Shtator 19, 2024 | Thursday
Kampi Veror i SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë është një ngjarje gjithëpërfshirëse e dizajnuar për nxitjen e rritjes personale, kreativitetit dhe shpirtit të komunitetit në mesin e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Fushë Kosovë. Këtë vit, kampi i financuar nga BE-ja që u mbajt në Parkun e Pishave në fshatin Sllatinë në periudhën 5-9 gusht, mirëpriti gjithsej 92 fëmijë nga Programi për Forcimin e Familjes i SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë.
Kampi shërbeu si një hapësirë edukative ku fëmijët patën mundësinë të zhvillonin shkathtësi të reja, të krijonin lidhje kuptimplota dhe të përjetonin mësimnxënie përmes aktiviteteve të ndryshme. Nga sportet ngazëllyese si futbolli, taekwondo dhe kajaku deri tek aktivitetet kreative si piktura, këndimi, vallëzimi dhe truqe magjike, kampi ofroi pak nga të gjitha për secilin dhe secilën. Pjesë e kampit ishin edhe aktivitete edukative si eksperimentet shkencore, ekspeditat në natyrë dhe punëtoritë e riciklimit kreativ, duke inkurajuar vlera të rëndësishme si puna në grup dhe kujdesi për mjedisin.
“Përmirësimi i sistemit për mbrojtje të fëmijëve në Kosovë duke avancuar mundësitë e sistemit të kujdesit për fëmijë për t’iu përgjigjur nevojave të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe për mbrojtjen e fëmijëve nga cenueshmëritë dhe risqet e të qenurit në situatë rruge” është projekti i mbështetur nga BE-ja në kuadër të Aksionit “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë” në kuadër të të cilit u zhvillua Kampi Veror 2024. Prej fillimit të tij në tetor 2022, projekti ka siguruar resurset dhe mundësitë e nevojshme për jetesë më të sigurt dhe më shpresëdhënëse për fëmijët pa kujdes prindëror dhe ata të cenueshëm nga situatat e rrugës. Ndër shumë aktivitete të tjera të rëndësishme, Kampi Veror 2024 dëshmoi më tej përkushtimin e vazhdueshëm të BE-së për mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë. Ky përkushtim i ndihmoi SOS Fshatrave të Fëmijëve në Kosovë në arritjen e objektivave të veta duke i mbështetur që të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe pasurues për fëmijët.
Kampi Veror 2024 ishte më shumë se vetëm një javë argëtimi — ishte një hap i fuqishëm përpara në vizionin që ne ndajmë me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë për mbrojtjen dhe fuqizimin e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë.