Mars 10, 2025 | Monday

Muaji i Grave Kosovare: Tregimi i QIKA-s 

QIKA do të vazhdojë të qëndrojë, të rezistojë dhe të sjellë ndryshime

Nga: Leonidë Molliqaj, themeluese dhe drejtore ekzekutive

Në gusht të vitit 2020, së bashku me një grup aktivistesh feministe, themelova Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion, shkurt QIKA. Ideja për QIKA-n lindi si një nevojë për të rezistuar, sfiduar dhe krijuar diçka që kishte munguar për një kohë të gjatë në Kosovë: një platformë e dedikuar feministe që do të informonte, ndërhynte dhe frymëzonte veprimin.

Në atë kohë, pabarazia gjinore nuk ishte thjesht një koncept abstrakt; ishte një realitet i jetuar nga gratë dhe vajzat në Kosovë. Diskriminimi sistemik, varësia ekonomike, dhuna në familje dhe nën-përfaqësimi politik ishin të rrënjosura thellë në institucionet dhe normat tona shoqërore. Ne pamë nga afër se si këto padrejtësi ishin normalizuar, se si diskursi publik dështonte t’i sfidonte ato dhe se si zërat feministë shpesh anashkaloheshin ose injoroheshin.

Përvoja ime e gjerë si gazetare investigative dhe aktiviste më ka sjellë më pranë realiteteve me të cilat përballen gratë, duke më motivuar të kërkoj një alternativë të re — një alternativë që jo vetëm siguron përfshirjen e grave në produksionet mediatike dhe në hapësirat publike në përgjithësi, por që gjithashtu krijohet nga gratë dhe i dedikohet atyre.

QIKA lindi si përgjigje ndaj këtyre realiteteve. Ne e imagjinuam një hapësirë ku kritika feministe mund të lulëzonte, ku çështjet gjinore nuk do të injoroheshin më si dytësore dhe ku aktivizmi mund të shkonte përtej veprimeve simbolike, duke u përkthyer në ndryshime të vërteta dhe të prekshme.

Megjithatë, konteksti i themelimit tonë ishte larg nga idealja. Në atë kohë, për shkak të pandemisë së COVID-19, bota ishte në krizë, gjë që vetëm sa i thelloi pabarazitë ekzistuese. Gratë e bartën peshën e krizës, të mbingarkuara me punë të papaguar kujdesi, duke u përballur me rritjen e dhunës në familje dhe me vështirësi të rënda ekonomike. Pandemia e bëri të qartë se barazia gjinore nuk ishte luks, por kërkesë themelore për një shoqëri të drejtë.

Pavarësisht sfidave të shumta me të cilat u përballëm, ne nuk u dorëzuam. Përkundrazi, u përshtatëm dhe vazhduam me ngulm. Mbajtëm takime virtuale me aktiviste, duke e zhvendosur diskutimin në një sërë platformash digjitale dhe vazhduam të prodhonim përmbajtje feministe që portretizonin realitetet e shtypjes.

Ajo që filloi si një nismë aktiviste, u shndërrua shpejt në një organizatë të strukturuar dhe me ndikim. QIKA nuk ishte vetëm një hapësirë për diskutim; ajo u bë një forcë rezistence, një platformë për ndryshim dhe një rrjet solidariteti feminist.

Një nga qëllimet tona kryesore ishte ndërhyrja në diskursin publik. Çështjet gjinore shpesh diskutoheshin në mënyrë të izoluar ose hidheshin poshtë si beteja individuale. Ne donim ta ndryshonim këtë bisedë, t’i sfidonim narrativat kryesore dhe t’i detyronim institucionet të merrnin përgjegjësinë që u takonte.

Për ta arritur këtë, ne krijuam platformën e parë mediatike në Kosovë të kushtuar feminizmit,  www.qika.org. Përmes raportimit të lajmeve, gazetarisë investigative, kërkimeve, përkthimeve dhe opinioneve kritike, ne ofruam një hapësirë shumë të nevojshme për zërat e grave dhe perspektivat feministe.

Ne e kuptuam se vetëm ofrimi i informacionit nuk ishte i mjaftueshëm — kishte nevojë për veprim. Pikërisht për këtë arsye aktivizmi u bë shtyllë kryesore e QIKA-s. Ndër vite, kemi protestuar kundër femicidit, dhunës në familje, varfërisë menstruale, diskriminimit në vendin e punës dhe neglizhencës institucionale. Kemi organizuar aksione simbolike, ndërhyrje në rrugë dhe fushata ndërgjegjësuese që janë përballur drejtpërdrejt me mizogjininë dhe seksizmin në hapësirat publike.

Pas më shumë se katër vjet punë, QIKA qëndron si një organizatë udhëheqëse feministe në Kosovë, me një rrjet të fortë të aktivisteve, gazetareve dhe studiueseve që punojnë pa u lodhur për të sfiduar padrejtësitë me bazë gjinore.

Ne jemi rritur nga një ide në një organizatë të strukturuar, por misioni ynë është ende larg përfundimit. Edhe pse është bërë njëfarë përparimi, barrierat me të cilat përballen gratë mbeten thellësisht të rrënjosura në institucionet, politikat dhe riprodhimin tonë shoqëror. 

Pikërisht për këtë arsye nuk kënaqemi me ndryshime simbolike.  Ne kërkojmë llogaridhënie, reforma strukturore dhe drejtësi transformuese të mirëfilltë. Puna jonë nuk matet vetëm nga numri i raporteve që publikojmë apo protestat që organizojmë, por nga ndikimi që arrijmë, politikat që avancojmë dhe jetët që ndihmojmë të ndryshojnë. 

QIKA është bërë më shumë se një organizatë; ajo është një komunitet feminist në lëvizje.  Një hapësirë ku gratë dhe vajzat e dinë se nuk janë vetëm.  Një lëvizje që nuk heshtet. 

Ajo mbetet një nismë që i bën rezistencë shtypjes që përjetojnë gratë në familje, vende pune, rrugë dhe institucione. Ne përpiqemi të praktikojmë dhe të kultivojmë një feminizëm përfshirës, një feminizëm ku gratë e të gjitha prejardhjeve, moshave, etnive, klasave, orientimeve seksuale dhe bindjeve fetare trajtohen në mënyrë të barabartë dhe mund të jetojnë të lira nga shtypja dhe diskriminimi.

Ne do të vazhdojmë të luftojmë për çdo vajzë të cilës i mohohet e drejta për arsimim, për çdo grua që përjeton dhunë, për çdo punëtore të nënvlerësuar dhe të papaguar më pak dhe për çdo aktiviste që guxon të ëndërrojë për një botë më të mirë.

QIKA do të vazhdojë të qëndrojë, të rezistojë dhe të sjellë ndryshime.

QIKA ka përfituar nga mbështetja e Bashkimit Evropian dhe e përafron punën e saj me udhëzimet e BE-së, Planin e Veprimit Gjinor të BE-së III dhe direktivat përkatëse të BE-së mbi barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. Aktualisht, në partneritet me Kosovo 2.0, QIKA po implementon projektin e financuar nga BE-ja, “Demokracia e Informuar:  Promovimi i një Ekosistemi Mediatik të Larmishëm dhe të Qëndrueshëm”. Si pjesë e këtij projekti, QIKA po punon në azhurnimin e platformës së hapur të të dhënave “1≠1” me treguesit e GAP III të BE-së, duke siguruar një dukshmëri më të madhe të të dhënave mbi barazinë gjinore në Kosovë. Përveç kësaj, QIKA do të kontribuojë në organizimin e punëtorive dhe trajnimeve për çështje gjinore, që synojnë fuqizimin e kapacitetit të gazetarëve dhe hulumtuesve për të integruar perspektivën gjinore në raportimet mediatike.