Mars 12, 2025 | Wednesday

Muaji i Grave Kosovare: Valdete Marevci-Dërmaku 

Vajzat në STEM, në krye të përmbysjes së normave dhe prijëse zhvillimit ekonomik

Në një fushë tradicionalisht të dominuar nga burrat dhe në një kohë sfiduese në aspektin politik e shoqëror, Valdete Marevci-Dërmaku u shkollua për Inxhinieri Makinerike. Pas kësaj, u bë gruaja e parë inxhiniere në ndërmarrjen publike Termokos dhe atë në pozitë udhëheqëse. Në këtë intervistë, ajo ndan me ne sfidat e rrugëtimit të saj profesional, bashkë me një mesazh për vajzat dhe gratë në profesione të ndryshme që të jenë të guximshme e të vendosura për t’u angazhuar në këto profesione, që sipas saj, janë vitale për zhvillimin ekonomik të një shteti. 

Europe House Kosovo: Zonja Valdete, ju keni studiuar në një fushë që ka qenë dhe vazhdon të jetë goxha e dominuar nga burrat, madje edhe në një periudhë kohore që ka qenë edhe më problematike për gratë sesa që është sot. Si keni vendosur të studioni në Fakultetin e Makinerisë? 

Valdete Dërmaku-Marevci: Fillimisht kam përfunduar shkollën e mesme për makineri në Ferizaj, pastaj Shkollën e Lartë për Makineri, prapë në Ferizaj. Pas kësaj, kam bërë një pauzë të shkurtër dhe në vitin 1997 jam regjistruar në Fakultetin Teknik në Universitetin e Prishtinës. 

E kam dashur shumë matematikën dhe fizikën në shkollë fillore. Të dy prindërit e mi kanë qenë punëtorë arsimi dhe më kanë mbështetur për zgjedhjen time. Drejtimet teknike edhe në atë kohë kanë qenë shumë sfiduese dhe të tilla vazhdojnë të jenë edhe sot. 

Kur erdha në fakultet në Prishtinë, ka pasur shumë pak vajza. Në gjeneratën time në drejtimin tim, kam qenë e vetmja vajzë. Mirëpo ka qenë krenari dhe na kanë respektuar shumë edhe profesorët edhe kolegët studentë. 

Europe House Kosovo: Pastaj?

Valdete Marevci-Dërmaku: Fakulteti Teknik në atë kohë ka pasur pesë vjet studime themelore. Pas përfundimit të studimeve themelore, unë vazhdova me studimet master. Anipse pas luftës u ndërrua sistemi, dhe ne që kishim mbaruar pesë vjet studime themelore, dy prej tyre na llogariteshin si master. Por megjithatë, unë vazhdova edhe studimet master, sepse dëshiroja që të mbetesha aktive akademikisht. 

Europe House Kosovo: Ju keni ardhur si studente në Prishtinë. Si e mbani në mend atë periudhë? 

Valdete Marevci-Dërmaku: Po, fillimisht para luftës konviktet kanë qenë të uzurpuara dhe ne kemi banuar në shtëpi private. E gjithë ajo kohë ka qenë shumë sfiduese për studentët. Mirëpo pas luftës, kur filluam të shkojmë në konvikte, anipse kemi pasur vështirësi të ndryshme, na ka mbajtur gëzimi i lirisë dhe vrulli rinor. 

Europe House Kosovo: Si u krijuan rrethanat që ju të punësoheni në Termokos, si e para dhe e vetmja grua inxhiniere? 

Valdete Marevci Dërmaku: Në fakt menjëherë pas diplomimit, unë u punësova në KFOR si inxhiniere për kontrollimin e kualitetit. Në bazën e KFOR-it në lagjen e sotme Arbëria, kontrollonim kualitetin e ndërtimeve që bëheshin aty. Kemi qenë një ekip prej gjashtë personash, inxhinierë të elektros, të ndërtimtarisë dhe të makinerisë. 

Pas KFOR-it, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në atë kohë kur po ndërtoheshin shumë institucione në Kosovë, kishte filluar punën për themelimin e Departamentit të Metrologjisë dhe unë u pranova në punë në atë departament. Por duke qenë se ishin fazat shumë të hershme, duhej trajnuar stafi për punë në metrologji, e Instituti i Metrologjisë atë kohë ishte në Prizren, ku unë fillova të ndjek trajnimin.

Gjatë kohës sa isha duke ndjekur trajnimin në Institutin e Metrologjisë në Prizren, aplikova për punë edhe në Termokos dhe pasi u pranova, vendosa të vazhdoj në Termokos. 

Europe House Kosovo: Si kanë qenë fillimet e punës suaj në Termokos, në çfarë pozite keni punuar? 

Valdete Marevci-Dërmaku: Në vitin 2004 fillova të punoj në Termokos si Inxhiniere Përgjegjëse për Mirëmbajtje, në Departamentin e Mirëmbajtjes Mekanike. Mirëpo, dy javë pasi fillova punë në Termokos, drejtori i atëhershëm i Departamentit u largua nga pozita pasi që kishte gjetur punë tjetër dhe unë menjëherë u zgjodha si ushtruese detyre e drejtores së Departamentit për Mirëmbajtje Mekanike. Nuk shkoi shumë kohë dhe me vendim u bëra Drejtore e Departamentit për Mirëmbajtje Mekanike. 

Domethënë dy javë pas fillimit të punës, u vendosa në një pozitë menaxhuese. Udhëheqja e një departamenti me 45 punëtorë dhe dy inxhinierë ka qenë sfidë shumë e madhe, mirëpo kam pasur përkrahje nga kolegët. 

Europe House Kosovo: Çfarë punësh kryente ky departament? 

Valdete Marevci-Dërmaku: Departamenti i Mirëmbajtjes Mekanike ka zhvilluar rrjetin, pra ka kryer instalimin e gypave nëpër terren, instalimet e nënstacionevesi dhe ka kryer të gjitha riparimet e nevojshme në rrjet. Poashtu kemi menaxhuar edhe riparimet e nevojshme në pajisjet e prodhimit, pra nëpër kaldaja të mazutit, sepse po flasim për një kohë kur Termokosi ende operonte me mazut. Tash fatmirësisht një pjesë e madhe e këtyre punëve kryhen përmes donacioneve apo nënkontraktorëve, mirëpo në atë kohë të gjitha këto punë i ka kryer Departamenti për Mirëmbajtje Mekanike.  

Europe House Kosovo: A vazhdoni të jeni në pozitën e Drejtores së Departamentit për Mirëmbajtje Mekanike? 

Valdete Marevci-Dërmaku: Jo, tashmë jam Koordinatore e Ndërmarrjes me institucionet tjera. Pra, koordinoj komunikimin dhe punët e ndërmarrjes të cilat lidhen me institucione të tjera të linjës, si zyra e rregullatorit dhe ministri të ndryshme të cilat kërkojnë raporte nga Termokosi. Bëhet fjalë për caktimin e tarifave, bilance të energjisë, planin zhvillimor të ndërmarrjes. Pra, secila informatë që lidhet me çështjet teknike të Termokosit, kalon përmes meje. 

Europe House Kosovo: Cila është puna që është duke e bërë Termokosi momentalisht në implementimin e masave të qëndrueshme dhe miqësore për ambientin? 

Valdete Marevci Dërmaku: Me realizimin e projektit të kogjenerimit në vitin 2014, Termokosi furnizohet me ujë të ngrohtë nga Kosova B dhe në fakt nuk është më ndotës, sepse më nuk operojmë me kaldaja me mazut dhe me asnjë kaldajë. Momentalisht jemi edhe në faza të fillimit të projektit për energji solare, i cili është projekt shumë kapital me 50 megavat energji termike dhe vlerë mbi 80 milionë euro. Poashtu, projekti tjetër për dyfishim të kapaciteteve ndërlidhet me projektin e kogjenerimit të vitit 2014, vetëm se tani do t’i marrim edhe 140 megavat të tjerë, prej të cilëve 40 shfrytëzohen për energji elektrike ndërsa 100 nga Termokosi. Pra, Termokosi do të zgjerohet me 150 megavat, 50 nga energjia solare dhe 100 nga Kosova B. 

Për këtë, në emër të ndërmarrjes dua ta falenderoj Komisionin Evropian që na kanë ndihmuar në çdo projekt dhe është gjithmonë krahë Termokosit në projektet zhvillimore, si në projekte të zgjerimit të rrjetit, edhe në projektin e kogjenerimit e tash edhe në projektin e energjisë solare dhe dyfishimit të kapaciteteve. 

Europe House Kosovo: Çfarë porosie keni për vajzat që sot janë në profesione të ngjashme si i juaji? 

Valdete Marevci-Dërmaku: I inkurajoj të gjitha vajzat që të orientohen në drejtime teknike sepse shumë gjëra varen nga inxhinieria. Inxhinierët e zhvillojnë vendin. Sidomos drejtimet e reja për mbrojtje të ambientit, efiçiencë të energjisë e burime të ripërtëritshme janë shumë atraktive dhe përpos kësaj, janë tejet të rëndësishme për kohën në të cilën po jetojmë. 

Vajzat janë shumë të përkushtuara. Kudo edhe në vendet e zhvilluara, ndërmarrjet e enrgjisë që kanë puënsuar gra dhe që udhëhiqen nga gratë janë më të suksesshme. Sepse gratë dhe vajzat janë menaxhere shumë të kujdeshme, të përkushtuara e të përgjegjshme. Gratë nuk marrin vendime ad-hoc, pa i analizuar mirë. 

Edhe në Termokos vajzat dhe gratë që janë të punësuara kontribuojnë shumë në ndërmarrje, sepse janë shumë të përkushtuara në punë dhe janë shumë të suksesshme. Një mesazh e kam për vajzat që të mos kenë frikë!