, por kënaqësia bëhet edhe më e madhe kur kam parasysh se përfituese do të jetë mbi të gjitha Kosova, së cilës do t’i shërbej me krenari. Kam besim se në të ardhmen e afërt Kosova do të jetë anëtare e Këshillit të Europës dhe qytetarët tanë do të kenë mundësi t’i drejtohen Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Mendimet e tilla më mbushin me vullnet për të qenë sa më i përkushtuar në studimet që më presin, në mënyrë që të fitoj ekspertizë në fushën e të drejtave të njeriut dhe gjithë dijen ta përdor në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Albert Kamy shkruante se të gjitha mendimet e veprat e mëdha e kanë një fillim të thjeshtë. Uroj që YCS të jetë për mua një fillim i thjeshtë i mendimeve e veprave të mëdha!