Maj 31, 2018 | Thursday

Arsimi është thelbi i përparimit

Në vitin 1914, John Alexander Smith, Profesor i Moralit dhe Filozofisë Metafizike në Kolegjin Magdalen, Oksford, tha në një fjalim para studentëve: “…Ju tash do ta filloni një program studimesh me të cilin do të preokupoheni për dy vjet. Së bashku, ato përbëjnë një aventurë fisnike. Por dua t’jua tërheq vëmendjen për një pikë të rëndësishme. Asgjë që do të mësoni gjatë studimeve tuaja nuk do t’ju hyjë në punë fare pasi t’i keni mbaruar, përveç kësaj, nëse punoni shumë dhe me inteligjencë, ju duhet të jenë në gjendje ta kuptoni kur dikush flet gjepura, që sipas mendimit tim, është qëllimi kryesor, nëse jo i vetmi, i arsimit.”

E fillova pjesën time me këtë citat të fuqishëm sepse shumë kosovarë besojnë se qëllimi i arsimit është të mësojnë dhe të zbatojnë gjithçka që kanë studiuar në punët e tyre të ardhshme. Disa të tjerë besojnë thellësisht në fuqinë e diplomës si parakusht për ta fituar një punë të caktuar; kështu duke e dalluar veten nga “turma” pas arritjes së një diplome të caktuar dhe përmbushjes së kritereve boshe. Konsiderimi i arsimit vetëm si copë letër, kualifikim apo status, është një problem serioz i cili duhet të analizohet e trajtohet.

Kjo nuk është një kritikë, por më shumë një deklaratë normative.  Në këtë ese të shkurtër do ta përdori termin “thelb” mjaft shumë, andaj dua ta shpjegoj se këndvështrimi im personal i “thelbit” është: cilësia e domosdoshme. Ergo, cilësia e domosdoshme e arsimit nuk është rrita ekonomike ose mundësitë për punësim, por rrita personale. Thelbi i arsimit është të identifikohen absurditetet dhe konceptimet e gabuara (p.sh., gabimet logjike). Të jetuarit në një epokë pas të vërtetës (post-truth) dhe të debatoni në mënyrë kritike është mjaft gjë sfiduese dhe mendimi kritik, sipas Profesorit Smith – është qëllimi i arsimit.

Arsimi është thelbësor sepse ai ndërron mentalitetin e njerëzve dhe u hap atyre kanale të reja të të menduarit; si rrjedhojë, krijon më shumë hapësirë për t’i kapur dhe pranuar informatat të cilat nuk janë të njohura për ne. Thënë thjesht, arsimimi ndihmon në hapjen e perspektivës së një personi. Alvin Toffer ka thënë dikur, “Analfabetët e shekullit XXI nuk do të jenë ata të cilët nuk dinë shkrim e lexim, por ata të cilët nuk mund të mësojnë, çmësojnë dhe të mësojnë prapë.” Arsimimi i sfidon tabutë dhe e trason rrugën për të krijuar mendime individuale. Arsimimi përgatit njerëzit të mos bien pre e mashtrimeve, lufton shovinizmin dhe pikëpamjet miope dhe na bën më shumë dyshues.

Megjithatë, edukimi nuk fillon në shkollë. Është e lehtë të drejtohet gishti kah institucionet, mësuesit dhe infrastruktura e dobët; por është fakt se edukimi fillon në familjet tona. Sipas një studime të kohëve të fundit nga OJQ ETEA , rreth 60% e nxënëse kosovarë të shkollave të mesme në Prishtinë nuk i mbajnë mend tre tituj të librave. Po, kjo është diçka shokuese dhe morbide! Ta mendojmë këtë për një moment dhe të fillojmë para së gjithash të ndryshojmë veten dhe familjet tona. Kultura e leximit fillon në familjet tona, kështu që nëse kurrë nuk lexojmë para fëmijëve dhe nëse kurrë nuk i dërgojmë në bibliotekë ose teatër, nuk mund ta rrënjosim te ata kulturën e leximit. Si pasojë, nëse dështojmë që ta rrënjosim këtë kulturë në fazë të hershme të jetës së tyre, ata do të jenë pjesë e një sistemi të dobët të ciklit arsimor.

Bashkësia ndërkombëtare në Kosovë e kanë kuptuar se ata mund ta ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme vetëm duke investuar në rini. USAID ka filluar programin e tij më të madh edukativ “Programin e Lidershipit Transformues” duke ofruar bursa dhe partneritete të ndryshme. Në Sofje, gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor, BE ka njoftuar se do ta dyfishojnë financimin e tyre për Erasmus +. Fushata e fundit e Zyrës së BE-së në Kosovë përqendrohet me të drejtë në cilësinë e arsimit. Termi cilësi nuk është vënë aty vetëm për rimë. Jemi në dijeni se Kosova e pasluftës ka përjetuar një rritje enorme të studentëve nëpër kolegje dhe të kolegjeve të reja private. Sasia është rritur me të madhe, por fatkeqësisht jo edhe cilësia. Projektet dhe nismat e tilla padyshim se do ta rrisin edhe më tej mbështetjen për arsim në Kosovë dhe do ta përmirësojnë cilësinë e përgjithshme të arsimit.

Arsimi është skeleti i shoqërisë. Arsimi është e drejtë themelore njerëzore. E drejta për arsim pasqyrohet në të drejtën ndërkombëtare në Nenin 26 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Arsimin duhet ta çmojmë më shumë dhe ta gëzojmë lirinë për t’u arsimuar sepse mbi të gjitha, arsimi na përgatit si qenie njerëzore dhe na bën më tolerantë.