Shtator 25, 2023 | Monday

Ngritja e lidershipit rinor në #ReLOaD 2

Në një rajon të pllakosur shpesh nga sfidat socio-ekonomike, Programi Rajonal për Demokracinë Lokale në Ballkanin Perëndimor (#ReLOaD) po hap një shteg drejt fuqizimit dhe ndryshimit. I mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe i administruar nga UNDP në Kosovë, #ReLOaD është funksional që nga viti 2017 dhe synon të forcojë qeverisjen lokale në gjashtë shtetet e Ballkanit 6. Programi tani është në fazën e dytë.

Teksa programi hyn në një fazë edhe më intensive, ai po përfshin gjithnjë e më shumë këndvështrimet e komuniteteve në kornizat e politikave. Theksi i programit tek lidershipi rinor dhe pjesëmarrja qytetare u mundëson zërave të margjinalizuar më parë të përfshihen dhe të kontribuojnë në qeverisjen vendore.

Një grup prej shtatë udhëheqësish rinorë të komunitetit – që përbëhet nga pesë gra dhe dy burra – janë zgjedhur nga komunat partnere për krijimin e strategjive të reja për aktivizëm në nivel bazë. Nëpërmjet dialogut me autoritetet komunale dhe punëtorive të specializuara, këta udhëheqës të rinj jo vetëm që kanë vënë në dukje shqetësimet urgjente të komuniteteve, por edhe kanë propozuar zgjidhje inovative.

Iniciativat e tyre të drejtuara nga të rinjtë përfshijnë aspekte të ndryshme të jetës në komunitet, si shëndeti mendor, sporti dhe mirëqenia, higjiena për fëmijët me aftësi të kufizuara, mirëmbajtja e hapësirës publike dhe këshillimi për karrierë. Temat qendrore si vullnetarizmi, përfshirja qytetare dhe bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve, janë paraqitur vazhdimisht në diskutimet e tyre publike.

Për shembull, një komunë pranoi nevojën për të trajtuar higjienën dentare tek të rinjtë dhe fëmijët, gjë që çoi në organizimin e një ligjërate të fokusuar.

“Këto janë iniciativa të targetuara që synojnë të zgjidhin çështje specifike, si pastërtia e lagjeve, duke aktivizuar kështu të rinjtë dhe komunitetet e tyre më të gjera”, tha Kaltrina Salihu, një eksperte monitoruese për UNDP në Kosovë.

Duke zgjeruar shtrirjen e tyre, këta udhëheqës të rinj kanë krijuar ‘njësi rinore’ brenda komuniteteve të tyre, duke përfshirë edhe më shumë anëtarë. Këto njësi bashkëpunojnë në identifikimin e problemeve dhe hartimin e zgjidhjeve përmes punëtorive të përbashkëta. Një thirrje e kohëve të fundit drejtuar OJQ-ve lokale kërkoi përafrimin e projekteve të tyre me këto prioritete të identifikuara nga komunitetet, duke siguruar një qasje me shumë nivele që çon në rezultate të zbatueshme dhe ndikim afatgjatë.

I planifikuar për të vazhduar deri në vitin 2024, #ReLOaD 2 kërkon të adresojë çështje komplekse duke filluar nga papunësia te qëndrueshmëria mjedisore. Marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë së të rinjve, programi ofron rrugë të shumta për trajnime për punë dhe praktika. Përmes përvojave lokale dhe rajonale për ndarje të njohurive, iniciativa synon të përmirësojë shkathtësitë e buta që janë thelbësore për punësim.

Qëllimi kryesor mbetet rrënjosja e ndjenjës së përgjegjësisë së përbashkët mes autoriteteve lokale dhe qytetarëve të rinj për t’i përmirësuar kolektivisht komunitetet e tyre.