Qershor 17, 2024 | Monday
Të nderuar miq dhe partnerë,
Dëshiroj t’ju ofroj mirëseardhjen në pritjen e kësaj mbrëmje. Sikurse çdo vit, ne mblidhemi për të shënuar dhe kremtuar Ditën e Evropës, 9 majin.
Kjo ditë mbart një rëndësi të madhe për kontinentin evropian, për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të tij. Ajo mbart një mesazh uniteti, solidariteti dhe harmonie. Gjithashtu, kjo ditë simbolizon detyrën e rëndësishme që iu dha Bashkimit Evropian: detyrën për paqen dhe prosperitetin në kontinentin tonë.
Ditë të tilla të rëndësishme ofrojnë një moment të mirë për reflektim, sidomos për mua, këtë vit më shumë se kurrë, pasi që jam në vitin e fundit të mandatit dhe do të largohem nga Kosova në verë. Për më tepër, kohët e fundit isha në një shkollë fillore, dhe fëmijët që shkolloheshin aty më dhanë një mësim të rëndësishëm: më bënë të kujtohesha për arsyet themelore pse jemi të gjithë këtu.
Dhe ju e dini se si është me 10-vjeçarët: nuk mund të flisni me ta për zhvillimet e politikave. Duhet t’u tregosh diçka që mund ta shohin, ta prekin, ta ndjejnë, ta imagjinojnë. Përndryshe, të kthehen me pyetje të shumta. Më duhet ta them se nuk ishte një detyrë e lehtë, por ja çfarë thashë: Bashkimi Evropian përfaqëson 27 shtete në Evropë që u bashkuan për t’i bërë gjërat më të mira, më të lehta dhe më të sigurta për qytetarët e tyre. Ata u pajtuan të punojnë së bashku, të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të sigurohen që të ketë paqe në Evropë dhe që qytetarët të kenë jetë të mirë dhe cilësore.
Shpresoj se do të pajtoheni me mua se kjo është dhe mbetet thelbi i BE-së dhe ne duam ta ndajmë këtë edhe me Kosovën. Kjo është arsyeja kryesore pse Bashkimi Evropian ka një prani kaq të rëndësishme këtu. Kështu, teksa fëmijët ishin shkëndija e këtyre reflektimeve, vazhdova të mendoj për katër vitet e fundit që kam kaluar në Kosovë.
Arrita në mes të pandemisë COVID-19 dhe, përkundër krizës së sistemit shëndetësor, izolimit, kufizimeve në lëvizje dhe kontaktit të kufizuar njerëzor, isha shumë krenar që isha dëshmitar dhe pjesë e mbështetjes së BE-së për Kosovën. Në këtë periudhë të vështirë, BE-ja mbështeti sektorin e shëndetësisë dhe ndihmoi për rimëkëmbjen socio-ekonomike të Kosovës pas pandemisë. Isha gjithashtu mirënjohës që personalisht e kam dorëzuar një pjesë të dërgesave të vaksinave.
Në fund të kësaj periudhe të trazuar, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme të ndjekura nga një periudhë e stabilitetit politik ku më në fund arritëm të ktheheshim në atë që ne e quajmë ‘punë të zakonshme’, ose atë që unë sot po e quaj arsyeja për ekzistencën tonë.
Gjatë këtyre viteve që lamë pas, një nga momentet më të ndritura të marrëdhënieve BE-Kosovë është padyshim miratimi përfundimtar i liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky hap i vonuar solli lehtësim shumë të nevojshëm dhe prej 1 janarit të këtij viti, qytetarët me pasaporta të Kosovës mund të udhëtojnë pa viza brenda zonës Shengen. Ky zhvillim simbolizon një afërsi të shtuar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe inkurajon bashkëpunim më të thellë.
Kishte shumë plane ambicioze për reforma dhe Kosova kishte një listë të gjatë të detyrave në agjendën e vet të integrimit evropian. Do të doja ta shfrytëzoj rastin për të nënvizuar një nga ato arritje të rëndësishme dhe themelore: miratimin e Ligjit të ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Isha veçanërisht i lumtur që pashë një përpjekje të tillë ndërpartiake që i mundësoi Kosovës të kalonte një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila adresoi shumicën e rekomandimeve të Misioneve të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Dëshiroj gjithashtu të përmend Paketën e Mbështetjes Energjetike, të cilën BE-ja e dizajnoi për të zbutur ndikimin ekonomik dhe social të krizës energjetike në familjet e cenueshme dhe NVM-të, si dhe për të mbështetur tranzicionin energjetik dhe sigurinë energjetike të rajonit në afat të gjatë. Kombinuar me disa zhvillime të tjera pozitive në fushën e tranzicionit të gjelbër, duke përfshirë Strategjinë e re për Energjinë, Ligjin e ri për Energji të Ripërtërishme, ankandin e parë solar dhe ankandin e dytë të planifikuar për energji nga era, jam i kënaqur që shoh Kosovën duke avancuar dalëngadalë në synimet e Agjendës së vet të Gjelbër.
Gjithashtu, dëshiroj të përgëzoj vendimin e fundit të qeverisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 në lidhje me manastirin e Deçanit. Ky paraqet një hap pozitiv përpara në çimentimin e sigurisë juridike ku vendimet gjyqësore të formës së prerë zbatohen dhe nuk vihen në dyshim.
Tani, të mos harrojmë se katër vitet e fundit nuk kaluan pa probleme. Për më tepër, ngjarjet e vitit të kaluar na kujtuan edhe një herë rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve në tryezën e diskutimit.
Kanë kaluar 2 vjet, 2 muaj, 13 ditë, dhe ende vazhdon agresioni i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës. Prej 24 shkurtit 2022, Unioni ynë ka qëndruar fuqishëm me Ukrainën, por edhe me partnerët e vet në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, ky është ende një konflikt i hapur në kontinentin tonë që e ndryshoi në mënyrë të papritur realitetin tonë.
Këtu, në Kosovë, ne dëshmuam një përshkallëzim serioz të situatës së sigurisë në veri të Kosovës në maj të vitit të kaluar me një shpërthim dhune që rezultoi me disa persona të plagosur, duke përfshirë pjesëtarë të trupave të KFOR-it. Dhe vetëm disa muaj më vonë, në shtator të vitit të shkuar, të gjithë mbetëm të tronditur me sulmin e dhunshëm kundër Policisë së Kosovës me një shkallë të paparë operacionale dhe sasi masive të armëve. Humbja tragjike e jetës së rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku duket si përkujtesë e rëndë dhe e dhimbshme se duhet urgjentisht ta ndryshojmë trajektoren e këtyre ngjarjeve.
Edhe një herë, kjo është arsyeja pse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të ecur përpara, përveçse nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt 2023, e ndjekur nga Aneksi i Zbatimit i 18 Marsit, janë që të dyja momente të rëndësishme në këtë drejtim dhe ato paraqesin një përparim të madh për Kosovën më shumë se të gjithë të tjerët. Është për të ardhur keq, mbi të gjitha për popullin e Kosovës, nga ky vit i kohës së humbur. Pra, është koha për të bërë një hap përpara për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në përputhje me temën time sot – pse jemi këtu – duhet ta rikujtoj se shtetet anëtare e riafirmuan angazhimin e BE-së ndaj zgjerimit në Samitin e dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor dhe me Konkluzionet e Zgjerimit të Këshillit. Për ne, zgjerimi mbetet një investim gjeostrategjik për paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet. Është shtytës për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve, duke reduktuar pabarazitë ndërmjet vendeve; zgjerimi duhet të nxisë vlerat mbi të cilat është themeluar Unioni.
Marrë parasysh sa më lart, Këshilli miratoi dje Instrumentin për Reformë dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, i cili përfaqëson një instrument të ri financiar për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon. Ideja është e thjeshtë: investimet vijnë ndërkohë që partnerët vazhdojnë me reformat që adresojnë çështjet themelore dhe përmirësojnë mjedisin e biznesit. Ky Instrument synon nxitjen e ekonomisë dhe krijimin e vendeve të punës, nëpërmjet një tregu të përbashkët rajonal dhe integrimit ekonomik progresiv me tregun unik të BE-së.
I takon Kosovës që të përfitojë nga potenciali i plotë i ofruar në agjendën më të gjerë të zgjerimit, por edhe me Instrumentin e ri për Reformë dhe Rritje. Teksa Unioni nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor në të, ne duhet ta shohim se anëtarët aspirantë si Kosova e bëjnë punën e nevojshme për të qenë pjesë dhe për të përfituar nga një Union i zgjeruar, i sigurt dhe i begatë.
Nëse e shikoni më nga afër gjithë rajonin, Kosova nuk po ecën më keq se cilido vend tjetër kandidat. Me këtë logjikë, nuk ka asnjë arsye pse ju të mos arrini të përparoni drejt Bashkimit Evropian me një ritëm të ngjashëm. Kjo është arsyeja pse është edhe më e rëndësishme që Kosova të bëjë zgjedhjet e duhura: zgjedhje që pasqyrojnë vullnetin dhe mirëqenien e popullatës dhe zgjedhje që janë në përputhje me vlerat tona të përbashkëta.
Për ta përfunduar, propozoj të ngremë një dolli. Le të ngremë një dolli për të promovuar dhe mbrojtur vlerat tona themelore: dinjitetin njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Le të ngremë një dolli për një Bashkimi Evropian të fortë, paqësor dhe të begatë. Dhe së fundi, le të ngremë një dolli për të ardhmen e Kosovës në familjen evropiane.
Happy Europe Day! Gëzuar Ditën e Evropës! Srećan Dan Evrope!
Faleminderit.