Shkurt 26, 2025 | Wednesday

Përdorimi i sportit për të fuqizuar të rinjtë dhe për të luftuar diskriminimin

Nga Bleta Rexhepi, PLAY International Kosova

Në Kosovë, të rinjtë dhe të rejat përballen me diskriminim, ndasi shoqërore dhe rreziqe të radikalizimit.  PLAY International Kosova ka kohë që është e përkushtuar të përdorë sportin si mjet për edukim, përfshirje dhe ndryshime shoqërore.  Me historik të suksesshëm të projekteve me ndikim, PLAY vazhdon të sjellë risi dhe të përshtatë metodat e veta për të adresuar sfidat e rëndësishme shoqërore.  

Në korrik 2024, PLAY International Kosova bashkoi forcat me BE-në në përpjekjet e vetaj për të përdorur sportin për edukim, përfshirje dhe ndryshime shoqërore. Projekti i financuar nga BE-ja, Sport 4 Inclusion [Sporti për Gjithëpërfshirje], dëshmon se sporti mund të jetë një forcë e fuqishme për bashkimin e komuniteteve, forcimin e reziliencës dhe fuqizimin e të rinjve e të rejave për të ndërtuar një të ardhme më përfshirëse.  

Me mbështetjen e ofruar nga BE-ja dhe falë përkushtimit të partnerëve vendorlë, ky projekt synon të transformojë jetën e të rinjve e të rejave në Kosovë, duke i pajisur ata e ato me aftësi dhe vetëbesim për të sfiduar diskriminimin dhe për të promovuar kohezionin shoqëror. Ndërsa këta liderë të rinj e këto lidere të reja ndërmarrin hapat e ardhshëm në rrugëtimin e tyre, përpjekjet e tyre do të vazhdojnë të frymëzojnë ndryshime, duke siguruar që sporti të mbetet katalizator i fuqishëm për përfshirjen në Kosovë. 

Përmes aktiviteteve të bazuara në sport që promovojnë tolerancën dhe kohezionin shoqëror, projekti do të fuqizojë të rinjtë e të rejat e moshës nga 15 deri në 24 vjeç.  Projekti filloi me një studim diagnostikues tremujor për të identifikuar faktorët kyç që kontribuojnë në diskriminim. Të dhënat nga kërkimet dhe analiza e ekspertëve drejtuan zhvillimin e një pakete edukative të bazuar në sport që promovon reziliencën, të qenët mendje-hapur dhe mendimin kritik.

PLAY International Kosova ka shpallur tashmë thirrjen për aplikime të organizuar si pjesë e aktiviteteve të projektit të financuar nga BE-ja, Sport 4 Inclusion, përmes së cilës pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile (OSHC) në nëntë komuna do të ndjekin trajnime mbi pedagogjinë e PLAY-it, duke u mundësuar atyre të drejtojnë aktivitete kundër diskriminimit të cilat janë të bazuara në sport. Mbi 50 anëtarë të OSCH-ve do të trajnojnë 200 të rinj (50% gra të reja) përmes sesioneve javore që kombinojnë sportin me diskutime dhe debate për të zhvilluar sjellje pro-sociale.

Për të zgjeruar ndikimin, 50 vullnetarë të rinj do të trajnohen mbi menaxhimin e projekteve dhe planifikimin financiar, duke mundësuar që ata të zbatojnë 10 iniciativa në komunitet të drejtuara nga të rinjtë, nga të cilat do të përfitojnë mbi 600 qytetarë.  

Përmes lidershipit të të rinjve e të rejave, sporti vazhdon të nxisë ndryshime domethënëse shoqërore në Kosovë.