Mars 22, 2016 | Tuesday
Qendrat Informative dhe Kulturore në Prishtinë dhe Mitrovicë kanë lansuar fushatën “BE ka të bëjë me parandalimin e dhunës në baza gjinore” me një seri të shfaqjes së filmave dhe debate që kan filluar këtë muaj. Të dyja qendrat shfaqën filmin fitues të festivalit të filmit Sundance, “Tyrannosaur” nga Britania e Madhe, me regji të Paddy Considine. Filmi trajton temën e dhunës në familje si dhe efektin shkatërrues që kjo ka në jetën familjare.
Pas shfaqjes së filmit, të dyja qendrat kanë zhvilluar debate me panelistë nga fusha e kinematografisë dhe aktiviste të të drejtave gjinore në vend.
Leonora Selmani, përfaqësuese e Agjencisë për Barazi Gjnore foli për iniciativat institucionale në luftën kundër dhunës në baza gjinore dhe theksoi se kjo nuk duhet të ndodh vetëm në 16 ditët e fushatës aktiviste të shoqërisë kundër dhunës gjinore, por të jetë kjo një përkushtim i përhershëm i qeverisë. “Është shumë e rëndësishme të punohet në parandalimin e dhunës sepse vetëm trajtimi dhe mbrojtja nuk janë të mjaftueshme si të tilla”, tha Selmani.
Blerta Zeqiri, regjisore nga Kosova theksoi se arti është shumë i rëndësishëm si medium për të ngritur vetëdijësimin kundër dhunës. “Është e rëndësishme të shpërdahen mesazhe politike përmes artit dhe kinemasë, sepse kur njerëzit shohin një film i cili trajton një temë të caktuar, ata bashkëndjejnë me personazhet dhe kjo i shtyen ata të reflektojnë”, tha regjisorja Zeqiri nga Prishtina.
Panelistja Ruzica Simic dhe Milica Orlovic në EUICC – Mitrovica Veriore i ndanë përvojat e tyre nga puna që kanë bërë me institucionet dhe përkushtimin e treguar në betejën për të zgjidhur këto sfida të vështira. Si zyrtare rajonale e projektit të UNDP –së, Milica Orlovic ofroi opinionin e saj rreth temës, duke nënvizuar se dhuna në baza gjinore ndodh për arsye të pushtetit të pabarabartë mes grave dhe burrave. “Diskriminimi ndaj gruas dhe keqpërdorimi i pushtetit paraqet një ndër format më ekstreme të saj”, tha Milica Orlovic.
Audienca ishte e përfshirë në tematikën e filmit duke e sjellur vëmendjen tek mungesa e mekanizmave efikas në nivel institucional, dhe në veçanti mobilizimin e zyrtarëve të policisë për të trajtuar raste individuale, në rastet kur ushtrohet dhunë në baza gjinore.
Pjesa më e rëndësishme e kësaj ngjarje, sidomos në EUICC – Mitrovicë Veriore, ishte momenti kur njëra ndër pjesëmarrëset ndau me të pranishmit një histori të rëndë abuzimi, dhe përvojën e saj personale me dhunën duke treguar se është e mundur të tejkalohet mentaliteti i viktimës.
Cikli i shfaqjes së filmave dhe debatit në Qendrat Informative dhe Kulturore në Prishtinë dhe Mitrovicë Veriore do të vazhdojë edhe gjatë muajit janar, si pjesë e fushatës së EUICC-së për parandalimin e dhunës në baza gjinore. Në kuadër të kësaj fushate do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera si debate dhe ligjërata. Me datën 17 dhjetor, Qendra Informative dhe Kulturore në Prishtinë organizon ligjëratë mbi temën e të drejtave pronësore.