Nëntor 2, 2018 | Friday
Duke i paraprirë Paradës së Krenarisë së komunitetit LGBT e cila ndodhë në tetor në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës, këtë vit Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian hapi dyert e saj për ta bërë këtë ngjarje edhe më të pasur. EUICC në bashkëpunim me Pristina International Film Festival dhe CEL Kosovo organizuan kësisoj tri netë me shfaqje filmash për komunitetin LGBT dhe të gjithë të interesuarit.
Java filloi me 5 tetor me shfaqjen e filmit “Women who kill” me regji nga Ingrid Jungerman. Ngjarja fokusohet Morgan – një grua e dhënë pas punës dhe ish të dashurës së saj, Jean, të dyjat duke besuar se e dashura e re e Morgan është një vrasëse.
Me datë 8 tetor u shfaq “Political Animals”, një dokumentar i fuqishëm mbi katër gra avokate të cilat marrin në dorë drejtësinë në rrugë, kundër pabarazive dhe sistemit. Një natë më pas, EUICC shfaqi “Man Made” një dokumentar që eksploron botën e mundësve transgjinorë derisa bëhen gati për garën e madhe Trans FitCon në Georgia të Amerikës.
Me datë 10 tetor, zyrtarisht u mbajt Parada e Dytë e komunitetit LGBT në rrugët e Prishtinës.
Qindra njerëz marshuan nga Sheshi Skënderbeu, nëpër Bulevardin Nënë Tereza për të ndaluar para Bustit të Zahir Pajazitit.
Me sloganin “Në emër të Lirisë”, njerëzit dolën në rrugë për të përkrahur dashurinë dhe për të ngritur zërin që ky komunitet të dëgjohet e pranohet në shoqërinë kosovare.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, marshoi bashkë me pjesëmarrësit tjerë në këtë Paradë derisa Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë mbështetë këtë përpjekje të komunitetit për të qenë më i pranuar në shoqërinë kosovare.
Ambasadorë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe figura të ndryshme publike ishin pjesë e Paradës.
Komuniteti LGBT në Kosovë është ende i diskriminuar dhe ndaj këtij komuniteti adresohet një gjuhë e tmerrshme e urrejtjes.
Stafi i Qendrës Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian poashtu morri pjesë në Paradë, duke treguar kësisoj mbështetjen e tyre, që ky komunitet të jetë pjesë e shoqërisë dhe të mos diskriminohet e neglizhohet.