Maj 3, 2018 | Thursday
Kur kam qenë vetëm 7 vjeçar, babai më regjistroi në një kurs të vallëzimit popullor. Vallet tradicionale nuk i kisha fort në qef por më vonë e kuptova se dashuria për vallen dhe për këngët popullore veç sa do të rritej. Asokohe, e nisa me këmbë të mbarë këtë pjesë të jetës sime që do të zgjaste më shumë se 12-të vite. Pra isha për kaq kohë një vallëtar ndoshta edhe profesional i valleve tradicionale shqipe.
Por kjo nuk ishte shkolla dhe disi e mendova fillimisht si një fëmijë i pasherr që nuk po merrja ndonjë mësim prej këtij aktiviteti. Prapë, angazhimi kryesor ishte shkolla, ditët e mësimit, detyrat e shtëpisë, edukimi brenda ndërtesës që gjendej tre minuta larg banesës sime. Si fëmijë e kisha të fiksuar në mendje se shkolla dhe edukimi ishin vetëm brenda “Ismail Qemalit” – shkollës ku e kalova bazën e shkollimit tim.
E në shkollë nisën ditët e vërteta. Këtu nisi edukimi me historinë e shqiptarëve, me muzikën e Betovenit e Mozartit, me gjeografinë, me gjuhën angleze pak më vonë, me filozofinë e me sociologjinë, kuptohet fillimisht me lëndët e lehta e më pas në pjesën e dytë të shkollimit edhe me lëndë më sfiduese, dhe deri në përfundimin e nëntë klasave edhe unë si shokët e shoqet morrëm çka morrëm e nuk morrëm shumë gjëra rreth përgatitjes për të dalë në jetë dhe më pas, edhe në tregun e punës.
Lidhjen mes paragrafit të parë dhe të dytë e të tretë të këtij shkrimi e kam te edukimi shkollor dhe ai jashtë shkollës. E bukura e fëmijërisë sime ishte kjo, që i bëja dyjat. Dhe një fëmijë që i bën dyjat, në luksin e të pasurit siguri financiare nga prindërit, është gjithmonë një fëmijë me një mendësi më ndryshe.
Mund ti fajësojmë profesorët për dështimet tona, por për nëntë vite ka pasur material e material që ne është dashur ta përvetësojmë.
Arsimi në shkollat kosovare i ka sfidat e veta. Në një shoqëri që ka dalë prej luftës jo shumë vite më parë, por me arsimin që ka vuajtur nëpër periudhë jo të lehtë e turbulente edhe disa vite tjera para se të shpërthente lufta, është e kuptueshme një ngecje e tillë. Megjithatë, donatorë të ndryshëm e këtu edhe Bashkimi Evropian ka investuar miliona euro që ky arsim dhe edukim të jetë sa më cilësor, duke nisur prej akterëve institucionalë, shkollave, mësimdhënësve tanë dhe në fund edhe neve, gjeneratave më të reja që kemi pritur të jemi produkte të këtyre mendësive që na kanë dhënë mësimin fillestar dhe atë të vazhdueshëm.
Shumë shpejt Bashkimi Evropian në Kosovë do të lansojë kampanjën për Arsim Cilësor. Ndoshta pyetja që secili duhet t`ia parashtojë vetes është se sa e ndihmuam ne këtë arsim cilësor? Sa bëmë secili prej nesh, secila prej nesh për këtë arsim që të jetë sa më cilësor? A jemi në hap me kohën, apo në hap me historinë e shkruar gabim? A jemi në rrugën ku fëmijët tanë do të flasin mirë gjuhën shqipe dhe do të kenë oratorinë e denjë?
A kemi në shkollat tona komunitete tjera? A jemi ne shokë dhe mësimdhënës të mirë për komunitetin Rom, Ashkali, Egjiptian, a po i orientojmë mirë fëmijët që këndojnë mirë, ata të cilët shkruajnë mirë, ata të cilët vizatojnë mirë? A duhet ende ti ndajmë prej nesh fëmijët me nevoja të veçanta, ku është e mira dhe e keqja e këtij veprimi?
Një arsim cilësor është një arsim gjithëpërfshirës, por edhe një arsim i kombinuar mes shkollës si institucion dhe aktiviteteve tjera që na bëjnë më të mirë në fushat tona të pëlqimit e talentit. Një arsim cilësor është arsimi drejt dijes dhe jo drejt kopjimit, por edhe drejt mësimdhënësve që kanë mendje të hapur dhe përgatiten para se të futen në orën e mësimit. Sikur unë fëmijë, një arsim cilësor është ai kur një fëmijë përgatitet në shkollë, por me kohën përgatitet edhe në fushën të cilën e ka për qef dhe e bën më mirë se talentet tjera.
Kemi nxënës dhe mësimdhënës të shkëlqyer, por për këtë moment duhet të shohim kah mangësitë në edukim dhe arsim. Na kanë zbardhur fytyrën nxënësit tanë nëpër gara të ndryshme brenda e jashtë vendit, por është koha që të punojmë më shumë në programin shkollor, në librat tanë, në përfshirjen e të gjithë personave në arsim, sepse e drejta e shkollimit është e drejtë elementare, madje edhe e rregulluar me ligj e me Kushtetutë. Është koha të gjithë të shkollohemi e të lexojmë, për një mësim gjatë gjithë jetës.