Gusht 26, 2018 | Sunday
Kostumografja Hana Zeqa ka sjellë përvojën e saj nga Londra për audiencën në kuadër të një bisede artistike në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.
Zeqa me datë 20 gusht ka qenë e ftuara e radhës në serinë e ‘bisedave me artistë’ organizuar nga EUICC.
Para publikut, Zeqa ka treguar për projektin e saj ‘Organic Extimorph’, të cilin e ka zhvilluar në Londër gjatë studimeve.
Duke përdorur materialin e nevojshëm por edhe teknologjinë, Zeqa bashkë me bashkëpunëtorët e saj kanë arritur në një kostum i cila formohet gjatë veshjes dhe më pas edhe gjatë lëvizjeve të modeles, në këtë rast njeriut që do ta veshë.
“Projekti ka integruar teknologjinë në industrinë e modës, pra ky ka qenë qëllimi im, ose ajo që sot quhet ‘wearable technology’. Veshja ka përmbajtur edhe senzorët motorikë ndërsa në një formë përçon jashtë edhe emocionin pasi unë e kam hulumtuar edhe pjesën psikologjike të emocioneve, pra qysh reagojnë ato në trup dhe në cilat pjesë reagojnë më shumë” ka treguar Hana Zeqa rreth projektit të saj, i cili ende pritet të gjejë zhvillimin e tij në Kosovë.
Prova e këtij kostumi, ose kësaj veshjeje, ka ndodhur në një organizim të modës në Angli derisa ka rezultuar suksesshëm, me veshjen e cila hapet dhe merr formën e duhur. Hana krejt këtë proces e ka lidhur edhe me psikologji, me idenë e të hapur ndaj dashurisë, por edhe ndaj ndryshimeve në jetë.
Zeqa ka studiuar në Longon College of Fashion / University of the Arts, ku edhe e ka nisur këtë projekt të cilin e prezantoi para publikut.
Ajo e ka quajtur kostumin si lëkurën e dytë të njeriut e cila e potencon karakterin dhe sjellë në pah më shumë nga njeriu. E ka përmendur këngëtaren Bjork si një kthesë në punën e saj artistike dhe ndoshta një moment kur ajo ka nisur të specializohet në dizajn të modës, duke lënë anash disa fusha tjera të artit ku ajo ka qenë e angazhuar që nga fëmijëria.
“Unë jam e gatshme të bashkëpunoj me studentët e modës këtu në Kosovë por edhe me ata që duan të dijnë më shumë për këtë punë timen” ka shtuar Zeqa.
Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian po vazhdon për çdo muaj me bisedat me artistë të ndryshëm, duke sjellë më afër publikut tregimin e tyre.