Nëntor 15, 2023 | Wednesday
Tetori shënoi një muaj përplot aktivitete që theksuan përpjekjet e BE-së për promovimin dhe mbështetjen e tranzicionit të gjelbër në Kosovë. U lansuan nisma të reja që synojnë të mbështesin tranzicionin e gjelbër përmes partneriteteve, edukimit dhe bashkëpunimit me palët e interesit nga sektori publik dhe ai privat, si dhe me media.
Më 12 tetor u lansua projekti i financuar nga BE-ja “Ekonomia Qarkore për Tranzicion të Gjelbër në Kosovë” me vizionin për të kontribuar në tranzicionin e Kosovës drejt një ekonomie qarkore duke fuqizuar shoqërinë civile për të ndikuar në reformën e politikave. Projekti do të punojë nga afër me qytetarët duke i përfshirë ata si avokues për ekonominë qarkore, për të promovuar praktikat qarkore, për të reduktuar mbeturinat, si dhe për të mbrojtur menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve. Duke pasur në themel vizionin dhe qëllimet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, projekti “Ekonomia Qarkore për Tranzicion të Gjelbër në Kosovë” është i përkushtuar për një Kosovë më të gjelbër, më reziliente dhe më të qëndrueshme.
Javët e Diplomacisë së Gjelbër, nga ana tjetër, përfshinë disa aktivitete me komunitetet dhe palët kyçe të interesit që mund të ndihmojnë në kultivimin dhe përshtatjen e parimeve të gjelbra për një të ardhme më të qëndrueshme.
Një punëtori me profesionistë nga media u mbajt më 26 tetor, organizuar në bashkëpunim me organizatën lokale, EcoZ. Punëtoria e mbajtur në Hotel Sharri në Prevallë filloi me fjalën hapëse të ambasadorit Szunyog, i cili theksoi rëndësinë e tranzicionit të drejtë për Kosovën. 20 pjesëmarrësit patën mundësinë të ndërveprojnë dhe të mësojnë për tranzicionin e drejtë nga ekspertë si Janez Kopač – Komisioner në Autoritetin Kombëtar të Rregullatorit të Energjisë në Slloveni dhe ish-Ministër i Energjisë i Sllovenisë, si dhe ish-Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë; Lulzim Korenica nga Ministria e Ekonomisë e Republikës së Kosovës; Nevena Smilevska – CEE Bankwatch Network, dhe Viktor Berishaj – Rrjeti për Veprim Klimatik (CAN) Europe. Duke e njohur dhe theksuar komunikimin efektiv si thelbësor për promovimin e parimeve dhe përfitimeve të një tranzicioni të drejtë, punëtoria “Trajnim për Media për Tranzicionin e Drejtë” trajtoi tema si efektet e ndryshimeve klimatike në Kosovë, Fondi për Tranzicion të Drejtë në Kosovë, si dhe përfitimet e një tranzicioni të drejtë për vendin.
Veç kësaj, Shtëpia e Evropës në Kosovë realizoi aktivitete informuese me nxënësit e shkollave fillore në Prishtinë, ku nxënësit e klasës së tretë të shkollës “Naim Frashëri”, përfituese e projektit të bashkëfinancuar prej BE-së “Rehabilitimi i Ngrohtores së Qytetit Prishtinë”, mësuan për tranzicionin e gjelbër përmes lojërave dhe aktiviteteve ndërvepruese. Fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas nga komuna e Fushë Kosovës patën mundësinë të mësojnë për energjinë e ripërtërishme dhe jetesën e qëndrueshme përmes lojërave, duke hedhur kështu themelet për një të ardhme më të gjelbër.