Shkurt 26, 2025 | Wednesday
Në një rajon ku e kaluara ende përbën pikë mosmarrëveshjeje, të rinjtë dhe të rejat nga Kosova po bëhen katalizatorë të platformave për dialog, pajtim dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Projekti i Dialogut Ndërkufitar të të Rinjve (CYD), i financuar nga BE-ja, po punon për të thyer barrierat dhe për të krijuar mundësi ndërveprimi për të rinjtë dhe të rejat nga Kosova dhe Serbia. Ndërkohë, Nisma për të Drejtat e Njeriut në Kosovë së fundmi ka hapur Muzeun e Fëmijëve të Luftës, që nxjerr në pah tregimet e atyre që e kanë përjetuar luftën si fëmijë. Të dyja këto iniciativa të YIHR-së në Kosovë luajnë rol jetik në promovimin e rëndësisë së kujtesës, dokumentimit dhe komunikimit në rrugën drejt pajtimit.
Tensionet etnike dhe narrativat nacionaliste, të promovuara veçanërisht në diskursin publik në nivel shtetëror, ende pengojnë progresin drejt pajtimit. Të rinjtë e të rejat që janë rritur në realitetin e pas-luftës, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, shpesh nuk kanë hapësira dhe platforma për t’u lidhur me njëri-tjetrin e njëra-tjetrën. Kjo është ajo që projekti i Dialogut Ndërkufitar të të Rinjve dëshiron të ndryshojë, duke sjellë platforma të strukturuara për shkëmbim ndërkulturor, lidership të të rinjve dhe angazhim qytetar.
Përmes shkëmbimeve të të rinjve, punëtorive të tregimeve, trajnimeve të të drejtave të njeriut dhe praktikave ndërkufitare, projekti CYD fuqizon aktivistët e rinj për të sfiduar stereotipat, për të avokuar për tolerancën dhe për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme. Duke forcuar rrjetet e shoqërisë civile dhe duke rritur pjesëmarrjen publike në përpjekjet për pajtim, projekti kontribuon në stabilitetin rajonal dhe i vë në pozicion qendror zërat e të rinjve të Kosovës dhe të Serbisë në proceset e ndërtimit të paqes, duke u lejuar atyre të formojnë një të ardhme të bazuar në bashkëpunim dhe jo në ndasi.
Loja e Ndërprerë dhe Muzeu i Fëmijëve të Luftës
Tregitariai mbetet një nga mënyrat më të thella për të ruajtur të kaluarën në diskutimet aktuale si mjet për të ndihmuar shoqëritë të përballen me traumën nga konfliktet. I hapur në janar 2025 nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, Muzeu i Fëmijëve të Luftës ofron një perspektivë për Luftën e Kosovës që është margjinalizuar kryesisht nga diskursi publik. Muzeu paraqet tregimet e atyre që ishin fëmijë gjatë luftës, duke ruajtur kujtimet dhe përvojat e tyre përmes objekteve, instalacioneve dhe dëshmive me video.
E titulluar “Loja e Ndërprerë” – për të treguar ndërprerjen e papritur dhe të dhunshme të lojës së atyre që ishin fëmijë gjatë luftës në Kosovë – ekspozita është frymëzuar nga dhjetëra tregime të personave që ishin fëmijë gjatë luftës në Kosovë.
“Gjatë luftës së fundit në Kosovë, u vranë 1133 fëmijë, prej të cilëve 109 janë ende të zhdukur. Lufta nuk i dha fund vetëm jetëve të pafajshme; për shumë fëmijë që mbijetuan luftën, përvoja traumatike shkaktoi një ndërprerje simbolike të fëmijërisë së tyre. Përballja me luftën shkaktoi një disonancë midis nevojës së tyre për t’u rritur në siguri, aftësisë për të përpunuar ngjarje dhe përvoja përtej zhvillimit të tyre emocional dhe nevojës për adaptim dhe rritje të parakohshme në kushtet e luftës,” thuhet në tekstin e kuratorit të ekspozitës.
Ekspozita, e dizajnuar për të ofruar një reflektim të vërtetë të ngjarjeve dhe narrativave të pjesëmarrësve të saj, shpalos një udhëtim në kohët e luftës, ku tregimet i shoqërojnë shikuesit në situata të fshehjes, ikjes dhe migrimit në kushte ekstreme, kampe refugjatësh, ballafaqimin traumatik me humbjen dhe vdekjen, kthimin në shtëpitë e djegura dhe lirinë dhe kaosin që lindi më pas. Ekspozita është kuruar për të ofruar perspektivën e zërave të ndryshëm, në mënyrë që secili zë të flasë nga një pozicion shoqëror dhe kontekst historik i njohur, pa iu nënshtruar narrativës së kuratorit, duke vënë kështu theksin te antagonizmi i përvojave. Përmes tregimeve të përvojave të fëmijërisë, ekspozita synon të kontestojë pabarazitë dhe margjinalizimin e grupeve shoqërore, të promovojë të drejtat e njeriut dhe të rrisë përfshirjen e narrativave nga individët që ishin fëmijë gjatë luftës. Të gjitha përvojat në këtë ekspozitë janë pjesë e historisë së përvojave nga konflikti. Të gjitha artefaktet janë treguese të përvojave personale të një periudhe sfiduese.
Të dyja këto iniciativa përbëjnë njohje të faktit se paqja e qëndrueshme nuk mund të arrihet pa njohur të kaluarën dhe pa krijuar mundësi për angazhim ndërkomunitar. Duke punuar me të rinjtë në Kosovë dhe në Serbi, këto iniciativa jo vetëm që kontribuojnë në fuqizimin individual, por edhe sfidojnë ndasitë më të gjera shoqërore.
Përmes programit për Ballafaqimin me të Kaluarën, rrjeti YIHR në Kosovë vazhdon të kontribuojë në krijimin e platformave për adresimin e të kaluarës dhe promovimin e paqes në Kosovë dhe rajon. Ky program përqendrohet në mbështetjen e iniciativave dhe rritjen e ndërgjegjësimit në mesin e popullatës së Kosovës për realitetet e luftërave të fundit në Ballkan. Ai synon të informojë kujtesën kolektive dhe të kontribuojë në përpjekjet për ndërtimin e paqes.