Korrik 9, 2018 | Monday
Kur u bë planifikimi dhe zhvillimi i bazës së infrastrukturës së qytetit gjatë kohës së Jugosllavisë, nuk ishte paraparë që popullata e Prishtinës të rritej kaq shpejt deri në përmasat që kemi sot e as që do të kishte luhatje masive të banorëve të periferisë. Edhe në kohën kur kishte një administratë dhe transformim të sistemit pas periudhës së pasluftës planifikimi dhe zhvillimi urban i qytetit pësuan ngecje të mëdha nga keqmenaxhimi i skajshëm dhe skandalet e shumëfishta. Dhe ndonëse ka pasur disa shenja të përmirësimeve gjatë disa viteve të fundit, ende ndodhemi në një gjendje mjaft të rëndë. Jeta e përditshme në Prishtinë pasqyron një kaos urban të përbërë nga një numër jashtëzakonisht i madh i veturave brenda qytetit, një numër përherë në rritje i projekteve ndërtimore, një tkurrje e hapësirave të gjelbra dhe një ndotje gjithnjë e më e madhe e mjedisit. Struktura aktuale urbane dhe kapacitetet e infrastrukturës brenda qytetit janë kapluar nga dinamika e banorëve dhe kjo shpesh shndërrohet në probleme madhore mjedisore. Sot, mes tjerash, Prishtina përballet me probleme të ndotjes së ajrit, menaxhimit të mbeturinave, sistemeve të ujërave të zeza dhe shfrytëzimit racional të ujit. Nëse kjo përkthehet në efekte të përditshme të cilat vërehen gjatë jetës në qytet, kjo do të mund të shfaqej si në vazhdim: gjatë dimrit frymoni gjatë gjithë kohës ajër të ndotur i cili dëmton rëndë shëndetin tuaj, gjatë verës jeni dëshmitarë të reduktimeve të ujit për shkak të përdorimit dhe ruajtjes jo të duhur të ujit, pas episodeve të shirave rrugët vërshohen si nga shiu ashtu edhe nga ujërat e zeza të cilat përbëjnë kërcënim për shëndetin, gjatë shumicës së udhëtimeve tuaja do të përballeni me gazra automjetesh dhe pluhur, dhe gjatë gjithë vitit do të ecni nëpër bërllok nëpër lagjet tuaja, rrugës për në shkollë, punë dhe thuajse kudo tjetër.
Për vlerësimin e gjendjes aktuale duhet të theksohen katër elemente: së pari, masat shtetërore për adresimin e kërcënimeve kyçe mjedisore marrin shumë kohë; së dyti, mjedisi është zakonisht një nga pikat e fundit në listën e prioriteteve dhe financimit nga institucionet shtetërore dhe donatorët e mundshëm; së treti, për aq kohë të gjatë sa kërkohet për ta përmirësuar gjendjen mjedisore, për aq kohë edhe do t’i vuajmë pasojat çdo ditë; dhe së katërti, gjendja sipas të gjitha gjasave do të përkeqësohet edhe më tej para se të fillojë të përmirësohet.
Të shumtën e kohës ne jemi të prirë ta vazhdojmë jetën e përditshme dhe t’i injorojmë këto probleme në dukje të vogla në agjendat tona të ngjeshura. Megjithatë, është për keqardhje që ne e kuptojmë vërtet seriozitetin e këtyre kërcënimeve mjedisore vetëm kur ato na prekin drejtpërsëdrejti kur edhe bëhet shumë vonë sepse vetëm do t’i bartim pasojat. Ju mund ta injoroni ndotjen e ajrit gjatë gjithë vitit deri kur t’ju prek kolli dhe gripi gjatë dimrit, ju prapë mund të harroni gjatë pranverës kur forcohet sistemi juaj i imunitetit, por prapëseprapë me gjasë ju do të vuani pasojat e njëjta dimrin e ardhshëm nëse nuk përmirësohet gjendja. Ju do ta injoroni bërllokun që e shihni gjatë ecjes, mundeni edhe ta hidhni ndonjë mbeturinë aty këtu, por do të shfryni mllefin kur shihni një grumbull mbeturinash në shtëpinë tuaj. Do të përballeni me raste të shumta që tregojnë ndotjen mjedisore në një formë ose tjetër, por reagimi vjen vetëm pasi të jenë shkaktuar pasojat.
Në përgjithësi, ndotja e vogël ka tendencë të rritet me kohë në problem të madh dhe si e tillë duhet të adresohet menjëherë sapo të identifikohet problemi. Andaj, ndonëse mund të mos jetë faji juaj që një ndotës të jetë i përhershëm, ndonëse nuk është punë e juaj që t’i adresoni këto çështje, madje ju mund të mendoni se janë problem i dikujt tjetër, në fund të fundit lehtë mund të bëhet edhe problem i juaji.
Prishtina tregon një shkallë shumë të ulët të zhvillimit ekonomik, kapacitetet e shtetit për t’u marrë me çështje mjedisore janë shumë të ulëta dhe përveç moszbatimit të ligjeve, mjedisi as që është prioritet në politikat shtetërore. Andaj, në fakt ju mund të jeni pika e vetme fillestare për përmirësimin e mjedisit në të cilin jetoni. Është një barrë e cila u është ngarkuar pa dashje….apo jo?
T’i shohim nga perspektiva disa nga problemet mjedisore që u përmendën. Kush mendoni se e shkakton gjithë këtë ndotje? Secili banor i Prishtinës, përfshirë edhe juve. Ndotja e ajrit shkaktohet edhe nga thëngjilli të cilin mund ta keni djegur gjatë dimrit dhe vetura të cilën e vozisni, pamjaftueshmëria e ujit mund të jetë pasojë e asaj që ju e konsideroni ujin si të mirëqenë dhe e përdorni lirshëm dhe mbeturinave në rrugë mund t’ju keni kontribuuar në ndonjë moment. Tash, nuk po mundohem në asnjë mënyrë që problemin t’jua hedh juve si burim kryesor, por dua që ta kuptoni se të gjithë që jetojmë këtu, i kontribuojmë problemit të ndotjes në një mënyrë ose tjetër dhe kemi përgjegjësi të përbashkëta për këto çështje.
Atëherë, çka mund të bëjmë si banorë?
Ekzistojnë dy rrugë të cilat duhet të merren parasysh në të njëjtën kohë kur adresohen shqetësimet mjedisore. Rruga e parë është të fillojmë të ndryshojmë shprehitë tona. Ndryshimi i shprehive mund të shihet si sakrificë e madhe ose si çmim i lartë për ta paguar për komoditetin tonë, por le t’i hedhim çështjes një vështrim më kritik. Këto shprehi na prekin shumë pak në krahasim me ndikimin që ka në mjedisin tonë. Për shembull: grumbullimi i mbeturinave në zonën ku banoni dhe hedhja e tyre në kontejnerë mbeturinash ju merr disa minuta kohë në disa ditë në krahasim me javë dhe muaj kur sipërfaqe të mëdha mund të mbulohen me mbeturina; mbyllja e rubinetit kur nuk e përdorni ujin (gjatë kohës sa bëni tush në banjë kur përdorni sapunin, kur u shtoni detergjent enëve, kur i lani dhëmbët, etj.) ju kushton disa sekonda disa herë gjatë ditës, në krahasim me mijëra litra që shpenzohen nga një rezervuar i përbashkët (ta zëmë Batllava) prej ku të gjithë kemi nevojë ta marrim ujin e pijshëm; ecja deri në punë, apo thuajse kudo në qytet mund t’ju kushtojë 15 deri 20 minuta shtesë krahasuar me sasinë shkatërruese të gazrave që do t’i lironit duke udhëtuar me veturë. Veç kësaj kjo do të ishte e dobishme për shëndetin tuaj dhe do të ndihmonte transportin e përgjithshëm publik në qytet. Andaj, ndryshimet e vogla në shprehitë tona kanë ndikim të madh në mjedis dhe në thelb ndikojnë drejtpërsëdrejti në jetët e banorëve të tjerë të Prishtinës.
Rruga e dytë është të raportohen ndotjet mjedisore menjëherë dhe të monitorohet nëse ndërmerren aktivitetet për adresimin e problemeve të tilla. Duke ditur kapacitetet e ulëta të institucioneve shtetërore për t’i trajtuar problemet mjedisore, duhet ta kuptoni se shumica e shqetësimeve mjedisore nuk do të adresohen fare. Vetëm përmes raportimeve dhe mobilizimit të komunitetit (ta ndani problemin me miqtë, fqinjët dhe këdo tjetër) ky problem mund të caktohet si prioritet dhe pastaj ky cikël mund të përdoret për trajtimin e shumicës së problemeve mjedisore dhe do të ndihmojë në adresimin e tyre në numër më të madh. Për shembull: ujërat e zeza që rrjedhin në sipërfaqe në zona të ndryshme të qytetit janë një problem të cilin e hasni shpesh; megjithatë, ju do të vazhdoni ta shihni për një kohë të gjatë po që se nuk e raportoni. Madje edhe nëse problemi i raportuar nuk trajtohet (këtu futet pjesa e monitorimit), ju gjithmonë mund t’i kontaktoni mediet për ta theksuar problemin publikisht – dhe disi kur të vihen në qendër të vëmendjes, ekziston një tendencë thuajse magjike për veprim nga institucionet shtetërore. Andaj, gjithmonë raportoni problemet mjedisore menjëherë dhe merruni me problemin deri kur ai të adresohet në mënyrën e duhur.
Nga një këndvështrim më i gjerë, përmirësimi i mjedisit në Prishtinë është në një mënyrë detyrë e vetë banorëve. Dhe duke parë si po rritemi çdo ditë në numër dhe secili prej nesh e shton një pako të re mbeturinash për ambientin, le ta marrim përgjegjësinë për veprimet tona dhe ta nxjerrim më të mirën si komunitet. Fundja, jemi ne ata që jetojmë këtu, dhe dashje pa dashje, ne zgjohemi çdo mëngjes për t’u përballur me problemet e shumta mjedisore të cilat mund t’i trajtojmë së bashku.