Tetor 1, 2018 | Monday
Dita Evropian e Gjuhës / EUICC
Ambasadat e shteteve të ndryshme anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë kanë festuar me datë 26 shtator – Ditën Evropiane të Gjuhës, duke u bashkuar në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe duke prezantuar kulturën e tyre, traditat, gjuhë, muzikën, gastronominë dhe mundësitë akademike të shkollimit.
“Këtu sot kanë parakaluar më shumë se 200 persona, secili i interesuar në kulturën e këtyre shteteve. Plot kanë pyetur edhe për Slloveninë, kulturën tonë, rëndësinë e ambientit të pastër dhe sa rëndësi i kushton Sllovenia gjelbërimit” tregon përfaqësuesja e Ambasadës së Sllovenisë në Kosovë.
“Kjo është një mundësi e mirë të bashkohesh me qytetarët, të jesh më afër tyre dhe të komunikosh me ta me anë të gjuhës, muzikës e kulturës në përgjithësi. Unë takoj shpesh njerëz që kanë qenë në Suedi, atje ka një diasporë të mrekullueshme të shqiptarëve” tregon Jenny Akeson nga Ambasada e Suedisë në Kosovë.
Ambasada e Finlandës, për shembull, u bashkua në këtë festë duke promovuar gjuhën finlandeze dhe duke prezantuar brende të ndryshme të dizajneve nga Finlanda, njëjtë edhe duke prezantuar çokolatën Fazer.
Ambasada e Italisë solli libra, mes tyre edhe shkrimtarët Italo Calvino. Muzikë franceze, italiane, sllovene, shqipe, serbo-kroate e suedeze pati gjatë tërë këtij organizimi në qiell të hapur.
Dita Evropiane e Gjuhës festohet me 26 shtator çdo vit, e caktuar si e tillë nga Këshilli i Evropës. Me një numër të madh edhe të refugjatëve, qytetet e Evropës janë bërë multilinguale. Në Moskë shembull, plot refugjatë flasin gjuhën e Ukrainës, gjuhën armene, kineze, rumune dhe gjuhën Tatar. Në Londër fliten rreth 300 gjuhë, përfshirë gjuhën spanjolle, kurde, portugeze dhe arabe.