Qershor 17, 2024 | Monday
Kremtimet e sivjetme të Ditës së Evropës u organizuan në Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë të Veriut nën moton Përjeto Evropën, që rrjedh nga fushata e mëparshme e BE-së për liberalizimin e vizave të titulluar Eksploro Evropën, e cila vitin e shkuar shënoi një nga momentet më të ndritura në marrëdhëniet Kosovë-BE.
Më 9 maj, BE-ja në Kosovë organizoi kremtimet kryesore të Ditës së Evropës në Prishtinë dhe në Mitrovicë të Veriut, me aktivitete për fëmijë dhe familje, si dhe performanca muzikore nga artistë të njohur, duke tërhequr mijëra qytetarë. Hapja zyrtare u mbajt në Prishtinë, me fjalë të hapjes nga ambasadori i BE-së në Kosovë dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pas interpretimit të himnit evropian nga orkestra e gjimnazit Loyola nga Prizreni.
Në përputhje me moton e vet, BE-ja në Kosovë u sigurua që qytetarët e Kosovës të mund ta përjetonin Evropën në Prishtinë, me shtetet anëtare të BE-së, EULEX-in dhe ekipin e OKB-së në Kosovë që shërbenin ushqime dhe pije tradicionale dhe shpërndanin artikuj promovues në shtëpizat në shesh. Përfshirja aktive e shteteve anëtare të BE-së, EULEX-it dhe OKB-së në kremtimet e Ditës së Evropës ofroi një mundësi të shkëlqyer për të mishëruar moton e BE-së “Të bashkuar në diversitet”, duke prezantuar qasjen e Ekipit të Evropës dhe duke e paraqitur BE-në si partner për multilateralizmin.
Për të tërhequr audienca të ndryshme, BE-ja në Kosovë kuroi një program mbresëlënës me performanca muzikore në Prishtinë, me korin e fëmijëve Okarina, Kuintetin Andrra Jazz me Andrra Rexhepin, Dukagjin Muhaxherin, Visar Kuqin, Enes Bajramliqin dhe Fatlind Feratin, koncertin e hapjes së Chopin Piano Fest me një recital në piano nga Artem Yasynskyy, një koncert nga Offchestra dhe një performancë nga i famshmi Ledri Vula, ndërsa në Mitrovicën e Veriut, formacioni përbëhej nga grupet lokale Gruv Hijena dhe Something Went Wrong.
Aktivitete për familje dhe fëmijë u organizuan edhe në Prizren më 12 maj, duke tërhequr qindra pjesëmarrës. Aktualisht, në Kejin e Lumbardhit në Prizren është duke u realizuar punimi i një vepre murale të zhvilluar nga artistë lokalë pas një procesi konsultimi publik.