Mars 19, 2016 | Saturday
Nga Samuel Zhbogar, Shef i Zyrës së BE-së/Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë botuar në Sbunker
Bashkimi Evropian e ka njohur barazinë në mes të grave dhe burrave si të drejtë themelore dhe është zotuar të përmirësojë barazinë gjinore.
Ai arsyeton se çdo shoqëri, çdo organizatë duhet të përdor potencialin e plotë si të burrave ashtu edhe të grave. Kjo ka të bëj me drejtësinë sepse mundësitë e barabarta dhe njohja e barabartë duhet të garantohen për të gjithë. Megjithatë, barazia gjinore ka edhe kuptim në aspektin ekonomik. Gratë japin një kontribut të jashtëzakonshëm në ekonomi, qoftë në biznese, qoftë në ferma, si sipërmarrëse ose si punonjëse, ose duke u përkujdesur pa pagesë për shtëpinë. Studimet ndërkombëtare vazhdimisht kanë treguar se sa më të mëdha që janë mundësitë e grave për tu angazhuar në biznes, aq më i madh është përfitimi ekonomik për të gjithë. Siç ka deklaruar së fundmi Organizata Botërore e Punës, ekziston një lidhje pozitive ndërmjet menaxhimit më të madh nga femrat dhe performancës më të mirë të biznesit. Askujt nuk i leverdis që të injorojë talentin dhe ekonomitë kanë performancë më të dobët nëse përjashtohet 50% e popullsisë.
Përkundër faktit se ka një grua presidente, gratë e Kosovës mbesin shumë të nën-përfaqësuara në vendimmarrje në nivelin kombëtar dhe atë lokal.
Në Kosovë, fatkeqësisht kjo situatë është veçanërisht e rëndë. Sipas të dhënave të siguruara nga Profili Gjinor i Vendit, shkalla e punësimit të grave është përafërsisht 18%, më e ulëta në Evropë, krahasuar me 55% të meshkujve të punësuar. Vetëm një në dhjetë gra është e punësuar formalisht, ndërsa edhe një tjetër është duke kërkuar punë. Tetë të tjera kanë dal krejtësisht nga tregu i punës. Diskriminimi gjinor, rolet gjinore tradicionale, mbajtja e barrës për përkujdesje për fëmijët dhe për punët e shtëpisë nënkupton se gratë shpesh përfundojnë në vende pune të pasigurta dhe me pagë të vogël. Zbatimi efikas i të drejtave të grave në trashëgimi mbetet i kufizuar, përkundër faktit se sipas ligjit nuk duhet të ketë dallime në mes të grave dhe burrave.
Dhuna në familje mbetet problematike në Kosovë. Një raport i kohëve të fundit për Dhunën në Familje i përgatitur nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës konstaton se 62% e kosovarëve kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë në familje gjatë jetës së tyre. 41% e grave thonë se kanë përjetuar një dhunë të tillë gjatë vitit të kaluar.
Çka BE bën brenda, e promovon edhe për vendet e tjera.
Për Bashkimin Evropian, çështja gjinore është një çështjet gjithëpërfshirëse. BE-ja ka miratuar një Plan Veprimi Gjinor operacional i cili përcakton objektiva shumë të qartë për adresimin e barazisë gjinore në të gjitha aktivitetet tona. Një prej këtyre objektivave specifike është që barazia gjinore të vihet në mënyrë sistematike në agjendën e dialogut me vendet partnere. Duke pasur parasysh ketë, ne kemi punuar ngushtë me Qeverinë e Kosovës, me Kuvendin dhe me shoqërinë civile për adresimin e këtyre çështjeve. Në aspektin lokal në Kosovë, një vegël shumë konkrete është Dialogu i Procesit të Stabilizimit dhe Asocimit për Drejtësi, Liri dhe Siguri. Në takimin e radhës në janar të vitit 2016, ne sërish do të ngrisim çështjet e cekura më lartë dhe do t’i bëjmë trysni qeverisë që të përmbush zotimet e veta.
Në maj 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar paketën e ligjeve për të drejtat e njeriut, përfshirë edhe ligjin e ri për barazi gjinore. Ky është një ligj i mirë. Tani është koha të sigurohet zbatimi i tij i plotë. Kjo kërkon veprim nga qeveria dhe avokim nga shoqëria civile. Kjo kërkon që gratë në Kosovë të vazhdojnë të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre: të luftojnë për to, të ngrisin zërin për to dhe të mos kënaqen vetëm me fjalë boshe. BE-ja do të vazhdojë përkrahjen.
Në fund më lejoni të përfundoj me fjalët e Federica Mogherinit, Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, “Progresi në të drejtat e grave është progres në të drejtat e njeriut. Shoqëritë që u japin grave mundësi të barabarta për të prosperuar dhe për të marrë pjesë lirshëm në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike janë më paqësore dhe prosperuese. Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian e ka promovuar barazinë gjinore që nga fillimi – si brenda BE-së ashtu edhe jashtë saj. Të ndihmuarit e grave dhe vajzave që të përparojnë është pjesë e ADN-së së BE-së”.