Mars 19, 2016 | Saturday

Zbatimi i MSA-së me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik të Kosovës

Shkruar nga Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj Gerrie Willems

Holanda aktualisht mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Si mbajtës i Presidencës, Holanda mbështetë Marrëveshjen e re të Stabilizim Asociimit (MSA) në mes të Kosovës dhe BE-së. Kjo është në përputhje me prioritetet e Holandës për mbështetjen e Sundimit të Ligjit në Kosovë, me qëllim të nxitjes së stabilitetit demokratik dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

 


Prioritetet e Presidencës së BE-së nga Holanda

Çdo mbajtës i Presidencës harton agjendën 6 mujore me arritjet që vendi dëshiron t’i realizojë gjatë mandatit të tij. Holanda gjatë presidencës së saj të BE-së fokusohet në katër fusha prioritare:

  1. Migrimi dhe siguria ndërkombëtare;
  2. Politikat largpamëse klimatike dhe energjetike;
  3. Financat e shëndosha dhe një Eurozonë e fuqishme;
  4. Evropa si novator dhe krijues i vendeve të punës.

Në raport me Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, Holanda punon drejt sigurisë dhe stabilitetit rajonal, bashkë me promovimin e reformave sociale, ekonomike dhe politike. Të gjitha këto janë në qendër të shoqërive elastike dhe të hapura, institucioneve funksionale, financave të shëndosha publike, krijimit të vendeve të reja të punës dhe novacionit në ekonomi.

Sundimi i ligjit për zhvillim ekonomik

Në janar të vitit 2016, Parlamenti Evropian ratifikoi marrëveshjen e stabilizim asociimit (MSA) në mes të BE-së dhe Kosovës. MSA-ja krijon marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës, në të cilën të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella do ta ndihmojnë Kosovën në miratimin e standardeve evropiane. Kjo marrëveshje ofron një mundësi unike për Kosovën që ta forcojë sistemin e saj të sundimit të ligjit me qëllim të nxitjes së zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Ekziston konsensusi në mes të shkencëtarëve dhe hartuesve të politikave se zhvillimi ekonomik ka nevojë për institucione të forta, sundim të ligjit funksional dhe klimë për mbështetjen e biznesit. Është fakt se kornizat ligjore sigurojnë bazën për të gjitha aktivitetet ekonomike; paratë, të drejtat pronësore, kontratat, transaksionet, qasja në drejtësi dhe mundësitë për investime, por edhe për mirëqenien dhe mbrojtjen e punonjësve kundër eksploatimit dhe konkurrencës së pandershme. Investimet dhe tregtia janë të pamundura pa siguri ligjore.

Progresi në Kosovë

Kur e shohim ekonominë e Kosovës sot, mund të konstatojmë se Kosova ka bërë progres në trajtimin e këtyre mangësive në sundimin e ligjit që pengojnë zhvillimin ekonomik. FMN-ja kohët e fundit ka deklaruar se qasja në kredi pritet të përmirësohet falë heqjes së pengesave ndaj kredive bankare, siç janë dobësitë në përmbarimin e kontratave. Komisioni Evropian deklaroi në raportin e tyre më të fundit për shtetet se Kosova ka harmonizuar të drejtat e autorit, të drejtat fqinjësore dhe ligjet për patenta dhe marka tregtare me acquis të BE-së.

Besimi në sundimin e ligjit

Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë. Përderisa në disa fusha kuadri ligjor ekziston, zbatimi paraqet thelbin dhe këto ligje dhe rregullore duhet të zbatohen plotësisht. Këtu futen në lojë institucionet e forta dhe funksionale qeveritare. Sepse përmbarimi i ligjit varet nga vendimet e marra nga qeveria dhe atë sesa institucionet publike janë efektive dhe efikase për t’i realizuar ato. Aktualisht, kompanitë vendore dhe ndërkombëtare si dhe qytetarët e rëndomtë janë të pasigurt në investimet e tyre dhe shpenzimet private, prandaj humbasin besimin tek sistemi i sundimit të Ligjit. Dhe besimi i ulët në sundimin e ligjit do të thotë më pak perspektiva për rritje ekonomike.

Prioritetet e qeverisë

Pra, që sundimi i ligjit të funksionojë dhe ta nxisë zhvillimin ekonomik, qeveria duhet t’i caktojë prioritetet; për ato që i konsideron zhvillime thelbësore dhe të dëshiruara për qytetarët e saj në këto dy fusha, dhe pastaj duhet t’i zbatojë ato prioritete.

Për Kosovën do të thotë se në fushën e Sundimit të Ligjit, qeveria do të duhet të vazhdojë të punojë në drejtim të eliminimit të dobësive në përmbarimin e kontratave dhe në performancën e gjyqësorit, në mënyrë që tregu lokal të bëhet më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë. Kjo do të thotë se transparenca dhe llogaridhënia në proceset e prokurimit publik duhet të jetë e garantuar, që paraqet një hap të madh përpara në luftimin e korrupsionit. Kjo gjithashtu do të thotë se qeveria nuk duhet vetëm të sigurojë se dispozitat ligjore për të drejtat e barabarta të trashëgimisë janë në vend, por se qeveria duhet të vazhdojë t’i trajtojë publikisht sfidat e mbetura ndaj pozitës së gruas në shoqëri.

Njëkohësisht, autoritetet e Kosovës gjithashtu duhet t’i trajtojnë sfidat e mbetura ndaj funksionimit të administratës publike. Për zhvillimin ekonomik, aplikimi i duhur i rregullave dhe i rregulloreve për mbështetje ekonomike dhe konkurrencë nga aktorët shtetërorë është faktor kyç. Përsëri, kjo do të thotë se transparenca dhe llogaridhënia në proceset e tenderimit publik duhet të jetë e garantuar. Ajo gjithashtu ngërthen realizimin e ndryshimeve të politikave që sigurojnë përmirësimin e lidhjes midis sistemit arsimor dhe tregut të punës, dhe një disiplinë më të mirë në respektimin e rregullit fiskal dhe Ligjit për Financat Publike, në vend të vendimmarrjes fiskale ad hoc.

Me pak fjalë, forcimi i sundimit të ligjit për zhvillim ekonomik është domosdoshmëri, por kjo përfshinë vendime se si të realizohen të gjitha këto, së bashku me zbatimin aktual të këtyre vendimeve. Sepse pa zotim të demonstrueshëm, do të mungojë besimi i qytetarëve dhe i kompanive në funksionimin e shtetit dhe sundimin e ligjit. Siç u tha më parë: besimi i ulët në sundimin e ligjit do të thotë rritje ekonomike nën-optimale.

Mbështetja holandeze

Për këtë arsye Holanda mbështetë Marrëveshjen e re të Stabilizim Asociimit (MSA) në mes të Kosovës dhe BE-së. MSA-ja është një instrument i rëndësishëm për Kosovën që mund t’i ndihmojë qeverisë që të përqendrohet në ato elemente thelbësore që kanë nevojë për përmirësim të mëtejshëm në fushën e sundimit të ligjit, që në anën tjetër do të mbështesin rritjen e qëndrueshme ekonomike në Kosovë. Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë do të vazhdojë në mënyrë aktive t’i ndihmojë autoriteteve kosovare dhe shoqërisë civile në përmirësimin e sundimit të ligjit në mënyrë bilaterale, përmes BE-së dhe përmes organizatave ndërkombëtare. Kjo mbështetje përfshinë hartimin e politikave, trajnimin, vendosjen e ekspertëve dhe zbatimin e aktiviteteve konkrete.

Në janar 2016, qeveria e Kosovës miratoi Strategjinë e re Kombëtare të Zhvillimit 2016-2021. Së bashku, MSA-ja dhe Programi i Reformës Ekonomike, përbëjnë mjetet e nevojshme për qeverinë që të fillojë punën në adresimin e sfidave kryesore në fushën e sundimit të ligjit dhe në administratë publike. Të theksoj edhe një herë, zotimi i demonstrueshëm dhe i dukshëm për shoqërinë në lidhje me zgjidhjet e bëra dhe prioritetet e caktuara është vendimtar. Suksesi varet nga disiplina që të gjitha këto të vihen në funksion për të mirën e qytetarëve të Kosovës.