Gusht 7, 2018 | Tuesday

Pesë praktikantë nga DG Near në Bruksel kanë vizituar Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, në kuadër të vizitës së tyre në Kosovë.

Me 17 korrik, këta praktikantë janë takuar me disa gazetarë nga medie të ndryshme në Kosovë, kësisoj duke shkëmbyer përvojat e tyre dhe duke biseduar rreth çështjeve me rëndësi për ta.

37279491_1998881756797737_7967102319047213056_o

Eraldin Fazliu nga Kosovo 2.0, Fitim Gashi nga Koha Ditore, Plator Gashi nga Prishtina Insight, Arlinda Kqiku nga Zëri dhe Arbër Selmani nga KultPlus mirëpritën në EUICC – Qendrën Kulturore dhe Informative të Bashkimit Evropian në Prishtinë mysafirët nga Brukseli për një bashkëbisedim në tema të ndryshme: nga procesi i liberalizimit të vizave e deri te të drejtat e komuniteteve të ndryshme në Kosovë.

Gjatë takimit, gazetarët nga Kosova folën për procesin e liberalizimit të vizave duke potencuar prapë rëndësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës për udhëtim në Evropë. Edhe në cilësinë e gazetarit, shumë prej tyre kanë hasur në burokraci kur kanë aplikuar për vizë Schengen dhe shumë herë procesi i dorëzimit të dokumenteve ka marrë shumë kohë dhe mundim.

37287461_1998881923464387_8495120616255389696_o 37344133_1998884240130822_2717740371583959040_o

Praktikantët nga Brukseli kanë ndarë përvojën e tyre në punën me institucionet e larta në Bruksel dhe kanë siguruar gazetarët kosovarë se e ardhmja e Bashkimit Evropian është ajo me një proces zgjerimi.

Në mesin e diskutimeve ishte edhe diskutimi i lirisë së shtypit, ku gazetarët nga Kosova u pajtuan se Kosova qëndron pak më mirë se shtetet tjera në Ballkan, në këtë fushë. Në Indeksin e Lirisë së Shtypit – 2018 World Press Freedom Index, Kosova u radhit e 78-ta nga 180 shtete, duke përmirësuar këtë pozitë për katër vende prej vitit të kaluar (82).

Një diskutim interesant pasoi rreth RTK – Radio Televizionit të Kosovës dhe mendimit që audienca në përgjithësi ka për këtë televizion.

37310262_1998884743464105_844928085550694400_o

Gjatë vizitës së tyre në Kosovë, praktikantët nga Brukseli u takuan edhe me Ministren e Integrimit Evropian – Dhurata Hoxha, përfaqësuesit e OSCE-së, përfaqësuesit e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës në Kosovës.