Mars 22, 2016 | Tuesday
Qendrat e EUICC-së në Prishtinë dhe Mitrovicë filluan fushatën “BE ka të bëjë për parandalimin e dhunës në bazë gjinore”, që do të vazhdojë gjatë muajit dhjetor dhe janar. Për fillimin e kësaj fushate, në të dy Qendrat u shfaq filmi Britanez “Tyrannosaur” nga regjisori Paddy Considine njëkohësisht edhe filmi fitues në Festivalin e Filmit Sundance, i cili ka të bëj me temën e dhunës në familje dhe ndikimin e saj shkatërrues në jetën familjare. Filmi u pasua me një diskutim me panelistë nga fusha e kinematografisë dhe me avokuesit e barazisë gjinore në Kosovë, në të dy qendrat.
Në Prishtinë, Leonora Selmani, përfaqësuese e Agjencisë për Barazinë Gjinore, foli për iniciativat institucionale për luftimin e dhunës në bazë gjinore. Blerta Zeqiri, regjisore nga Kosova theksoi se arti është shumë me rëndësi si mjet për rritjen e vetëdijes kundër dhunës.
Panelistet Ruzhica Simic dhe Milica Orlovic në EUICC në Mitrovicën Veriore e ndan përvojën e tyre gjatë punës me institucionet dhe përkushtimin e tyre për zgjidhjen e këtyre çështjeve sfiduese. Audienca mori pjesë në diskutimin për temën e filmit duke tërhequr vëmendjen në mungesën e mekanizmave efektiv në nivelin institucional e veçanërisht mobilizimin e zyrtarëve policor për tu marrë me rastet individuale kur ushtrohet dhunë në bazë gjinore.
Në muajin dhjetor u mbajt një seri e ligjëratave me ekspertë në EUICC. Ligjërata e parë për të Drejtat Pronësore të Grave dhe Trashëgiminë u mbajt në qendër me 17 dhjetor. Merita Limani, eksperte për Barazinë Gjinore dhe të Drejta Pronësore në Programin për të Drejtat Pronësore në Kosovë të financuar nga USAID-i, diskutoi për intervenimet kryesore të këtij programi, sfidat dhe sukseset e tanishme si dhe aftësitë që duhet të zhvillohen në tërë Kosovën për të përmirësuar fushën e të drejtave pronësore. Studimet e fundit kanë treguar se një shifër alarmuese prej vetëm 3.8% e grave në Kosovë trashëgojnë pronë, ose përmes familjes ose në martesë. “Arsyeja pse një numër kaq i vogël i grave trashëgojnë pronën qëndron në faktin se ka një normë ose qasje shoqërore e cila ua pamundëson grave dhe vajzave të kërkojnë pronë, pavarësisht se ku jetojnë gjeografikisht”, tha znj. Limani.
Fushata e EUICC për parandalimin e dhunës në bazë gjinore do të vazhdojë në janar të vitit 2016 dhe do të përmbaj aktivitete të ndryshme me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit për të drejtat dhe barazinë gjinore në Kosovë.