Dhjetor 4, 2017 | Monday

Qasja në dokumente, sinjalizuesit dhe gërmimi në llogaridhënie

Në vitin 2013, dy herë pata bërë kërkesë në Ministrinë e Punëve të Jashtme për të parë se cilët zyrtarë të shtetit kanë përfituar nga notat verbale dhe një herë tjetër për shpenzimet në udhëtimet jashtë vendit të zyrtarëve të kësaj ministrie. Në asnjërën prej kërkesave nuk mora përgjigje.

Përjashtimet përcaktojnë rastet kur institucioni mund refuzojë qasjen në dokumente nëse kjo rrezikon interesin publik, sigurinë publike, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe privatësinë e individit.

Informacioni që kërkoja nuk prekte asnjërën nga këto. Por megjithatë kërkesat u refuzuan.

Mos përgjigja e institucionit brenda afatit prej 7 ditësh konsiderohet si refuzim dhe i jep të drejtë parashtruesit të nisë procedurën gjyqësore kundër institucionit ose të bëjë ankesë tek Avokati i Popullit. Kisha zgjedhur këtë të fundit.

Por edhe këtu nuk mora përgjigje.

Tre muaj pasi kisha kontaktuar vetë Avokatin, zyrtarja që kishte pranuar kërkesën më kontaktoi duke më sqaruar se ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme për t’i kërkuar ofrimin e informacionit. Asnjë gjurmë nuk kishte që kjo të ketë ndodhur. Për t’iu drejtuar gjykatës afati ligjor kishte kaluar.

Qasja në dokumente publike si një prej  komponentëve thelbësore të transparencës dhe përgjegjësisë vazhdon të sfidohet nga mungesa e mekanizmave që e bëjnë funksionale llogaridhënien.

E drejta për të kërkuar dhe pasur informacionin publik është minuar nga qasja e fragmentuar dhe e paqartë e autoriteteve duke ndikuar direkt në rënien e nivelit të kërkesave të mediave për qasje në dokumente.

Gazetarët në Kosovë, në shumicën e rasteve, nuk e shfrytëzojnë  të drejtën për të kërkuar informacionin zyrtar. Por, edhe në ato raste kur kjo ndodhë, përgjithësisht privohen nga e drejta për qasje në materien e dokumenteve publike, të pa klasifikuara, në një industri të vërshuar nga  raportimet e pa bazuara dhe pa ndonjë kontroll  formal të fakteve.

Refuzimi për qasje në dokumente  publike përligjet shpesh me shpjegime të papërgjegjshme që zakonisht vijnë në emër të “cenimit të privatësisë” ose të “dhënave personale”.

Në jo pak raste Agjencia për Mbrojtjen e të  Dhënave Personale është shndërruar në një gardian të kufizimit të ofrimit të dokumenteve publike duke marrë në mbrojtje zyrtarët që shkelin ligjin.

Në dritën e veprimeve të këtij mekanizmi shtetëror, e sidomos nuancat e qarta të politizimit të tij, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë rekomandoi transformimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale  në Zyrën e Komisionerit për Informacion. Përderisa dizajni i këtij mekanizmi nuk është qartësuar, gazetarët dhe Avokati i Popullit po konsiderojnë se kjo ka gjasë të prekë në përgjegjësitë e këtij të fundit.

Deri më tani gjykata ka vendosur vetëm në dy raste në favor të ankuesve për mos qasje në dokumente publike, përderisa vendimet gjyqësore janë shpërfillur nga ekzekutivi të cilin gjykata e kishte gjetur përgjegjës për refuzim.

Në të njëjtën atmosferë janë mbytur edhe sinjalizuesit e korrupsionit. Në ato pak raste kur ka pasur sinjalizim dhe njerëz të gatshëm për raportim, zërat janë heshtur nga mungesa e mbrojtjes së tyre, sulmet degraduese dhe kërcënimet direkte.

Kjo vazhdon të lë shteg për abuzuesit dhe më shumë nevojë për kanalet e informacionit që vijnë përmes burimeve të diskutueshme, e që shpesh qëllojnë të jenë manipulues të mbështjell me ambalazhin e kastave që u përkasin.

Derisa pushteti në vend ka ngritur nivelin e armatimit të mediave sociale me njësi të gatshme ekzekutuese që etiketojnë hulumtuesit e abuzimeve si armiq, ajo që Christian Amanpour e quajti së fundi si “makth dystopian” është kthyer në një rregull.

Në fund të vitit 2016, Bashkimi Evropian në pjesën e raportit për Kosovën ndërroi rutinën e terminologjisë së punës. Në  pjesën për sundimin e ligjit dhe lirinë e medave përmendi se :“Demokracia dhe sundimi i ligjit sfidohen vazhdimisht, në veçanti për shkak të kapjes së shtetit që ndikon në funksionimin e institucioneve demokratike dhe në çështjet kyçe të shoqërisë”.

Në një ambient me liri të pjesshme dhe me një qasje gjysmë autoritare të pushtetit, kjo ka ndikuar në rritjen e  tabloidizmit të mediave duke dërmuar gazetarinë e mbështetur në fakte dhe të analizuar mirë.

Nëse më nuk vriten në mënyrën klasike, gazetarët dhe sinjalizuesit megjithatë vazhdojnë të shtypen nën peshën e censurës dhe veprimeve “brenda” ligjore.