Mars 22, 2016 | Tuesday

Ligjëratat dhe diskutimet e BE-së përmbyllin fushatën e EUICC-së për parandalimin e dhunës në baza gjinore

Bisedimet e BE-së: Perspektiva dhe përfaqësimi gjinor – Si e pasqyrojnë gjininë mediat e Kosovës?

EUICC nisi serinë e programit “Bisedimet e BE-së”, me diskutimin e parë të panelit për perspektivën dhe përfaqësimin gjinor, duke adresuar çështjen e pasqyrimit gjinor në mediat e Kosovës, të mbajtur më 28 janar në EUICC Prishtinë. Diskutimi u përqëndrua në atë se si gratë dhe gjinia janë të përfaqësuara në mediat e Kosovës, si një mjet mbizotërues për transmetimin e porosive, imazheve dhe domethënieve.
Anëtarët e panelit përfshinin akademikët për çështje gjinore, aktiviste feministe, përfaqësues të organeve rregullatore të mediave dhe redaktorë të mediave në internet. Vjollca Krasniqi, profesoreshe e studimeve për çështje gjinore në Universitetin e Prishtinës, filloi duke paraqitur të gjeturat nga monitorimi i mediave, i kryer në vitin 2015 për sa i përket përfaqësimit gjinor në prodhimin dhe përmbajtjen e lajmeve ku theksohej jo-balansi sa i përket raportimit në politikë krahasuar me çështjet e drejtësisë sociale. “Gjinia është e injoruar në mënyrë sistematike dhe çështjet gjinore në lajme janë të margjinalizuara,” tha zonja Krasniqi. Nga perspektiva e mediave në internet, Besa Luci, kryeredaktore e portalit online Kosovo 2.0 vuri në dukje se mediat e Kosovës nuk e pasqyrojnë çështjen gjinore, por vetëm përvijojnë përfaqësimet dhe stereotipet gjinore.
Anëtarët e panelit sollën këndvështrimet e bazuara në kërkime dhe analiza mbi pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në media publike nga burime të ndryshme të informacionit. Mediat publike dhe komerciale, të monitoruara së fundmi nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM), kanë shfaqur një përqindje të ulët (rreth 15.5%) të pranisë apo pjesëmarrjes së grave në programet me përmbajtje politike. Në shumicën e transmetuesve publikë ose privatë, gazetaret femra janë paraqitur zakonisht në programet e mëngjesit dhe programet e bukurisë, tha Naile Selimaj Krasniqi nga KPM-ja. Megjithatë, ajo theksoi se roli i KPM-së si një organ rregullator është i kufizuar dhe duhet të ketë akte të reja nënligjore për të zgjeruar mandatin e Komisionit në drejtim të monitorimit të medias. Shqipe Gjocaj, një aktiviste dhe kolumniste feministe në Sbunker, ngriti shqetësimet e saj në lidhje me lulëzimin e seksizmit dhe mizogjinisë, që mbizotëron në mediat online, që kanë tendenca të botojnë artikuj të tillë kryesisht për qëllime komerciale.

Ligjëratat e BE-së: Arti Feminist dhe dhuna në internet

EUICC në Prishtinë dhe Mitrovicë vazhdoi me serinë e Ligjëratave të BE-së. Qendra në Prishtinë ishte nikoqire e ligjëratave të BE-së me znj. Zana Hoxha Krasniqi në temën “Arti Feminist dhe ndikimi i tij në parandalimin e dhunës në baza gjinore”, ndërsa Qendra në Mitrovicën Veriore organizoi një ligjëratë, duke u fokusuar në çështjen e dhunës në internet dhe rritjen e saj krahas me epokën e teknologjisë.
Në Prishtinë, znj. Hoxha Krasniqi prezantoi artin feminist dhe rolin e tij në kërkesën për të drejtat e barabarta dhe përfaqësimin e grave në politikë, ekonomi dhe shoqëri në përgjithësi. Arti feminist është një art i të gjitha formave që lufton për të drejtat e grave. Znj. Hoxha Krasniqi mori shembuj të shumtë nga puna e saj e mëparshme që “në mënyrë të drejtpërdrejtë përfaqësonte pabarazitë në mes burrave dhe grave dhe çështjet e të drejtave të njeriut”. Disa nga punimet e saj që adresonin të drejtat e grave janë: “Tregime nga Ballkani”, “Kuzhina e viktimave” dhe ” Lugina e vuajtjes së saj. “Ajo gjithashtu koordinoi festivalin Femart, një hapësirë e artit krijues në të cilin prezantohen të gjitha format e artit që përcjellin ndërgjegjësimin për të drejtat e grave dhe të njeriut përgjithësi. Në edicionin e vitit 2015, festivali Femart ishte nikoqir i 35 aktiviteteve dhe u ndoq nga më shumë se 2000 persona.
Në të njëjtën kohë, Qendra EUICC në Mitrovicën e Veriut diskutoi problemin e dhunës në internet në shoqërinë tonë. Përderisa teknologjia ofron përfitime të shumta në jetë, mediat në mbarë botën dhe shpërthimi i teknologjisë ka hapur gjithashtu një derë për ngacmimin kibernetik, ngacmimin në internet dhe llojet e tjera të dhunës, që godasin në veçanti femrat e reja. Duke diskutuar në këtë temë, znj. Ruzhica Simiq shtjelloi më tej në çështjen e dhunës ndaj grave nëpërmjet rrjeteve sociale, duke shpjeguar gravitetin dhe pasojat, që shpesh rrjedhin nga injorimi i problemeve të tilla dhe duke i konsideruar si të vogla dhe të parëndësishme. Prezantimi ofroi shembuj dhe forma të zakonshme të dhunës nga takimet përmes internetit dhe ngacmimit kibernetikë, gjersa edhe pjesëmarrësit gjithashtu kontribuan me komentet dhe shembujt e tyre, lidhur me temën dhe praninë e saj në jetën e përditshme.

Seria e Diskutimeve dhe Ligjëratave të BE-së e përmbylli fushatën “BE ka të bëjë me parandalimin e dhunës në baza gjinore”, ndërsa në shkurt do të niset fushata e re dy-mujore “BE ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe fuqizimin ekonomik”.