Nëntor 15, 2023 | Wednesday
Lansimi i Fushatës për Liberalizimin e Vizave
Në tetor, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë lansoi fushatën #EksploroEvropën, duke ndarë informacione rreth liberalizimit të vizave përmes aktiviteteve në rrjetet sociale. Stafi i ZBEK gjithashtu iu bashkua aktiviteteve informuese të Qeverisë së Kosovës për të përhapur vetëdijesim dhe këshilla për t’u ndihmuar qytetarëve në Kosovë të planifikojnë udhëtimet e tyre të para pa viza në Evropë.
Në rrugëtimin e tyre për të përhapur fjalën për liberalizimin e vizave për Kosovën, stafi i ZBEK-ut së bashku me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, shkuan nga Prishtina dhe Prizreni në Graçanicë, Ferizaj, Gjilan, Mitrovicë të Jugut, Podujevë, dhe Shtërpcë – ku iu bashkua edhe znj. Eva Palatova, zëvendës udhëheqëse e Zyrës së BE-së në Kosovë.
Njerëzit në mbarë Kosovën e morën me gëzim lajmin se duke filluar nga 1 janari 2024, ata do të mund të udhëtojnë pa viza për qëndrime të shkurtra në Bashkimin Evropian. Ndër të tjera, qytetarët patën mundësinë të bëjnë selfie të brenduara të fushatës si suvenire dhe morën më shumë informata të ofruara nga ambasadat e vendeve të Bashkimit Evropian në Kosovë se çka nuk duhet të humbasin në udhëtimet e tyre në Evropë.
Java Erasmus
Përfshirja sociale ishte fokusi i dy paneleve në Shtëpinë e Evropës në Kosovë në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut të organizuar me Erasmus+ Kosovë. Duke vlerësuar progresin e rëndësishëm që është bërë në shumë pjesë të botës, panelistët folën për sfidat e vazhdueshme në arritjen e përfshirjes së vërtetë sociale në mbarë botën. Të dy panelet ishin të dizajnuara për audienca të ndryshme, duke përfshirë institucionet qendrore dhe lokale dhe drejtoritë përgjegjëse për promovimin e përfshirjes, institucionet e arsimit të lartë dhe OJQ-të.
Diskutimet në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Veriut ishin të dizajnuara si platforma reflektimi dhe diskutimi rreth përfshirjes sociale. Të dy panelet përfshinë ligjërues që vinin nga fusha ekspertize dhe sfonde të ndryshme. Në këto dy panele u diskutuan fuqia e përfshirjes sociale si dhe barazia në arsim, përdorimi i teknologjisë dhe politikëbërja. Paneli i parë u mbajt në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë me ligjërues Anne-Sophie Houee – Zyra e BE-së në Kosovë; Njomza Uka – Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptasve në Kosovë; Mimoza Musliu – Artpolis, Erza Kurti – Qendra për Barazi dhe Liri; Valon Murati – Kolegji Universum. Paneli i dytë u mbajt në Shtëpinë e Evropës në Mitrovicën e Veriut me ligjërues: Jelena Gjokiq – Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë; Tanja Baldini – Caritas Kosova; Ivana Rakiq – OJQ Podrzhi Me; Nenad Radivojeviq – OJQ Domovik.
Akademia Verore Evropiane e Muzikës
Duke theksuar Vitin Evropian të Shkathtësive, BE-ja në Kosovë mbështeti Akademinë Verore Evropiane të Muzikës që u zhvillua në Prishtinë, duke bashkuar të rinjtë nga Ballkani Perëndimor për të shkëmbyer dhe promovuar vlerat e tyre kulturore. Aktiviteti njëjavor përfundoi me një koncert nga pjesëmarrësit që patën mundësinë të ndiqnin master klasat në violonçel, kontrabas, kitarë dhe muzikë dhome të drejtuar nga Tomáš Vybíral – kontrabas (Republika Çeke); Bledar Zajmi – violonçel (Çeki) dhe Drilon Çoçaj – kitarë (Kosovë).
Master klasë për vizualizimin e të dhënave nga Open Data Kosova
25 profesionistë të rinj me pasion për të dhënat përfunduan master klasën për vizualizim të të dhënave me Open Data Kosova, ku fituan njohuri dhe shkathtësi që do t’u ndihmojnë të përdorin, prezantojnë dhe shfaqin të dhëna.