Gusht 18, 2023 | Friday
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit Anibar, festivali i vetëm i animacionit në Kosovë, i hapi edhe një herë dyert këtë verë, duke bashkuar krijues dhe mbështetës të pasionuar të animacionit. Festivali ka evoluar përgjatë viteve, duke kontribuar në çeljen dhe rritjen e industrisë së animacionit në Kosovë duke promovuar animacionin si një formë arti, dhe si një mjet për të rritur vetëdijesimin për çështjet shoqërore.
Si një nga ngjarjet kulturore më të rëndësishme në vend dhe vend takimi i industrisë së animacionit në rajon, festivali krenohet me një rrjet të gjerë të vullnetarëve që janë bërë emblematike për komunitetin e Anibar-it. Gjatë viteve festivali është përkrahur nga BE-ja përmes projekteve të ndryshme si Promovimi i trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës dhe Hapësirat Kulturore të Kosovës. Këtë vit, festivali mirëpriti edhe pjesëmarrjen e Ambasadorëve të Rinj Evropianë si pjesë e rrjetit të tyre të vullnetarëve.
Zhvilluam një bisedë me Andrra Anadollin, menaxhere projekti në Anibar, për kulturën e vullnetarizmit të festivalit dhe ndikimin e tij më të gjerë në komunitet.
EH: Sa integrale janë vullnetarët për qëndrueshmërinë dhe suksesin e vazhdueshëm të festivalit?
AA: Vullnetarët janë pjesë integrale e organizimit të festivalit. Përfshirja e vullnetarëve në organizimin e rreth 100 aktiviteteve përgjatë javës së festivalit në 17 departamente të ndryshme duke filluar nga media, produksioni teknik, programet e edukimit, kinematë, programet speciale e mikpritja, tregon se si vullnetarët janë pjesa thelbësore për qëndrueshmërinë dhe suksesin e festivalit. Përpjekja kolektive e vullnetarëve nëpër këto departamente bënë të mundshëm organizimin e suksesshëm të festivalit.
EH: A mund të përshkruani një situatë ku festivali u përball me sfida që u tejkaluan me ndihmën e vullnetarëve?
AA: Kinemaja “Jusuf Gervalla” në Pejë në vitin 2016 u përball me sfidën për privatizim nga Agjencia Kosovare e Privatizimit. Anibar në bashkëpunim me vullnetarët e festivalit, organizuan një peticion që mblodhi mbi 6000 nënshkrime per ndalimin e këtij procesi.
Gjatë gjithë viteve, vullnetarët kanë qenë një aspekt shumë i rëndësishëm i festivalit, duke kontribuar vazhdimisht në departamente të ndryshme me kapacitetet e tyre. Përkushtimi dhe mbështetja e tyre tani shtrihet përtej peticionit, duke ndihmuar në mënyra te ndryshme për të ruajtur rëndësinë kulturore të kinemasë.
Falë përpjekjeve kolektive të vullnetarëve dhe komunitetit, Kinemaja Jusuf Gervalla tani është në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore si dhe ka një program aktiv vjetor të aktiviteteve kulturore që rrisin gjallërinë kulturore të qytetit.
EH: A kanë prezantuar vullnetarët ndonjë risi apo përmirësim që janë bërë praktika standarde për festivalin?
AA: Vullnetarët e festivalit jo vetëm që kanë kontribuar me energjinë dhe krijimtarinë e tyre rinore, por kanë prezantuar edhe ide kreative që tani janë praktika standarde.
Një shembull përfshin drejtoren e tashme të festivalit. Punën në organizatën Anibar e filloi si vullnetare e festivalit ku demonstroi aftësi të jashtëzakonshme organizative. Ajo mori iniciativën për të krijuar fletë me informacione të detajuara dhe lista detyrash, duke përshkruar me përpikëri detyrat dhe përgjegjësitë. Përkushtimi i saj ndaj punës vullnetare ka bërë që ajo të ngritet vazhdimisht në pozitat organizative në ekipin e festivalit, kështu duke i integruar praktikat e saj në thelb te organizimit.
Praktika e mbajtjes së dokumenteve të mirëorganizuara dhe të detajuara ka përmirësuar shumë komunikimin midis departamenteve të festivalit dhe siguron që informacioni thelbësor të ndahet në mënyrë të saktë dhe efektive. Kjo është një dëshmi se si përkushtimi i një vullnetari mund të formësojë mënyrën se si ne veprojmë, duke përfituar të gjithë.
Kohëve të fundit, vullnetarët tanë kanë kuptuar rëndësinë e komunikimit dhe bashkëpunimit të zgjeruar. Ata prezantuan konceptin e mbajtjes së takimeve të rregullta gjatë ditëve të festivalit, duke ofruar një platformë për të gjithë për të ndarë njohuritë, sfidat dhe sukseset e tyre. Kjo praktikë ka evoluar në një traditë të dashur, duke nxitur një ndjenjë uniteti midis vullnetarëve dhe organizatorëve të festivalit. Këto mbledhje jo vetëm që përmirësojnë punën në grup, por gjithashtu ofrojnë një hapësirë për te shprehur mendimet dhe per zgjidhje të problemeve.
EH: Si ka ndikuar fryma e vullnetarizmit në kulturën dhe moralin e festivalit ndër vite?
AA: Që nga fillimi i tij, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar ka funksionuar tërësisht përmes përpjekjeve vullnetare. Për ne, përfshirja e vullnetarëve nuk kufizohet vetëm në festival; ajo shtrihet natyrshëm gjatë gjithë vitit në hapësirën e Kinemasë Jusuf Gervalla. Vullnetarët kanë një rol te rëndësishëm, duke shërbyer si një lidhje midis organizatës sonë, komunitetit dhe vizionit të festivalit.
Përmes angazhimit të pasionuar të vullnetarëve, kemi krijuar një kulturë të përkushtimit dhe bashkëpunimit. Ata ndikojnë edhe në ndjenjën e komunitetit, duke e bërë festivalin tonë jo vetëm një ngjarje artistike, por edhe një platformë për lidhje dhe shkëmbim.
Në anën tjetër, vullnetarët përfitojnë nga ky angazhim në mënyra të shumta. Pjesëmarrja në organizimin e një ngjarje të madhe u jep atyre mundësinë të zhvillojnë shkathtësitë e tyre të menaxhimit, bashkëpunimit dhe komunikimit. Në këmbim, ata ndihen pjesë e diçkaje më të madhe se vetja, duke kontribuar direkt në krijimin e një festivali të suksesshëm dhe duke ndikuar në përsosjen e tij vit pas viti.
Kjo përpjekje kolektive ndërthur komunitetin dhe vullnetarët në një marrëdhënie simbiotike. Komuniteti i ofron vullnetarëve një platformë për të ndikuar dhe kontribuar në ngjarjen kulturore të festivalit, ndërsa vullnetarët, në këmbim, japin përpjekjet e tyre me një ndjenjë të përfshirjes dhe përkushtimit ndaj komunitetit të tyre.
EH: Në çfarë mënyrash besoni se përfshirja e vullnetarëve rrit reputacionin dhe besueshmërinë e festivalit brenda komunitetit të gjerë?
AA: Përfshirja vullnetare rrit ndjeshëm reputacionin dhe besueshmërinë e festivalit brenda komunitetit të gjerë në mënyra të ndryshme. Çdo vit, një numër i konsiderueshëm i individëve të rinj, afërsisht 80 vullnetarë të moshës 16-29 vjeç nga qytete dhe komuna të ndryshme anembanë Kosovës, marrin pjesë në festivalin tonë. Angazhimi aktiv nga një grup i larmishëm vullnetarësh krijon një sinergji të fuqishme që rezonon përtej fushëveprimit të menjëhershëm të festivalit.
Së pari, entuziazmi i shfaqur nga këta vullnetarë demonstron se sa tërheqës është festivali për të rinjtë, duke forcuar rëndësinë e tij dhe duke e pozicionuar atë si një aktivitet i rëndësishëm kulturor.
Ndërsa këta vullnetarë kthehen në komunitetet e tyre përkatëse, ata mbajnë me vete jo vetëm përvojat e tyre, por edhe thelbin e festivalit. Kjo e forcon praninë e festivalit tonë, duke e portretizuar atë si një ngjarje që ka një ndikim pozitiv shumë përtej vendndodhjes së tij fizike.
EH: Si e menaxhoni mbajtjen e vullnetarëve, duke siguruar që individët të kthehen vit pas viti për të mbështetur festivalin?
AA: Pas përfundimit të çdo edicioni të festivalit, një formular vlerësimi u shpërndahet të gjithë vullnetarëve. Ky formular përfshin pyetje në lidhje me organizimin e përgjithshëm të festivalit dhe vetëvlerësimin e kontributeve të tyre ne festival.
Vështrimet e mbledhura nga ky vlerësim tregojnë vazhdimisht se një faktor kryesor që i motivon vullnetarët të ri-aplikojnë për përfshirje në të ardhmen është mundësia për të shfrytëzuar dhe zhvilluar aftësitë e tyre profesionale brenda një mjedisi të favorshëm. Liria për t’u shprehur hapur dhe cilësia e jashtëzakonshme e aktiviteteve të shtrira në qytet kontribuojnë ndjeshëm në dëshirën e tyre për të kontribuar edhe një herë në festival.
Vullnetarët gjithashtu kontribuojnë në ndjenjën e angazhimit dhe përfshirjes së komunitetit në festival. Gatishmëria e tyre për të marrë pjesë dhe për të dhënë kohën e tyre krijon një lidhje të fortë midis pjesëmarrësve, organizatorëve dhe komunitetit lokal. Kjo lidhje nxit një reputacion pozitiv për festivalin dhe inkurajon të pranishmit të kthehen përsëri në vitet në vijim.
EH: Ndërsa festivali vazhdon të evoluojë, si e shihni ndryshimin apo zgjerimin e rolit të vullnetarëve në vitet e ardhshme?
AA: Ne, si organizatorë, dikur ishim edhe vetë vullnetarë. Kjo përvojë na ka dhënë një perspektivë unike. Ne e kuptojmë pasionin dhe përkushtimin që sjellin vullnetarët dhe kjo na lejon të krijojmë një mjedis ku idetë e reja janë të mirëpritura.
Vullnetarët vazhdimisht sjellin këndvështrime të ndryshme dhe sugjerime krijuese. Duke vlerësuar këto ide, festivali ka evoluar dhe bëhet më emocionues çdo vit. Duke vazhduar të vlerësojmë vullnetarët dhe kontributet e tyre, ne sigurohem që festivali të mbetet një ngjarje e madhe e artit dhe animacionit.