Prill 28, 2017 | Friday
Studimet praktike universitare në Finlandë dhe ndoshta në Kosovë në të ardhmen.
Modeli i arsimit të suksesshëm të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Häme (HAMK).
Nga: Antti Isoviita – Universiteti HAMK për Shkencë të Aplikueshme
E vetmja gjë e qëndrueshme është ndryshimi i vazhdueshëm. Gjatë ndryshimit, shumë shpesh harrohen sistemet e vjetra të mira dhe praktikat më të mira. Mësimi mundet dhe duhet të jetë argëtim dhe motivim. Fëmijët e vegjël e mësojnë p.sh. gjuhën e tyre amtare jo duke e lexuar gramatikën, por e duke shfrytëzuar metodën e dëgjimit, imitimit dhe pyetjeve. Shumë shpesh të nxënit bazohet në gjykim dhe gabim – ‘mësimi duke bërë’ dhe ‘mësimi duke bërë gabime’.
Si keni mësuar t’i përdorni shkopinj kinez? Jo duke lexuar libra, por ‘mësimi duke bërë’ dhe duke u përpjekur. Dhe shpesh kjo përvojë ka qenë interesante dhe motivuese dhe madje argëtuese, sidomos kur miqtë tuaj kinez ju ndihmonin duke ju treguar mënyrën e duhur dhe duke iu dhënë reagime pozitive.
Si keni mësuar të ngisni biçikletën ose të gatuani ose ta përdorni kompjuterin ose celularin? Mësimi duke bërë dhe u përpjekur. Kjo është metoda më e mirë, në qoftë se synoni t’i mësoni aftësitë dhe kompetencat e nevojshme në botën e punës, sidomos në universitetet e shkencave të aplikuara. Ndonjëherë është më mirë që të verifikohet diçka nga librat dhe nga teoria kur studioni çështje shumë të komplikuara.
Qeveria e Kinës ka vendosur që ta bëjë ndryshimin më të madh arsimor në të gjithë botën. Do të bëhet transformimi i 600 Universiteteve të porsaformuara kineze në Universitete të Shkencave të Aplikuara (USHA) brenda gjashtë viteve, 2014-2020. Arsyeja prapa këtij ndryshimi të madh është se në të ardhmen të diplomuarit do të kenë nevojë jo vetëm për njohuri teorike, por edhe aftësi praktike dhe kompetenca.
Këto Universitete kineze të porsaformuara do të përqendrohen në Shkenca të Aplikuara. Ka nevojë për model të ri të arsimit në Kinë – përmirësimi i cilësisë së të diplomuarve – Kurrikulumi dhe përmbajtja e re, si dhe mësimi në bazë të nevojave të kompanisë. Të diplomuarit duhet t’i kenë shkathtësitë dhe kompetencat e nevojshme në jetën e biznesit.
Në Kinë i gjithë sistemi arsimor është në ndryshim të madh – nga orientimi akademik drejt shkathtësive dhe kompetencave, bazuar në nevojat e industrisë. Kjo përfshinë kërkesën që mësimdhënësit ta kenë kualifikimin akademik si dhe të industrisë. Qeveria kineze është duke i shfrytëzuar përvojat arsimore të USHA finlandeze i cili filloi në Kampusin e HAMK në Valkeakoski 25 vjet më parë në janar të vitit 1992. HAMK është i vetmi universitet në Finlandë i cili e ka marrë certifikatën SAFEA (Administrata Shtetërore e Ekspertëve të Punëve të Jashtme) nga Ministria e Arsimit në Kinë.
Misioni i HAMK është që të ofrojë arsim të lartë profesional të përshtatur për ta mbështetur zhvillimin profesional të nxënësve, kërkesat e botës së punës dhe për të realizuar Kërkim e Zhvillim të rëndësishëm për rajonin. HAMK është shpërblyer në nivel kombëtar për efektivitet rajonal. HAMK i ndjekë parimet e ‘Mësimit bazuar në projekt’. Çdo kurs dhe modul përfshinë projekte me kompanitë. Nxënësit realizojnë hulumtime dhe zhvillojnë raste për kompanitë, duke punuar si asistentë. Çdo student e bën praktikën 5 mujore në kompani, dhe e shkruan tezën përfundimtare për një kompani.
Kur studentët i fillojnë studimet, ata duhet ta gjejnë një kompani me të cilën ata bashkëpunojnë gjatë studimeve dhe i bëjnë projektet e tyre studimore. Kjo e shton orientimin afarist të studentëve dhe të arsimit, dhe gjithashtu ia jep kompanive mundësinë për t’u përfshirë në arsimimin e profesionistëve të ardhshëm. ‘cSchool’ është një model studimi ku studentët studiojnë tërësisht në projekte të bazuara në kompani (6-8 javë).
Një prej hapësirave mësimore është ‘Amazing Business TrainTM’ e cila ka për qëllim sigurimin e përvojës shumë konkrete dhe intensive mësimore për ndërmarrësi. Studentët kërkojnë dhe zhvillojnë ide të reja të biznesit ose i zhvillojnë sfidat e jetës afariste, i modelojnë ato në veprime të biznesit dhe krijojnë rrjete të reja për zbatimin e këtyre ideve.
Praktikat më të mira të HAMK – Projekti i hyrjes në treg, në hije të punës, kultura e trajnimit, mentorimi, Model Canvas, cSchool & Amazing Business TrainTM mund të zbatohen në Kosovë për ta përmirësuar mundësinë për punësim të të studentëve si dhe për rritjen e bashkëpunimit me kompani. Ministria e Arsimit në Kosovë mund t’i dërgojë nxënësit dhe mësimdhënësit në Finlandë për ta studiuar modelin finlandez të arsimit të suksesshëm. Pas studimit dhe periudhës së mësimit në Finlandë, fokusi i mësimdhënësve nuk do të jetë mësimdhënia, por rezultatet mësimore të studentëve.
Mësimi është argëtim. Më pak teori – më shumë mësim. Praktika të bën të përsosur.