Prill 15, 2024 | Monday
“Syri Ynë” është një revistë dymujore e shkruar me alfabetin Braille e cila botohet nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës. Përmes programit të Kosovo 2.0 të financuar nga BE-ja të titulluar “Diversifikimi i Zërave në Gazetari”, Shoqata e të Verbërve të Kosovës arriti të prodhojë këtë burim të vlefshëm informacioni për komunitetin e të verbërve në Kosovë.
Revista mbulon tema të ndryshme nga informatat mbi ngjarjet e fundit deri te historitë e suksesit të të verbërve dhe aktivitetet e personave të verbër në Kosovë. Një element i rëndësishëm i revistës është informimi lidhur me legjislacionin në fuqi dhe të drejtat e personave të verbër në Kosovë. Revista arrin te përdoruesit e saj përmes ndarjes fizike të kopjeve të saj në rrjetin e qendrave të Shoqatës në mbarë Kosovën. Përveç kësaj, një audio version i çdo numri ngarkohet në faqen e internetit të Shoqatës dhe në mediat sociale, për të siguruar akses për më shumë persona që janë në gjendje të përdorin pajisjet digjitale.
“Mungesa e qasjes në informata është një nga sfidat më të mëdha për personat e verbër në Kosovë, kështu që përmes kësaj reviste, ne përpiqemi t’u japim atyre një pasqyrë mbi zhvillimet e fundit rreth tyre,” thotë Daut Tishuki, kryetar i Shoqatës, të cilin e takuam gjatë vizitës sonë në shtypshkronjën në Pejë. Ne e kemi dokumentuar procesin se si realizohet ky kontribut i vlefshëm për komunitetin e të verbërve në Kosovë dhe mund ta shihni këtë përmes videos më poshtë.