Korrik 9, 2018 | Monday

Një diskutim rreth lidhjes mes artit, kulturës dhe arsimit mirëpriti panelistë të ndryshëm në EUICC më 13 qershor 2018.

Eroll Bilibani nga DokuFest, arkitektja dhe artistja Eliza Hoxha, Donika Rudi – kompozitore, Florent Mehmeti në emër të Teatrit Oda dhe Vullnet Sanaja nga ANIBAR diskutuan rreth ndryshimeve të shumta që duhet të bëhen me qëllim që të rinjtë t’i kuptojnë më mirë gjërat, të kenë një qasje kritike ndaj rrethanave dhe një horizont më të gjerë të këndvështrimeve.

27907329237_1168ef6b77_b

“Kreativiteti duhet të shihet sot si platforma kryesore e jetës së sotme. Veç mund ta shihni tashmë se njerëzit të cilët janë kreativë mund të jenë të suksesshëm edhe në ndërmarrësi edhe në fusha të tjera” tha Eliza Hoxha gjatë diskutimeve në panel.

Ajo deklaroi se praktika më e mirë për t’i bashkuar njerëzit, për ta krijuar një mentalitet të ri dhe për t’i zbutur konfliktet janë arti dhe kultura.

42776848121_0e03cfca24_b

Në anën tjetër, Florent Mehmeti i tha audiencës se nga Teatri ODA i ka programet e veta ku arsimi dhe kultura janë të ndërlidhura.

“Cili institucion shtetëror ka ofruar programe edukative? Kanë qenë Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Muzeu i Kosovës dhe vetëm falë individëve. Institucionet lokale dhe qendrore duhet të bëjnë më shumë për ta konsideruar artin si një formë të edukimit të shoqërisë” theksoi Mehmeti.

Donika Rudi, kompozitore dhe drejtoreshë e Festivalit ReMusica dhe profesoreshë në Fakultetin e Arteve përmendi pjesën muzikore të arsimit në Kosovë. Sipas saj është e rëndësisë parësore që të ndihmohen fëmijët që të kenë këndvështrime më të gjera duke i angazhuar ata në aktivitete të cilat përmbajnë muzikë.

“Duke bërë këtë, duke krijuar hapësira dhe programe ku fëmijët mund ta përjetojnë muzikën më për së afërmi, duke u treguar atyre si funksionon procesi i kompozimit, atëherë mund t’i rrisim dhe frymëzojmë të jenë muzikantë në të ardhmen” tha Rudi.

42776846641_d274437b94_b

Vullnet Sanaja nga Festivali ANIBAR i tha audiencës gjatë diskutimeve se festivali i filmave të animuar ka takime të larmishme pune ku të rinjtë mësohen dhe udhëzohen si të krijojnë animacione.

DokuFest po ashtu është një shembull si arti dhe kultura janë përdorur si mjete edukative.

“Kemi implementuar disa platforma në shkolla, ku fëmijët kishin rastin të shikonin filma me tema të ndryshme dhe pastaj t’i diskutonin.  Në këtë mënyrë, mendimi kritik është bërë më aktiv dhe të rinjtë ishin të hapur ndaj temave të cilat nuk janë të përfshira në programet shkollore” tha Erol Bilibani nga DokuFest.

41875596265_6b1f35bc55_b

Diskutimet në panel u moderuan nga Vjosa Berisha – Drejtoreshë e PriFilm Fest dhe Udhëheqëse e Ekipit në EUICC – Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian.