Shtator 30, 2016 | Friday
Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë organizoi një panel diskutimi për Bisedimet e BE-së rreth fuqizimit të rinisë së Kosovës përmes rrjeteve rajonale dhe pjesëmarrjes së publikut, sidomos përmes themelimit të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, ZRBR, më 15 shtator. Panelistët përfshinin përfaqësues nga Zyra Rinore Franko-Gjermane, institucionet qeveritare, shoqërinë civile, organizatat rinore dhe misionin e OSBE-së në Kosovë. Gjatë ngjarjes, të rinjtë e Kosovës dhe palët e tjera të interesuara rreth kësaj iniciative rajonale u informuan për mundësitë e fuqizimit dhe pjesëmarrjes së rinisë, si rezultat i krijimit të ZRBR-së.
Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, ZRBR, u lansua në Paris në korrik, në mes të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën. Përfaqësues nga këto gjashtë vende u ulën së bashku në një tavolinë për të diskutuar sfidat kryesore me të cilat përballen të rinjtë në rajon, si dhe për të ndarë përvojat e tyre dhe praktikat më të mira, duke ofruar rekomandime për politikat vendimmarrësve. ZRBR ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit në kuadër të Ballkanit Perëndimor në lidhje me procesin e integrimit evropian në rajon. Misioni i saj është të mbështesë projektet rinore në Ballkanin Perëndimor, duke u përqendruar në pjesëmarrje dhe aktivizëm; arsimim dhe hulumtim; kulturë dhe sport, dhe më e rëndësishmja, të nxisë bashkëpunimin bilateral dhe multilateral me vendet anëtare të BE-së dhe të hapë mundësi të reja për të rinjtë, në veçanti: mundësitë e mësimit, mundësitë e udhëtimit, punësimin dhe rrjetëzimin. Zyra rajonale, me seli në Tiranë, do të filloj punën në janar 2017, në bashkëpunim me pesë degë lokale në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Pjesa më interesante e diskutimit në panel ishte kyçja e Frank Morawietz, Përfaqësuesi Special i Zyrës Rinore Franko-Gjermane, përmes Skype, që theksoi sfidat kryesore në zbatimin e ZRBR-së dhe një pasqyrë të zhvillimeve të reja. Ai theksoi përgjegjësinë e qeverisë, shoqërisë civile dhe grupit koordinues për zbatimin e marrëveshjes.
“Në periudhën prej nënshkrimit në Paris deri në hapjen e ZRBR-së ekziston Ekipi i Përbashkët Koordinues në tërë procesin që përbëhet nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, tre përfaqësues të Zyrës Rinore Franko-Gjermane të përkrahur nga ambasadat franceze dhe gjermane”, tha Morawietz. Sipas Morawietz, themelimi i ZRBR-së është një detyrë e madhe, që kërkon entuziazëm dhe pronësi nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, shoqëria dhe rinia e saj.
“Çfarë ndikimi do të ketë ZRBR për të rinjtë në Ballkan dhe sa sfiduese ishte përfshirja e të gjitha shteteve në të njëjtën tryezë?” pyeti moderatori, Teuta Hoxha nga YIHR Kosovë. Samiti i Parisit theksoi se të gjitha qeveritë duhet të tregojnë përkushtim të fuqishëm, pjesëmarrje dhe kontribut për procesin duke marrë parasysh karakterin rajonal të ZRBR-së dhe ndikimin që do të ketë në rininë e Ballkanit. “Ideja nuk është të bëhen projekte specifike, por të arrihen në një shkallë të gjerë të rinjtë të cilët nuk janë të përfshirë në programet e shkëmbimit, siç janë njerëzit në zonat rurale të cilët nuk kanë pasur mundësinë deri më tani për të marrë pjesë në këto projekte”, tha Morawietz, duke treguar karakterin gjithë-përfshirës të kësaj iniciative. Përvoja Franko-Gjermane i mundëson përfaqësuesve të ZRBR-së të mësojnë nga praktikat më të mira dhe t’i zbatojnë ato në rastin e Kosovës, tha Morawietz, duke inkurajuar bashkëpunimin ndërkufitar dhe projektet e përbashkëta si referencë e ardhshme për aplikimet e ZRBR-së.
Një aktor tjetër në këtë mision të rëndësishëm të themelimit dhe funksionalizimin të ZRBR-së do të jetë shoqëria civile, veçanërisht organizatat rinore dhe rrjetet rinore, të cilat ishin të përfaqësuara nga Krenare Gashi, përfaqësuese e shoqërisë civile për ZRBR. Gashi informoi të pranishmit në lidhje me memorandumin e mirëkuptimit të arritur në Paris midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas një misioni fakt-mbledhës ku morën pjesë organet qeveritare dhe organizatat e shoqërisë civile që merren ekskluzivisht me të rinjtë. Gashi ka sqaruar se grupi punues për ZRBR, anëtare e të cilit është, ka punuar në propozime konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin në Paris. “Ideja themelore e ZRBR-së është lehtësimi i pajtimin midis vendeve në konflikt para së gjithash, dhe pastaj zgjerimi në projekte tjera të bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të rinisë”, ka thënë Gashi.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, YIHR, një organizatë rajonale rinore me prani në Kosovë, ka marrë pjesë aktivisht në themelimin e ZRBR-së dhe ka lehtësuar procesin në emër të rinisë së Kosovës. “Është e rëndësishme që vendet të marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë proces”, ka thënë Teuta Hoxha, moderatore dhe përfaqësuese e YIHR, ”…dhe për fat të mirë Qeveria e Kosovës është pjesë e këtij procesi”.
Çfarë hapash do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës që të vazhdojë angazhimin e saj për ZRBR?
Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, MKRS, është e angazhuar fuqishëm për të bërë këtë marrëveshje plotësisht efektive, theksoi kreu i Divizionit për Zhvillimin e Politikave Rinore në MKRS dhe anëtar i grupit punues për ZRBR, Vedat Jashari. Jashari foli për rolin e qeverisë në ratifikimin e vendimeve të marra në Paris dhe angazhimin e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje dhe zbatimin e të gjitha projekteve që dalin nga samiti i Parisit. Qeveria ka formuluar strategjinë e bashkëpunimit me shoqërinë civile në forcimin e demokracisë dhe krijimin e klimës së favorshme për zhvillimin e saj, tha Jashari.
Anëtarët e grupit punues kanë paraqitur një listë gjithë-përfshirëse të subjekteve që kanë të drejtë të marrin fonde nga ZRBR duke përfshirë: organizatat rinore, grupet joformale rinore, institucionet arsimore, me përjashtim të forumeve partiake rinore, organizatave fetare dhe subjekteve si ministritë, komunat apo organet tjera të lidhura me qeverinë për shkak të konfliktit të interesit.
Misioni i OSBE-së në Kosovë gjithashtu po e mbështet iniciativën ZRBR. Përfaqësuesi i OSBE-së, Fani Farmaki, prezantoi mbështetjen e OSBE-së për ZRBR gjatë kësaj periudhe kalimtare. “Ne e kuptojmë se ZRBR është një nismë dhe një projekt që ka nevojë para së gjithash të kuptohet dhe të jetë në gjendje të shfrytëzohet kur të jetë plotësisht funksional”, tha Farmaki. Farmaki foli për programin unik tremujor të praktikës të ofruar nga OSBE, që synon të rinjtë e moshës mes 20 dhe 24 vjeç, të zbatuar në bashkëpunim me ministritë e ndryshme për të përfshirë të rinjtë në nivelin strategjik, të planifikimit dhe ekzekutiv të institucioneve vendimmarrëse dhe të politikë-bërjes. Edicioni i dytë i programit të praktikës nga OSBE tashmë ka filluar, dhe është një formë e edukimit jo-formal duke shfrytëzuar trajnimin në vendin e punës që i jep pjesëmarrësve përvojën e trajnimit praktik dhe bashkëveprim të vazhdueshëm me zyrtarë të lartë të ministrive. Kjo përvojë, ndihmon të rinjtë me diplomë universitare të kuptojnë vendimmarrjen dhe procedurat e politikave publike në sektorin publik ose privat, përgatitjen e tyre për karrierën e tyre të ardhshme.
Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën të vitit 2015, ka pasur një rritje të dukshme në papunësinë e rinisë (nga 55.9 për qind në 61.0 për qind). Përqindja e të rinjve (të moshës 15-24), të cilët nuk janë të punësuar, ka rënë nga 35.3 për qind në vitin 2013 në 30.2 për qind në vitin 2014. Kjo do të thotë përparim në angazhimin e të rinjve në tregun e punës dhe sektorin e arsimit apo trajnimit në periudhën e fundit. Kjo supozohet të jetë rezultat i përpjekjeve të mëdha nga organizatat qeveritare dhe arsimore në nxitjen e fuqizimit të rinisë dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën publike, ose nëpërmjet praktikës apo programeve të këmbimit.
Audienca ka treguar interesim të madh gjatë diskutimit, veçanërisht në lidhje me ZRBR-në dhe mundësitë që ajo ofron në fushën e arsimit dhe sportit dhe si do të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike, duke sfiduar paragjykimet në Ballkanin e pas konfliktit. Vjollca Dragusha, studente e Universitetit të Prishtinës, ngriti shqetësime për mungesën e informacionit në lidhje me programet e shkëmbimit dhe mundësitë e bursave për studentët e zonave të thella të Kosovës dhe qasjen e kufizuar në këtë grante për të gjithë të rinjtë. Ajo theksoi se mbështetja institucionale duhet të synoj iniciativat joformale të grupeve rinore në nivelin bazë, në vend se të përqendrohet vetëm në organizatat formale rinore. Paneli i diskutimeve konfirmoi nevojën e menjëhershme për të adresuar çështjet e të rinjve, veçanërisht në fuqizimin dhe pjesëmarrjen e publikut nëpërmjet mekanizmave formalë dhe joformalë.
Ky diskutim për Bisedimet e BE-së ishte pjesë e fushatës dymujore të EUICC-së për Fuqizimin e Rinisë e filluar në muajin gusht të këtij viti.