Dhjetor 28, 2023 | Thursday
Ekspozita “Stitching Stories” e artistes Vlora Hajdini u hap më 26 tetor në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, ndërsa më 21 nëntor autorja pati rastin të bisedojë për artin e vet me vizitorë të ekspozitës. ‘Stitching Stories’ paraqet një rrugëtim nëpër udhët e fëmijërisë së artistes dhe ambientet shtëpiake të cilat ajo i ka ndarë me gra të ndryshme në jetën e vet. Në intervistën e mëposhtme, Vlora na shpjegon për këmbënguljen e saj për vënien në pah të artit të grave i cili nuk njihet mjaftueshëm, si dhe të tregimeve të tyre.
Punët tuaja përmbajnë tregime të grave të ndryshme në fushën e zejeve artizanale, a mund të na tregoni cili ka qenë procesi i hulumtimit për këto tregime? Si ka nisur interesimi juaj për këto tregime dhe si keni ardhur deri tek ideja për t’i transmetuar ato në këtë mënyrë? A keni realizuar intervista me gratë tregimet e të cilave tregohen përmes artit tuaj?
Interesi im në fushën e arteve dhe zanateve ka filluar shumë herët. Rritja në një atmosferë ku punohej punëdore nga nëna dhe grate e familjes së gjerë, ka pasë ndikim te puna ime e mëvonshme. Qysh herët kam mësuar qepjet, thurjet dhe qëndisjet. Koloriti i penjve, thurjeve dhe qëndisjeve ka pasur ndikimin kryesor në zhvillimin tim si krijuese. Kjo përvojë më ka mësuar që në një periudhë të punoj si skenografe, kostumografe, krijuese e restauruese e kukullave për shfaqje teatri. Procesi i punës më ka ofruar zhvillimin e praktikave të reja të cilat janë pasqyruar në punën time gjatë prezantimit në ekspozita me instalacione dhe piktura. Në instalacionet e mia, pëlhura ka zënë vend kyç, ndërsa në piktura është figura e gruas dhe ambienti përreth i ilustruar me laramani ngjyrash. Krijimi i një tregimi për gratë të cilat punuan artin e tyre pa u njohur nga publiku i gjerë është tregim i krijuar nga unë. Për këtë tregim nuk kam bërë intervista, por ai mund të perceptohet më shumë si kthim në kohë ku në kujtesën time kanë mbetur bisedat me gratë e familjes të cilat punonin qëndisjet dhe thurjet e tyre për nevoja shtëpiake dhe për pajën e nuseve, të cilat poashtu ishin gjësende që kishin një funksion të caktuar për dekorimin e shtëpisë por në të njëjtën kohë shërbenin edhe për nevoja shtëpiake.
Nga ka ardhur frymëzimi që t’i mblidhni këto tregime fillimisht dhe t’i prezantoni në këtë mënyrë?
Frymëzimi më ka ardhur në një periudhë kur fëmijët e mi ishin të vegjël dhe nuk kisha mundësi të punoja në studion time për shkak të angazhimeve të tjera. Kështu, fillova të punoj në piktura me dimensione të vogla dhe me ngjyra akrilik pasiqë këto ngjyra thahen shpejt dhe të lejojnë që shpejt të përfundohet vepra. Sigurisht që kjo mënyrë e punës në ambiente brenda shtëpisë, kuzhinës dhe dhomës së ditës ndikoi që në punimet e mia instinktivisht të hyjë enterieri e në shumë raste peizazhi t’i ngjante enterierit, ndërsa personazhi kryesor prapa krejt këtij ambienti të ishte figura e gruas. Imagjinatën e lashë komplet të lirë pa ndonjë motiv të caktuar fillimisht. Kjo punë më ktheu në kohë duke hulumtuar në kujtesën time në ambiente të ndryshme shtëpiake nëpër të cilat kisha kaluar kohë në moshë të re. Gjatë viteve të ‘90-ta kam jetuar në fshat dhe kam pasur rastin të jem afër grave shtëpiake të cilat kohën e lire e kalonin duke punuar punëdoret e tyre. Me shumë interesum kam mësuar prej tyre mënyrën e qëndisjes dhe thurjeve. Bisedat me këto gra të familjes time kryesisht kanë qenë rreth përzgjedhjes së ngjyrave dhe nuancat e penjve që i përdornin në qëndisje. Në kombinimin e ngjyrave ato ishin të lira, pa ndonjë proces të studiuar më parë. Qëllimi i tyre ishte që modelet e tyre të ishin unike duke mos i kopjuar nga të tjerët. Kjo më bëri t’i shikoj ato gra me një sy tjetër. Për mua ato ishin artiste!
Sa vjet ka zgjatur procesi i dokumentimit të këtyre tregimeve përmes artit tuaj? Kur keni nisur të dokumentoni këto rrëfime, a e keni pasur qëllimin që ta përmbyllni me një ekspozitë?
Dokumentimi im ka nisur në fillim të viteve 2000, kur kam filluar të mbledh qëndisje dhe artizanate. Projekti im s’ka përfunduar ende. Jam në proces të zhvillimit të ciklit të punëve. Mënyra më e lehtë për mua ka qenë pikturimi, të cilin e konsideroj si skicë të një projekti më të madh dhe sa për ta mbajtur këtë projekt në proces. Këtë proces e kam publikuar në disa ekspozita, por krahas saj kam ruajtur qëndisjet dhe ende jam në proces të zhvillimit të një cikli i cili merr më shumë kohë, e po besoj që në vitin 2025 do të prezantohem me një ekspozitë të re e cila do të jetë kryesisht me tekstil dhe tregimi do të bazohet në periudhën 1990-2000.
Si i kontribuon dukshmërisë së grave në diskurs publik ekspozita juaj? Si e shihni kontributin e artit tuaj në avancimin e pozitës së grave në shoqërinë tonë?
Ekspozita ime e paraqet një realitet ndoshta pak të ilustruar të gruas në familje dhe në shoqëri, tregon një anë të ndjeshme kreative të gruas, andaj po besoj që më shumë ka pasqyrim sesa që mund të ketë çështje të ngritura.
A e keni ndonjë nga veprat e përfshira në ekspozitë më afër zemrës dhe nëse po, pse?
Po, kam piktura që me raste i dalloj nga të tjerat dhe kjo afërsi kryesisht lidhet me periudhën në të cilën ato më asociojnë, periudhën në të cilën i kam krijuar.
Ekspozita “Stitching stories” flet për një komunitet shumë specifik të grave në Kosovë, a është kjo diçka që keni synim ta bëni edhe në të ardhmen?
Praktika ime në krijimtari, si në pikturë ashtu edhe instalacion, ka të bëjë kryesisht me pozitën e gruas në familje dhe shoqëri. Këto janë temat të cilat do të vazhdoj t’i trajtoj edhe në të ardhmen.