Nëntor 28, 2023 | Tuesday
Kosovo Theatre Showcase është ngjarje e përvitshme e teatrit, organizuar nga Qendra Multimedia në bashkëpunim me disa institucione publike vendore dhe institucione të pavarura kulturore. Kosovo Theatre Showcase paraqet një program me shfaqje teatrore, një program diskursiv me diskutime tematike rreth temave që lidhen me teatrin, një program edukativ me punëtori dhe masterklasa për artistët e rinj nga Kosova, së bashku me ngjarje promovuese për këta të fundit. Në blogun e mëposhtëm, Aurela Kadriu nga Qendra Multimedia shpjegon si ka ndihmuar mbështetja nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë që projekti të shndërrohet në një nga ngjarjet më të rëndësishme teatrore në rajon.
Nga Aurela Kadriu, Qendra Multimedia
Kosovo Theatre Showcase është ngjarje e përvitshme teatrore që bashkon programues të festivaleve ndërkombëtare, kritikë dhe profesionistë të tjerë të teatrit në Prishtinë dhe qytete të tjera anembanë Kosovës. Çdo vit, përafërsisht 10 shfaqje teatrore dhe shfaqje nga Kosova prezantohen para audiencave të ndryshme, së bashku me rreth 5 shfaqje nga Evropa si pjesë e një programi plotësues të ‘shfaqjeve mysafire’.
Edicioni i vitit 2023, i bashkëfinancuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, u zhvillua ndërmjet datave 24-30 tetor në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë dhe Prizren. Ky edicion u organizua në bashkëpunim me IETM – Rrjeti Ndërkombëtar për Artet Performuese Bashkëkohore, një nga rrjetet më të vjetra dhe prestigjioze ndërkombëtare që përfaqëson zërin e mbi 500 organizatave dhe artistëve individualë në artet bashkëkohore skenike. Ky bashkëpunim zgjeroi shtrirjen e Kosovo Theatre Showcase në një audiencë më të gjerë ndërkombëtare, duke lehtësuar ndërveprimet dhe bashkëpunimet me profesionistët vendës të artit skenik. Sesioni Informues për programin e ri të financuar nga BE-ja “Perform Europe” shpalosi mundësi të rëndësishme për institucionet e artit skenik dhe artistët në Kosovë që të angazhohen në partneritete rajonale dhe ndërkombëtare për realizimin e turneve për produksionet dhe performancat e tyre.
Nisur në vitin 2018 si Qendra Multimedia Showcase, Kosovo Theatre Showcase fillimisht ofroi një hapësirë për programuesit ndërkombëtarë dhe palët e interesit për punën e Qendrës. Në atë kohë, Qendrës Multimedia i mungonte një vend i dedikuar për shfaqje, dhe shpeshherë shfaqjet teatrore zhvilloheshin në lokacione të ndryshme anembanë vendit. Për rrjedhojë, projekti shërbeu si një mundësi për t’i konsoliduar shfaqjet në një javë. Megjithatë, pas edicionit të parë, u bë evidente nevoja për zgjerim në nivel kombëtar. Përmes programeve të saj, Qendra Multimedia ka kontribuar gjerësisht në kapërcimin e hendekut mes skenës kulturore publike dhe asaj të pavarur në vend, duke u përqendruar në bashkëpunimet me teatrot publike lokale.
Kosovo Theatre Showcase shërben si një platformë promovuese dhe rrjetëzimi, duke u ofruar institucioneve lokale teatrore dhe organizatave të pavarura kulturore, kolektivëve dhe artistëve, mundësinë për të prezantuar punën e tyre para një audience ndërkombëtare të programuesve, përzgjedhësve, kritikëve teatrorë dhe profesionistëve të tjerë.
Qëllimi parësor i kësaj platforme është paraqitja e veprave teatrore më mbresëlënëse dhe më të arrira në Kosovë. Përveç përjetimit të shfaqjeve të prodhuara në Kosovë – një vend me një nga skenat më të gjalla teatrore në Ballkan – mysafirët angazhohen edhe me krijuesit vendas të teatrit përmes diskutimeve, paneleve dhe programeve të tjera plotësuese. Krahas programit artistik, programi diskursiv përfshin folës nga fusha të ndryshme që diskutojnë tema me rëndësi në lidhje me rolin e teatrit në kontekste të ndryshme sociale. Punëtoritë dhe prezantimet në kuadër të Kosovo Theatre Showcase synojnë të ofrojnë një platformë ku të rinjtë të paraqesin punën e tyre dhe të mësojnë. Këto punëtori përfshijnë kritikë teatrore, dramaturgji dhe performancë. Programi “Drama të reja / Botë të reja” nxjerr në pah dramaturgë vendas, rajonalë dhe ndërkombëtarë, dramat e të cilëve prezantohen para publikut nga aktorë të rinj nga Kosova. Tregu Ndërkombëtar i Teatrit synon të promovojë ide të reja dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi midis akterëve vendas dhe ndërkombëtarë. Për më tepër, punëtoria për kritikën teatrore synon të edukojë gjeneratën e re të kritikëve teatrorë nga Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Përveç programit të shfaqjeve, performancave, diskutimeve dhe ngjarjeve rrjetëzuese, Kosovo Theatre Showcase 2023 ishte nikoqir i ngjarjeve specifike në kuadër të programit Reconnection 2.0, i financuar dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar nga Qendra Multimedia në Prishtinë dhe Heartefact fund në Beograd. Rezidencat artistike të dy artistëve serbë, përfitues të rezidencave artistike Reconnection 2.0, u prezantuan gjatë edicionit të vitit 2023 të Kosovo Theatre Showcase, së bashku me shfaqjen nga Serbia të titulluar “Një storje me burgerë dhe gjëra të tjera”, prodhuar nga Heartefact Fund.
Ndër vite, përmes programit Reconnection 2.0, Qendra Multimedia ka shfrytëzuar platformën e Kosovo Theatre Showcase për shkëmbime kulturore me Serbinë. Kjo iniciativë ka sjellë shfaqje nga Serbia për herë të parë në qytete si Ferizaji dhe Gjilani, duke organizuar edhe diskutime me artistë nga Serbia dhe performanca nga grupe lokale.
“Kosovo Theatre Showcase – sepse skenës teatrore evropiane i duhet teatri i ringjallur i Kosovës. Po vijmë”