Tetor 15, 2018 | Monday

Hapësira publike në qytetet e Kosovës

Arkitektura, ose hapësira publike në veçanti, është një prej atributeve kryesore që tregon se sa merr frymë një qytet. Hapësira publike jo vetëm që përmirëson jetën e qytetarëve, por hapësirat publike të suksesshme njihen për influencimin e tyre edhe në tërheqjen e investimeve – edhe në vendet ku askush nuk kishte menduar kurrë të investonte. Për më shumë, në zemër të çdo hapësire publike të suksesshme e atraktive janë njerëzit që e përdorin atë, që kënaqen me të dhe që kujdesen për të, për atë që është e tyre.

Hapësira publike të dizajnuara keq dhe të trajtuara keq nuk janë të mirëseardhura, dhe në këtë rast njerëzit do të ndalin së përdoruri ato. Kur kjo fillon të ndodhë në nivel qyteti, ndodhë që edhe bizneset të mbyllen sepse njerëzit thjeshtë nuk do të dalin jashtë dhe nuk do të harxhojnë paratë e tyre jashtë shtëpive të tyre. Duke lënë anash pasojat ekonomike, mungesa e hapësirave publike do të thotë ndikim edhe në shëndetin e qytetarit, pasi nuk ka aktivitete, dhe kjo ndikon në jetën shoqërore dhe në disponimin e moralin qytetar. Shumë shembuj të tillë mund të përmenden në qytete të ndryshme të Kosovës.

Problemi me hapësirat publike në Kosovë nuk është fakti i numrit të përdoruesve të tyre, sepse një numër i madh i qytetarëve kalojnë nëpër këto hapësira si rrugë tranzite për destinacionin e tyre, e megjithatë, ata nuk janë të gatshëm të harxhojnë asnjë minut brenda tyre shkaku i gjendjes në të cilën janë këto hapësira.

Disa prej shkaktarëve të këtij fenomeni i kanë rrënjët edhe para vitit 1999, kohë kjo kur kosovarët u përjashtuan nga të gjitha proceset e dizajnimit dhe konceptimit të hapësirës publike, pasi hapësirat e reja publike u krijuan e u konceptuan nga lart-poshtë. Kjo ishte koha kur çdo gjë publike ishte në pronë të shtetit dhe realisht asnjë llogaridhënie nuk shkonte në drejtim të qytetarit. Kjo formë e përjashtimit bëri që njerëzit që humbnin sensin e përkatësisë që më vonë u shndërrua në një formë të përçmimit ndaj asaj që është publike, pasi qytetarët nuk u ndjenë në asnjë mënyrë të lidhur me asgjë publike.

Public Space in Prishtina © Calvert Journal
Public Space in Prishtina © Calvert Journal

Vite më vonë, edhe me ndërrimin e gjeneratave, përsëritja e këtij mentaliteti vërehet edhe sot. Shumë shpesh, hapësira që është e përbashkët ose publike shihet si ‘no man’s land’, ku gjithçka shkon në një drejtim për të cilin qytetarët nuk kanë ndjenjë obligimi e përkushtimi. Në shumë raste hapësira publike është aty për tu shfrytëzuar kur kjo nuk është aspak e nevojshme.

Sado që është e nevojshme të ndërgjegjësohet rreth këtij problem, ka disa mënyra të cilat zyrtarët publikë, kryetarët e qyteteve dhe të tjerë politikanë e palë të interesuara mund të përdorin për ta adresuar çështjen. Çka na duhet është një mënyrë më përfshirëse, transparente e demokratike e dizajnimit të hapësirë publike me anë të metodave të pjesëmarrjes dhe përfshirjes së komunitetit dhe qytetarëve në këtë proces.

Community-Based-Design © HBB Seattle
Community-Based-Design © HBB Seattle

Komuniteti duhet të përfshiet në procesin e dizajnimit të hapësirave publike pasi kjo do të ushqejë në ta ndjenjën e përkatësisë dhe zotërimit. Kur njerëzit kanë një ndjenjë më të fortë të zotërimit për hapësirën e tyre publike, ata kanë tendenca të kujdesen më shumë për të dhe ta mbrojnë nga çdo formë e bezdisjes dhe dëmtimit. Me një dizajn më të mirë dhe të sinqertë, hapësirat publike mund të bëhen më të gjalla dhe njerëzit do të nisin ti përdorin ato më shpesh dhe për kohë më të gjatë, kësisoj duke bërë që këto hapësira të tërheqin shumë e më shumë njerëz.

Ka një ndryshim pozitiv në këtë fushë, sidomos në qytetet e mëdha të Kosovës, ku njerëzit kanë nisur të ndërgjegjësohen për të drejtën e tyre njëzore për hapësira publike, por ky process më shumë po shtyhet nga Organizatat Joqeveritare dhe vetë qytetarët. Sidoqoftë, niveli i ndërgjegjësimit qytetar mbi hapësirën publike është ende i ulët, dhe ka shumë punë për tu bërë.

Edhepse hapësirat publike ekzistojnë që nga lindja e qytetërimeve, ato ende mbeten një prej elementeve më sfiduese që njerëzit hulumtojnë, kuptojnë dhe prodhojnë.

 

Rron Beqiri
Architecture for Humans

Rron Beqiri është një arkitekt nga Prishtina, anëtar i studios së dizajnit që bazohet në hulumtim, Architecture for Humans. Më parë Rroni ka qenë i angazhuar në disa Organizata Joqeveritare dhe projekte tjera arkitekturore. Pos punës në studio, Rroni është i angazhuar si asistent mësimor në Departamentin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës dhe është kandidat për doktoraturë në Planifikim Hapësinor në Universitetin Telnik në Vjenë

Prishtinë
Tetor 2018