Tetor 1, 2018 | Monday

#JepiMundësiGjelbërimit gjatë muajve në vazhdim në Kosovë

Me datë 24 shtator 2018, Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Qendra Informative e Kulturore e Bashkimit Evropian në Kosovë e lansuan Fushatën për Mjedis #GiveGreenaChance

Riccardo Serri, kryesues i Sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim Evropian pranë Zyrës së Bashkimit Evropian e dha fjalimin inaugurues, duke treguar se jemi në momentin më të duhur për të propozuar zgjidhje në problemet e ndryshme ambientaliste në Kosovë. Ambasadori i Francës, Didier Chabert dhe Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, morrën pjesë në lansimin e Fushatës duke insistuar se në Kosovë duhet të mbetet prioritet ambienti, mjedisi dhe sfida kundër ndryshimeve klimatike.

42445163_2101138853238693_8424679493288853504_n

Muajt në vazhdim do të jenë plot aktivitete që mbulojnë katër fushat kryesore të Fushatës: uji, ajri, menaxhimi i mbeturinave dhe energjia.

Uji do të jetë tema e parë e Fushatës për Mjedis: muaji tetor kësisoj do të jetë i mbushur me aktivitete për qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për pastrimin dhe ruajtjen e ujit të pastër, duke reflektuar mbi ndotjen që i bëjmë ujërave në Kosovë.

Aktivitetet do të zhvendosen edhe në qytete tjera, pos Prishtinës, kësisoj edhe në Shkabaj, Gjilan, Pejë, Prizren, Gjakovë e Ferizaj.

Druri i Ndërgjegjësimit me datë 3 tetor u zbulua në tri qytete të Kosovës.

Me datë 13 tetor, një graffiti do të vendoset në urën e një lumi në Gjakovë, kësisoj për të ndaluar ndotjen që i bëjmë lumenjve të cilët janë shumë afër nesh dhe një habitat i mirë për krijesat tjera.

Javëve tjera, Fushata do të vazhdojë në fushat tjera të saj. Nga data 15 tetor, në tematikën e ajrit të pastër, do të niset me aktivitete që përfshijnë diskutim mbi gjendjen në Kosovë në këtë aspekt dhe një turne me bicikleta nga Prishtina për në Lipjan.

Katër personalitete në mbështetje të Fushatës për Mjedis

Katër personalitete nga Kosova po e përkrahin këtë herë Fushatës për Mjedis, duke shprehur interesimin e tyre dhe përvojën e tyre në fushat në të cilat ata janë të angazhuar. Kësisoj, ata do të angazhohen në aktivitete të ndryshme dhe do të mundohen të ndërrojnë mendimin e opinionit publik drejt një mjedisi më të pastër për të gjithë. Aktori Vedat Bajrami, notari Lum Zhaveli, Rita Saraçi – blogere e modës dhe Arineta Mula – alpiniste, do të ndajnë me publikun tregimin e tyre të suksesit që lidhet edhe me një dëshirë për mjedis më të pastër në shtetin tonë.

Ja çfarë kanë për të thënë ata në mesazhin e tyre.

“Një mjedis i pastër është çështje që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Mund ta ruajmë planetin nëse nisim ti pastrojmë mbeturinat tona. Kësisoj edhe tregojmë sa shumë e duam vendin tonë” – Vedat Bajrami, aktor

“Kur ngjitem në majat e maleve të Kosovës së bukur, e kuptoj se si ajri i pastër ma ndalë frymën nga kënaqësia! Duhet ta përjetojmë natyrën dhe duhet të ndihmojmë për ajër të pastër, për neve dhe për fëmijët tanë” – Arineta Mula, alpiniste

“Uji i pastër është jetik për një jetë të shëndetshme. Është përgjegjësi e jona të luftojmë për këtë kauzë, jo vetëm për veten tonë por edhe për të krijuar një habitat ideal për kafshët dhe krijesat tjera që jetojnë rreth neve. Të gjithë meritojmë ujë të pastër, është një nevojë elementare” – Lum Zhaveli, notues

“Përdorimi i metodave alternative të energjisë është zgjidhje moderne. Energjia efikase ka një ndikim të madh në jetën tonë. Duhet ta ndalim përdorimin e lëndëve djegëse fosile dhe të provojmë mënyra tjera për të ruajtur energjinë” – Rita Saraçi, blogere e modës dhe bursiste e programit Young Cell Scheme