Maj 8, 2023 | Monday
Bëhuni gati për të festuar Ditën e Evropës 2023! Më 9 maj, do të përkujtojmë Deklaratën e Shumanit të vitit 1950, si dhe solidaritetin dhe unitetin midis vendeve anëtare të BE-së. Institucionet e BE-së në Kosovë i bashkohen festimeve me një sërë aktivitetesh, që u japin qytetarëve mundësinë për të zbuluar dhe përjetuar Bashkimin Evropian.
Gjatë gjithë muajit maj, ngjarjet me fokus tematik në Vitin Evropian të Shkathtësive do të theksojnë rëndësinë e zhvillimit të shkathtësive dhe energjisë së gjelbër në të ardhmen e Kosovës. Këto ngjarje ngazëllyese do t’i fuqizojnë profesionistët e rinj me shkathtësitë e burimet që u nevojiten për të pasur sukses në tregun e sotëm të punës. Nga panelet diskutuese me ekspertë të nivelit të lartë deri te panairet e punës dhe mundësitë e rrjetëzimit, përfaqësues nga BE në Kosovë, programet e BE-së, projektet e financuara nga BE-ja dhe organizatat lokale do të jenë që të gjithë aty për të mbështetur dhe frymëzuar gjeneratën e ardhshme të liderëve.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të eksplorojnë një gamë të gjerë të shkathtësive, tradicionale dhe moderne, që kërkohen në tregun e punës. Nga pikturimi te qepja, dhe gjithçka midis tyre, ata do të mësojnë për projektet e financuara nga BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, që po sjellin ndryshimin e vërtetë në Kosovë. Ndërsa për nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e universiteteve, do të ketë një sërë punëtorish për shkathtësitë e jetës dhe gatishmërinë për karrierë, që mbulojnë gjithçka, nga komunikimi dhe zgjidhja e problemeve deri te lidershipi dhe menaxhimi i kohës. Qëndroni të informuar për të gjitha ngjarjet që ndodhin duke na ndjekur këtu.
9 maji do të vijojë me:
Festa do të fillojë me një projekt artistik “Duke fuqizuar një të ardhme më të ndritur: Murali për energji të mirë”. Ky mural, krijuar nga një ekip artistësh të talentuar, synon të rrisë vetëdijen për energjinë e ripërtërishme, si dhe rolin e saj vendimtar në ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme. Do të shihni vepra arti në shkallë të gjerë e që shfaqin forma të ndryshme të energjisë së ripërtërishme, si energjia diellore, era dhe hidrocentralet. Jo vetëm që ky mural do t’i shtojë një vlerë estetike ndërtesës së BE-së në Kosovë dhe rrethinës, por do të shërbejë edhe si simbol i shpresës për një të ardhme më të pastër dhe më të ndritshme. Kliko këtu.
Kjo nuk është e gjitha! Nëse po kërkoni të zhvilloni shkathtësitë tuaja krijuese dhe të eksploroni anën tuaj artistike, mos e humbisni Masterklasën për artin e rrugëve. Ky sesion interaktiv do të zhvillohet njëkohësisht në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut, si dhe do të udhëhiqet nga artistë me përvojë. Do të mësoni rreth historisë dhe rëndësisë kulturore të artit të rrugës, ndërsa do të fitoni njohuri mbi procesin artistik të krijimit të veprave tuaja të artit të rrugës. Qoftë nëse jeni artist me përvojë apo fillestar, kjo është mundësi fantastike për të rritur shkathtësitë tuaja dhe për të lënë kreativitetin tuaj të shkëlqejë. Kliko këtu.
Me kalimin e ditës, festimet vazhdojnë me ekspozitat e para nga seria e Valës së Re, me ekspozitën “Shënime: Imazhe” me punën e katër artistëve të talentuar kosovarë: Besfort Syla, Arrita Katona, Zana Begolli dhe Qazim Gashi. Nëpërmjet objektivit të tyre, këta artistë dokumentojnë nënkulturat, eksperimentojnë me mediumin e kamerës dhe shtyjnë kufijtë e roleve tradicionale gjinore. Ekspozita merr frymëzim nga vepra kryesore e Susan Sontag “On Photography” (Për fotografinë), që eksploron fuqinë dhe kufizimet e fotografisë si medium për përfaqësimin e realitetit. Sigurohuni që të ndaleni dhe të shihni vetë se si këta artistë sfidojnë normat gjinore përmes fotografisë së tyre. Kliko këtu.
Në Mitrovicën e Veriut do të ketë ekspozitë të quajtur “Arti Rinor për Energji të Mirë” me vepra të fëmijëve të moshës 5 deri në 13 vjeç. Veprat artistike u krijuan gjatë punëtorisë së mbajtur së fundmi “Të ngjyrosësh me energji të mirë”, organizuar nga Shtëpia e Evropës në Mitrovicën e Veriut dhe OJQ-ja Akvarijum. Kjo ekspozitë shërben si platformë për të edukuar e frymëzuar shikuesit mbi rëndësinë e jetesës së qëndrueshme dhe mbrojtjen e mjedisit, ashtu siç shihet nga artistët e rinj. Kliko këtu.
Në fund të ditës, bëhuni gati për t’u rrëmbyer nga muzika e bukur e pianistit dhe dirigjentit të njohur Epifanio Comis në Koncertin e Hapjes së Ditës së Evropës dhe të Shopenit, mbajtur në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë. Kjo ngjarje e veçantë, e organizuar në bashkëpunim me Shtëpinë e Evropës, është nderim i trashëgimisë kulturore evropiane dhe festë goxha e goditur për Ditën e Evropës 2023. Kliko këtu.
Dhe pjesa më e mirë? Festimi i Ditës së Evropës nuk do të përfundojë me kaq. Gjatë gjithë muajit, do të ketë një sërë ngjarjesh në Prishtinë, Gjakovë, Prizren dhe Mitrovicë të Veriut, që përfshijnë artin, zhvillimin e shkathtësive, diskutime, argëtim dhe sport. Pra, shënoni kalendarët tuaj, merrni miqtë dhe familjen tuaj dhe bashkohuni në argëtim!