Mars 19, 2016 | Saturday
Ndonëse vajzat dhe gratë në Kosovë ende përballen me pabarazi të shumta në jetën e tyre të përditshme, pabarazia ekonomike është një ndër pabarazitë që bën një dallim të madh mes të qenit grua apo burrë sot. Kjo pabarazi është ndoshta edhe ndër më të rrezikshmet pasi i hap udhë shumë pabarazive dhe fenomeneve të tjera destruktive, siç janë mungesa e një arsimimi të lartë, mospjesëmarrja e merituar në jetën publike, dhuna në familje, etj. Mungesa e pavarësisë ekonomike ndikon edhe në pavarësinë personale, e në këtë mënyrë është përcaktuese për rolin që gruaja luan jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri.
Përpos shumë sfidave dhe vështirësive me të cilat ballafaqohen vajzat dhe gratë në Kosovë sot, një udhëkryq i shpeshtë në të cilën ato hasin është edhe zgjedhja mes karrierës apo krijimit të familjes. Si një popullatë ku mosha mesatare është rreth 25 vjeç, është e kuptueshme që potenciali i të rinjve është në kulminacionin e tij, por në anën tjetër për të mbajtur një moshë mesatare kaq të re, si shtet, duhet të kujdesemi që edhe nataliteti mos të bjerë me hapa të shpejtë.
Si një nënë e re, shpeshherё e gjej veten duke u stërmunduar që këto dy prioritete t’i balancoj sa më mirë që të jetë e mundur. Dhe rrjedhimisht, mendja më shkon te të gjitha ato nëna të reja, të cilat mundohen me çdo kusht që mos të sakrifikojnë asnjërën nga këto dy aspekte të rëndësishme për jetën e secilit prej nesh. Por sa e lehtë është për një grua sot të arrijë të ketë një karrierë të qëndrueshme dhe njëkohësisht të ketë mundësi të rrisë në mënyrë të dinjitetshme fëmijet e saj, kjo është një çështje, e cila fatkeqësisht përbën një sfidë shumë të madhe për gratë në Kosovë. Dhe pikërisht këtu hyjnë në lojë institucionet shtetërore, të cilat duhet të nxjerrin politika publike me ndjeshmëri gjinore. Në këtë mënyrë ato ju lehtësojnë dhe ju mundësojnë vajzave dhe grave në Kosovë një mirëqenie më të lartë dhe gjithashtu ju japin mundësinë që ato ta shprehin potencialin e tyre në të gjitha fushat ku ato besojnë se mund të kontribuojnë profesionalisht.
Pavarësisht se Kosova e ka të rregulluar me anë të ligjit çështjen e pushimit të lehonisë – e ku çdo nënë e ka mundësinë të qëndrojë me fëmijën e saj deri në një vit pas lindjes – kjo mundësi e garantuar me ligj, në praktikë shpeshherë nuk realizohet. Sfidues në vazhdimësi tregon që është sektori privat (duke mos nënvlerësuar edhe diskriminimet që ndodhin ne sektorin publik), i cili në mënyrë direkte apo indirekte ua pamundëson vajzave apo edhe grave të reja të kenë një punësim apo karrierë të qëndrueshme në këtë sektor. Është e vërtetë se përgjegjësia kryesore për çështjen e natalitetit bie mbi institucionet shtetërore, të cilat duhet të kujdesen që vendi të ketë në vazhdimësi një popullatë aktive, një popullatë e cila nesër do jetë ajo që do të kontribuojë përmes taksave në buxhetin shtetëror, një popullatë nga e cila do të pritet inovacion dhe rrjedhimisht një zhvillim më i madh ekonomik. Pra, interesi i vet shtetit që nataliteti mos të bjerë, është më se i qartë (një interes të tillë e kemi parë në vazhdimësi nga shtete të cilat po mundohen ta luftojnë me çdo kusht plakjen e popullsisë së tyre – një nga to edhe Gjermania). Por gjithsesi, kjo nuk do të thotë që sektori privat duhet të qëndrojë tërësisht inferior ndaj këtij problemi social. Pavarësisht orientimit të sektorit privat drejt profitit, komuniteti i biznesit nuk mund t’i largohet përgjegjësisë sociale që edhe ai ka. Duhet potencuar që në tregje të zhvilluara, bizneset nuk konkurrojnë më vetëm në cilësi apo çmim, ato konkurrojnë dhe përfitojnë klientelë më të madhe, edhe kundrejt asaj se çfarë i kthejnë, apo bëjnë për vetë shoqërinë. Mos të harrojmë se njejtë si institucionet që do kenë nevojë për taksapaguesit e tyre, ashtu edhe ndërmarrjet do kenë nevojë për konsumatorët e tyre!
Përfundimisht, duhet të kuptojmë se barazia e gruas me burrin nuk përben ‘kërcënim’ për rolin që mashkulli luan në shoqëri, përkundrazi ajo nënkupton dhe ndikon në një ngritje të përgjithshme të mirëqenies dhe kualitetit të jetës së të dy gjinive. Për këtë arsye, është më se e nevojshme që ne si shoqëri të jemi të bindur realisht që grave duhet ofruar dhe mundësuar të gjitha kushtet e nevojshme që ato të mund të realizojnë dijen dhe potencialin e tyre të plotë. Një grua e mirë arsimuar, e punësuar, e pavarur financiarisht dhe intelektualisht, dhe që ka përkrahjen e bashkëshortit, shërben ekskluzivisht në të mirë të partnerit, familjes dhe vendit gjithashtu. Prandaj, kjo përgjegjësi sociale duhet të adresohet dhe shqyrtohet më seriozisht nga e gjithë shoqëria dhe ligjet në fuqi duhet të respektohen me fanatizëm, në mënyrë që edhe Kosova të ketë zhvillimin të cilin ajo mund ta ketë, por edhe e meriton!
*Autorja është kryeshefe ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit