Shkurt 23, 2024 | Friday

Udhëtimi i suksesshëm i “Save the Children” për mbrojtje sociale

Nga Festina Kabashi

Në vitin 2021, ‘Save the Children Kosova/o’ filloi me zbatimin e projektit të financuar nga BE-ja “Fuqizimi i ofrimit të shërbimeve sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë si përgjigje ndaj COVID-19”. Përmes këtij projekti, ‘Save the Children Kosova/o’ ka punuar drejtpërdrejt me organizatat dhe institucionet përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, si dhe në një fushatë avokuese në nivel qendror për të miratuar politika më të përshtatshme për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve sociale në Kosovë. Në blogun e mëposhtëm, Festina Kabashi nga ‘Save the Children Kosova/o’, na jep një pasqyrë të disa prej momenteve më të rëndësishme të projektit. 

Ofruesit e shërbimeve sociale formale dhe joformale në Kosovë luajtën një rol jetik në ofrimin e një sistemi gjithëpërfshirës të mbrojtjes në përgjigje ndaj pandemisë COVID-19. Përgjegjësitë e tyre varionin nga ngritja e vetëdijes deri te mbështetja mjekësore dhe integrimi psikosocial. Të njohur si anëtarë me ndikim të komunitetit, roli i këtyre ofruesve u zgjerua për shkak të pandemisë, duke trajtuar cenueshmërinë e shtuar socio-ekonomike dhe duke luftuar dhunën në familje. 

Mbështetur nga Zyra e BE-së në Kosovë, në vitin 2021 ‘Save the Children Kosova/o’ filloi me zbatimin e projektit “Fuqizimi i ofrimit të shërbimeve sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë si përgjigje ndaj COVID-19”. Përmes këtij projekti, ‘Save the Children Kosova/o’ ka mbështetur 47 organizata të licencuara në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare me rreth 2.7 milionë euro.  Gjatë rrugës, përmes këtij aksioni, u dhanë shërbime cilësore sociale për më shumë se 10,000 fëmijë  dhe të rritur në mbarë Kosovën. 

Një prind, vajza e të cilës mori shërbime të përshtatura për nevojat e saj nga një OJQ e licencuar, ndau një tregim emocional dhe frymëzues: “Vajza ime nuk fliste deri në moshën gjashtë vjeç.  Pak kohë pasi kishte marrë trajtimet këtu, ajo filloi të më thërriste nënë dhe nuk ka fjalë për ta përshkruar atë moment.  Falë shërbimeve të marra këtu, ajo tani mund të thotë nënë, vëlla, motër, xhaxha, të gjitha këto fjalë…”

Gjatë tre viteve, ‘Save the Children Kosova/o’ ka punuar drejt avancimit të bashkëpunimit dhe ofrimit të mbështetjes tematike në fusha të ndryshme për ofruesit e shërbimeve sociale formale dhe joformale. Kjo punë në bashkëpunim ka lehtësuar partneritete më të mira ndërmjet Qendrave për Punë Sociale dhe OJQ-ve të licencuara, duke nxitur një ofrim të përbashkët të shërbimeve sociale. Ky bashkëpunim është rregulluar me krijimin e një Protokolli për Bashkëpunim. Puna me ndikim e SCiK ka arritur mbi 500 ofrues të shërbimeve formale dhe joformale, duke krijuar një rrjet mbështetjeje që përfshin komunitetin lokal. 

Një shtyllë kyçe e këtij veprimi ka qenë vënia e theksit në ngritje të vetëdijes dhe avokim. Në kuadër të këtij aksioni, së bashku me ofruesit e shërbimeve sociale, SCiK ka punuar në ngritjen e vetëdijes për qasje të shërbimeve sociale brenda komuniteteve përkatëse nga njëra anë, dhe për rëndësinë e ofrimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale me bartësit përkatës. Rrjedhimisht, një platformë online është lansuar, info-sherbimesociale.org e cila centralizon informacione për shërbimet sociale dhe familjare të ofruara në mbarë Kosovën. 

Në vitin 2023, tri komuna përpiluan planet e tyre të veprimit komunal për ofrimin e shërbimeve sociale, manualet e punës duke iu përmbajtur standardeve minimale për shërbimet sociale dhe udhëzimet dhe protokollet gjithëpërfshirëse për ofrimin e shërbimeve sociale. Paralelisht me këtë, SCiK kontribuoi përmes këtij veprimi në hartimin, rishikimin dhe miratimin e legjislacionit, politikave përkatëse, për forcimin e sistemeve të shërbimeve sociale dhe adresimin e mangësive të financimit të shërbimeve sociale. Miratimi i Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor 2023 ishte një moment historik kyç i avokimit duke njohur punën e të gjithë ofruesve të shërbimeve sociale për një skemë të qëndrueshme financiare për ofrimin e shërbimeve sociale për personat në nevojë. Ky ligj siguron qëndrueshmëri në ofrimin e shërbimeve sociale, ofrimin e shërbimeve cilësore, monitorimin e duhur dhe kontraktimin e shërbimeve sociale. 

Për ta thelluar të kuptuarit e një sistemi të fuqishëm të shërbimit social dhe për të ndarë praktikat më të mira, SCiK me mbështetjen e ‘Save the Children Sweden’ organizoi një Vizitë Studimore në Suedi. Gjatë kësaj vizite studimore, zyrtarët e Kosovës dhe ofruesit e shërbimeve u takuan me institucione të ndryshme, ofrues të shërbimeve publike dhe OJQ të licencuara në Stokholm dhe fituan njohuri për punën me qeveritë vendore për ofrimin e shërbimeve me cilësi të lartë.

Për më tepër, për ta siguruar qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve dhe monitorimin efektiv, ky aksion lehtësoi një iniciativë të përbashkët kërkimore ndërmjet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ky hulumtim synonte identifikimin e boshllëqeve në mbledhjen e të dhënave dhe të prezantonte praktikat më të mira, duke rekomanduar digjitalizimin e sistemit të menaxhimit të rasteve dhe një bazë të të dhënave të unifikuar me informata nga njohuritë e OJQ-ve dhe QPS-ve. Kjo qasje holistike siguron një sistem të shërbimit social rezilient dhe adaptiv për të mirën e atyre që kanë nevojë.

Nga përgjigja kritike ndaj sfidave të paraqitura nga pandemia COVID-19 deri te krijimi i kornizave të qëndrueshme ligjore dhe partneriteteve bashkëpunuese, ky udhëtim i mbrojtjes sociale nënkupton një triumf dhembshurie dhe përkushtimi. Historitë e jetëve të transformuara i bëjnë jehonë ndikimit të thellë të aksionit “Fuqizimi i ofrimit të shërbimeve sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë si përgjigje ndaj COVID-19”. Ndërsa ecim përpara, miratimi i Ligjit për Shërbimet Sociale dhe Familjare qëndron si simbol i progresit, duke siguruar një sistem shërbimi social të qëndrueshëm dhe cilësor. Zotimi i vazhdueshëm i ‘Save the Children Kosova/o’ në sigurimin e shërbimeve sociale të qëndrueshme dhe afatgjata për personat në nevojë, premton një të ardhme ku më të cenuarit prej nesh do ta marrin kujdesin dhe mbështetjen që meritojnë, duke hapur rrugën për një Kosovë më të ndritshme dhe më gjithëpërfshirëse.